I ngacmoi gruan, vlonjati plagos në atentat 44-vjeçarin fierak

May 31, 2014 | 13:06
SHPËRNDAJE

Foto ilustruese
FIER – Qëllon për të vrarë në pritë 44-vjeçarin pas dyshimeve se kishte lidhje dashurie me bashkëshorten e tij. Policia e Fierit ka zbardhur detaje të atentatit të ndodhur mesnatën e së enjtes në rrugën nacionale Fier-Levan, ku mbeti i plagosur rëndë Petrit Muçaj. Ngjarja e rëndë u shënua në afërsi të vendit të quajtur karburanti “Veliaj”. Muçaj, banor i qytetit të Fierit, është qëlluar me një plumb në gjoks, ndërsa udhëtonte me makinën e tij. Aty është gjetur nga kalimtarë të rastit që i shkuan në ndihmë pasi dëgjuan të shtënën e armës së zjarrit. Atë e kanë shoqëruar në gjendje të rëndë në spitalin e Fierit, ku sipas mjekëve situata është kritike, pasi plumbi i ka hapur plagë të madhe në kraharor. Nga hetimet e kryera policia ka arritur të zbardhë arsyet e atentatit, duke e cilësuar për motive të dobëta. Burime të brendshme të Policisë thonë se autori i dyshuar është J.Hodaj, 41 vjeç, banues në Orikum të Vlorës. Ai është shpallur në kërkim nga Policia e Fierit. Sipas hetimeve të policisë, shkak është bërë dyshimet e të akuzuarit se i plagosuri ngacmonte të shoqen e tij. Për shkak të këtyre dyshimeve, policia po kërkon autorin e krimit, i cili pas arrestimit pritet të japë dëshminë e plotë për ngjarjen, deri në momentin që i plagosuri të kalojë gjendjen kritike. Ndaj Hodajt janë ngritur akuzat e “vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake e municionit”.                       m.r

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura