Identifikohet vrasësi i policit. Veriu, i qetë

Jul 31, 2011 | 11:10
SHPËRNDAJE

Hetimet efektive për vrasjen e policit Enver Zymberi janë një shans i mirë për EULEX-in për të treguar vërtet misionin e vet dhe, njëkohëisht, për të ndrequr sadopak imazhin e dëmtuar shumë ditëve të fundit. Dhe, duket se këto hetime janë në rrugë të mbarë. Një zyrtar ndërkombëtar ka treguar për Express se hetuesit e këtij misioni thuajse tashmë e kanë identifikuar të dyshuarin për vrasjen e policit Zymberi, i cili e qëlloi atë me snajper.

“Ata thuajse e kanë identifikuar vrasësin, madje këtë e dinë edhe Policia e Kosovës, por presin vetëm pak që të qetësohet situata për ta arrestuar. Po ashtu, të gjithë serbët që kanë qenë atë ditë në turmë, e dinë kush është ai”, ka thënë zyrtari.

Por, Kai Mueller-Berner, një ndër zëdhënësit e EULEX-it, thotë se hetimet për këtë rast ende janë në fazë të mbledhjes së të dhënave.

“Hetimet në lidhje me vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës në fshatin Zupc, afër Zubin Potokut, më 26 korrik, kanë filluar dhe ato janë në fazën e mbledhjes së të dhënave”, thotë Muller-Berner për Express. Sipas tij, hetimet janë duke u kryer nga EULEX-i së bashku me Policinë e Kosovës.

Ndërkohë, zyrtarë të Policisë së Kosovës tregojnë se hetimet për vrasjen e policit Zymberi janë duke u kryer në mënyrë intensive dhe me rastin po merret Drejtoria për Krime të Rënda. “Kjo drejtori në bashkëpunim me të gjitha njësitet e nevojshme është duke hetuar rastin”, thotë për Express zëdhënësi i Policisë, Brahim Sadriu, duke sqaruar se tashmë ekzaminimet janë bërë. “Është marrë rezultati i autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, janë kryer ekzaminimet për pesë raste që janë hapur atje dhe gjithçka po kryhet në bashkëpunim me prokurorin përkatës”.
Fillimin e hetimeve në lidhje me këtë vrasje e ka konfirmuar edhe vetë EULEX-i, një ditë pas vrasjes së policit Enver Zymberi.

Duke u bazuar në legjislacionin relevant, ky mision, nëpërmjet një komunikate për media, është shprehur se ka nisur hetimet në tri incidente të ndryshme kriminale që kanë ndodhur më 26 korrik në veri të Kosovës.

”Ato kanë të bëjnë me vrasjen e një polici të Kosovë në fshatin Zupç, afër Zubin Potokut, tentim-vrasjen e zyrtarëve policorë të Kosovë me armë zjarri afër Zubin Potokut dhe shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm me një mjet shpërthyer të hedhur ndaj një konvoji të Policisë së Kosovë afër Mitrovicës, me ç’rast është plagosur një zyrtar i Policisë së Kosovës”, është shprehur EULEX’i. Hetimet, sipas tyre, po kryhen nga Task-Forca e Mitrovicës, që përfshin prokurorët nga Gjykata e Qarkut e Mitrovicës dhe Policia e EULEX-it.

Ndërmarrjen e masave të shpejta rreth rastit të policit të vrarë e ka paralajmëruar edhe ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi. Ai tha të shtunën, gjatë vizitës që bashkë me kryeministrin Hashim Thaçi i bënë familjes Zymberi, se ka indikacione të qarta për ata që e vranë Enverin dhe shumë shpejt do të ndërmerren masa. (Express)

Ndërkohë situata e sigurisë në veriun e Kosovës, gjatë natës që shkoi, ka qenë e qetë dhe kjo gjendje vazhdon ende, thonë zyrtarët e Policisë së Kosovës.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura