I moshuari dhunohet barbarisht me levë hekuri para Gjykatës në Vlorë

Jan 13, 2018 | 21:37
SHPËRNDAJE

VLORE – I moshuari dhunohet me levë hekuri, arrestohet në flagrancë agresori. Mentor Mustafaraj gjendet në Spitalin e Vlorës ku po mjekohet për një sërë frakturash në kokë dhe gjymtyrë, si pasojë e goditjeve të marra.

momentu i dhunes

E gjithë ngjarja e ndodhur pasditen e së mërkurës, është regjistruar nga një kamera sigurie ku tregohet momenti kur Elton Zotaj, 37 vjeç, banues në Vlorë, sulmon të moshuarin.

Sipas Policisë, gjithçka ka ndodhur për motive ende të paqarta, ndërsa 37- vjeçari u arrestua pak pas ngjarjes, me qëllim parandalimin e ndonjë ngjarjeje të rëndë kriminale pasi Zotaj ka shfaqur rrezikshmëri shoqërore duke e kanosur edhe herë të tjera 63- vjeçarin e dhunuar.

Në momentin e sulmit, në lagjen “Lef Sallata” të qytetit të Vlorës, pranë të moshuarit ndodheshin dhe disa persona të tjerë, të cilët i kanë ardhur në ndihmë. Vetë i moshuari, duke folur për ngjarjen, ka deklaruar se, gjithçka ka lidhje me çështje pronësie.

“Isha pranë Gjykatës së Vlorës, në momentin kur një person, i cili më pas është identifikuar si Elton Zotaj, më ka goditur me një levë fillimisht në trup dhe kokë. Mbaj mend që kam rënë në tokë, ndërsa në këtë moment, ky person më ka goditur sërish në trup edhe pse gjendesha i shtrirë në tokë. Kanë ndërhyrë disa persona, ndërsa autori është larguar. Më vonë kam mësuar se ishte i arrestuar nga Policia”, tregon Mustafaraji, i cili shton se për shkak të konflikteve pronësore, ka marrë kërcënime nga më të ndryshmet dhe për këtë gjë ka kërkuar dhe urdhër mbrojtjeje në gjykatë.

Nga goditja, 63- vjeçari shprehet se i është dëmtuar njëra këmbë.

“Jam dëmtuar plotësisht në këmbë, që e kam hedhur në allçi, por kam marrë plagë në kokë dhe hematoma në trup. Këtu në spitalin e Vlorës kam marrë ndihmën e parë mjekësore, por do të nisem drejt Tiranës për një ndihmë më të specializuar”, thotë ai.

Në fund, i moshuari i bën thirrje Policisë që të zbardhë të vërtetën duke e akuzuar për tjetërsim të ngjarjes. “Policia, me atë çfarë ka deklaruar në komunikatë, ka dashur ta zvogëlojë ngjarjen. Shpresoj që këta të fundit t’i shkojnë deri në fund ngjarjes dhe dënimit të autorit, pasi ndihem në rrezik për jetën time dhe të familjarëve të mi”, përfundon Mentor Mustafaraj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura