I zihet pritë pas ndeshjes, 4 plumba 33-vjeçarit Koka

Mar 31, 2012 | 14:03
SHPËRNDAJE
Vendi i ngjarjes

Vritet 33-vjeçari disa minuta pasi kishte dalë nga lokali ku po shikonte një ndeshje të Europa League. Gentian Koka, nga fshati Sallmone në Xhafzotaj, u gjend i vrarë në një kanal në lagjen “Baromet” nga një banor i zonës vetëm disa minuta pasi kishte dalë nga lokali. Sipas Policisë, fillimisht është dyshuar për vdekje e shkaktuar nga një atak kardiak, pasi si në vendin e ngjarjes, ashtu dhe në trupin e 33-vjeçarit nuk janë vërejtur shenja gjaku. Vetëm kur trupi i pajetë i të riut ka mbërritur në Morgun e Durrësit, mjekët konstatuan se vdekja kishte ardhur si pasojë e plagës së plumbit që e kishte marrë në gjoks. Policia tha se 33-vjeçari ishte person me precedentë dhe se disa vite më parë kishte vuajtur dënimin me 4 vite burg për “armëmbajtje pa leje”. Viktima ishte personazh i njohur për policinë, sidomos për atë të Shijakut. Dyshohet se pas daljes nga burgu ai ka kryer të tjera vepra penale si vjedhje, prishje të rendit e qetësisë dhe përdorim e shitje të lëndëve narkotike. Në vendin ku u gjet i vdekur 33-vjeçari mbërritën nga Shijaku e Durrësi dhjetëra policë e oficerë të krimeve, të cilët nisën menjëherë hetimet për zbardhjen e krimit. Duke marrë shkas nga e kaluara e viktimës, policia po heton në tri pista si më të mundshmet. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se ka dyshime se 33-vjeçari mund të jetë ekzekutuar për larje hesapesh, për ndonjë konflikt që mund të ketë pasur me ndonjë person si dhe pista e tretë, dhe më e rëndësishmja, së cilës policia i ka kushtuar më shumë vëmendje, është ajo e ndonjë sherri që Koka mund të ketë zhvilluar në kohën që ka qëndruar në lokal apo edhe para se të shkonte aty. Rreth 20 persona që dyshohet të kenë dijeni mbi ngjarjen janë shoqëruar, por ende nuk ka një autor të arrestuar. Ndër të shoqëruarit janë edhe persona që kanë qenë me viktimën duke parë ndeshjen. Ndërkohë, policia po kreh të gjithë zonën, pasi ka dyshime të forta se autori mund të jetë ndonjë bashkëfshatar i tij. Sipas ekspertëve, viktima mendohet se është qëlluar nga një distancë e afërt, rreth 30 metra. Plumbat kanë ardhur nga një banesë që është në ndërtim e sipër në anë të rrugës. Dyshohet se autori e ka pritur viktimën derisa të afrohej në një distancë të afërt dhe më pas ka qëlluar 4 herë në drejtim të tij me automatik. Agjentët e Policisë, të cilët kanë këqyrur vendin e ngjarjes, thanë se në banesën njëkatëshe nga ku viktima ka shkrehur automatikun u gjetën 4 gëzhoja, ndërkohë që në trupin e tij është konstatuar vetëm një plagë. Krimi ndodhi pak metra larg banesës së tij, por familjarët kanë pohuar se nuk kishin dëgjuar të shtëna. “Na thërritën dhe na thanë se Genti ishte i shtrirë në rrugë. Menduam se ishte në gjendje të fikëti dhe e dërguam për në spitalin e Durrësit. Aty mësuam se djali ishte qëlluar më armë zjarri dhe kishte vdekur”, pohuan të afërm të 33-vjeçarit. Ata kanë mohuar të kishin dijeni për ndonjë konflikt.

SHIJAK/ LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura