ILDKP, kallëzim penal gjyqtarit Aliu për fshehjen e pasurisë

Sep 30, 2014 | 12:52
SHPËRNDAJE

Gjyqtari Osman Aliu
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka çuar për ndjekje penale gjyqtarin e Shkallës së Parë në Kavajë, Osman Aliu. Në një njoftim për shtyp të këtij institucioni thuhet se gjyqtari ka fshehur pasurinë dhe nuk justifikon burimet e krijimit të pjesës që ka deklaruar. “ILDKPKI do të dërgojë pranë Prokurorisë së Përgjithshme kallëzimin penal për subjektin Osman Aliu, me funksion gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprat penale të ‘fshehjes dhe deklarimit të rremë të pasurisë dhe pastrimit të produkteve të veprës penale'”, thuhet në njoftimin e ILDKP-së. Në të njëjtën kohë, Inspektorati ka sqaruar se gjyqtari i Gjykatës së Kavajës ka transaksione të dyshimta jashtë shtetit gjatë katër viteve të fundit. “Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave njofton se ka konstatuar fshehje të pasurisë, deklarim të rremë të interesave private, mungesë burimesh të ligjshme financiare për pasuritë e krijuara, transaksione të padeklaruara, të dyshimta dhe pa burime të ligjshme, 2009 – 2013, jashtë Shqipërisë, deklarime të rreme për huamarrje, huadhënie dhe dhurata me qëllim justifikimin e pasurive të vëna në kundërshtim me ligjin etj.”, vijon më tej njoftimi i Inspektoratit. Në të njëjtën kohë bëhet e ditur se gjatë ditës së djeshme, kur ishte planifikuar edhe një seancë pyetjesh me gjyqtarin Aliu, ky i fundit, pasi ka refuzuar të japë përgjigjet për pasuritë, ka fyer inspektorët e këtij institucioni. “ILDKPKI do të njoftojë menjëherë Ministrinë e Drejtësisë dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë për marrjen e masave disiplinore dhe për sjelljen rrugaçërore të gjyqtarit Osman Aliu sot në ambientet e ILDKPKI, i cili jo vetëm refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të inspektorëve të ngarkuar me kontrollin e plotë, por edhe u largua dhunshëm e duke i fyer ata gjatë kryerjes së detyrës”, thuhet në njoftim. Lidhur me rastet e tjera kur janë vendosur gjoba, Inspektorati bëri të ditur se do ti kallëzojë penalisht zyrtarët nëse nuk e paguajnë sanksionin. “Inspektorati i Lartë u rikujton të gjitha subjekteve deklaruese ndaj të cilave është marrë masë administrative “gjobë”, që në rast të refuzimit të dorëzimit të deklaratës së interesave private, subjekti konsumon elemente të veprës penale parashikuar në nenin 257/a, paragrafi i parë i Kodit Penal, për të cilën ILDKPKI do të paraqesë kallëzim penal pranë organit të akuzës”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit të Pasurive lidhur me gjobat ndaj zyrtarëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura