“Ikonat e vjedhura në Shqipëri iu certifikuan Thimos”

Oct 31, 2013 | 14:31
SHPËRNDAJE

Gjergji Thimo
TIRANE – Prokuroria duket se ka gjetur “fakte të rënda” në lidhje me çështjen e trafikut të veprave të artit për të cilat arrestoi koleksionistin Gjergji Thimo rreth një muaj më parë në Tiranë. Gazeta “Panorama” ka mësuar dje se prokuroria është duke verifikuar një numër ikonash dhe pikturash murale nga ato që u bllokuan nga policia, të cilat, ndonëse të vjedhura brenda vendit në Shqipëri, janë certifikuar si prona të koleksionistit Gjergji Thimo. Burimet e gazetës kanë thënë se prokuroria ka identifikuar deri tani 5-10 vepra të tilla me vlera të rralla të vjedhura kryesisht në kishat e Korçës dhe Beratit gjatë dhjetë viteve të fundit. Sipas burimeve nga organi i Akuzës, mësohet se ikonat dhe pikturat në fjalë janë identifikuar tashmë nga specialistët si objekte të vjedhura në institucione të kultit dhe në muze, por nga ana tjetër janë certifikuar si prona të koleksionistit Gjergji Thimo. Prokuroria mësohet se është duke hetuar punonjësit e Qendrës Kombëtare të Certifikimit të Veprave të Artit në lidhje me procedurën që është ndjekur. Burimet jozyrtare nga hetimi thanë se çështja është ende në verifikim, ndërsa dyshohet se certifikimi në disa raste është bërë për shkak të mangësive në të dhënat e kallëzimeve penale që kishat dhe muzetë kanë bërë në lidhje me veprat e artit që kanë humbur. Dyshohet se në këto kallëzime nuk janë pasqyruar saktë emërimet, përshkrimi dhe karakteristikat e veprave, çka ka sjellë më pas edhe certifikimin e tyre. Më 9 tetor 2013, Policia e Shtetit arrestoi shtetasit Arben Spaho, 40 vjeç, lindur në Debrovë Pogradec dhe banues në Kamzë Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje dhe Gjergji Thimo 43 vjeç, lindur ne Korçë dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje dhe falsifikimin të dokumenteve zyrtare. Ata u kapën me 1077 ikona dhe vepra të tjera arti, që dyshohet se janë vjedhur nga kishat dhe institucionet e artit në Shqipëri dhe Maqedoni.                          tr.so

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura