Ilion Lika: Largimet nga Tirana, të panevojshme

Jul 31, 2012 | 14:33
SHPËRNDAJE
Ilion Lika, portieri i Tiranës

Te Tirana mungon konkurrenca, e kjo gjë është minus për një ekip që pretendon tituj. Numri i cunguar i lojtarëve që ka pasur një edicion më parë dhe stoli i boshatisur janë treguesit kryesorë për këtë. I kësaj linje është edhe Ilion Lika, i cili në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport” analizon skuadrën e tij. Kapiteni bën skanerin duke filluar nga merkatoja e për të kaluar te synimet. Portieri i konsideron të domosdoshme afrimet në të katërta repartet, pasi sipas tij, vetëm kështu mund të pretendohet. Për Likën, Tirana e këtij viti duhet ta nisë e ta mbyllë me trofe, duke filluar me Superkupën dhe për ta mbyllur me titullin kampion. Por lojtari nuk nguron që të flasë edhe për dështimin në Evropë, teksa duke nisur fjalën e tij thotë: “Alesundi ishte ekip i fortë, por jo për të na bërë pesë gola. Nuk na falet ky dështim. Mirëpo duhet të ecim para dhe të mos e kthejmë kokën pas. Nga ajo humbje duhet të nxjerrim vetëm mësime. Ky është futbolli”. Po afron finalja e Superkupës dhe kryeqytetasit e duan këtë trofe. “Duam që edhe këtë sezon ky trofe të jetë yni, por jo vetëm ky, por edhe kupa me titullin kampion. Duam të bëjmë tris këtë edicion”, – tha në lidhje me objektivat gardiani i 24 herë kampionëve të vendit.
Merkatoja
Deri më tani janë afruar katër, por prapë nuk mjaftojnë. Ekipi i Rubios duhet të dublojë çdo pozicion në fushë. Nisur edhe nga edicioni i shkuar, ku largimet dominuan, kapiteni jep opinionin e tij, duke i konsideruar të panevojshme. “Kemi nevojë për shumë merkato dhe dublim të çdo pozicioni, duke filluar nga porta e deri te sulmi. Për mendimin tim largimet nuk janë të domosdoshme, pasi kemi kuptuar që kur ke organikë të bollshme nuk gjen kurrë keq. Megjithatë, ky vendim u takon drejtuesve dhe trajnerit, pasi ky i fundit është strategu. Duke qenë se kemi pretendime të mëdha këtë vit, mendoj se në ekip duhet të dominojë edhe konkurrenca. Kur ka rivalitet, ka edhe cilësi. Kur ke vendin e sigurt, shtohet presioni dhe dëshira për të dhënë më shumë në fushë. Megjithatë, klubi besoj se do të bëjë gjënë më të mirë edhe në këtë drejtim”, – tha më tej Lika. I pyetur për rivalët, nuk nguron t’i komentojë, duke i cilësuar Flamurtarin, Vllazninë dhe Skënderbeun si ekipe që do të kenë pretendime. “Vlora ka bërë punë të mirë, Vllaznia merkato cilësore dhe mendoj se janë pretendente, ndërsa për Skënderbeun nuk di ç’të them, duke qenë se nuk kanë përcaktuar asgjë për të ardhmen”, – tha në fund kapiteni.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura