I dehur tentoi të përdhunonte nënën, 28-vjeçari kërkon falje në gjyq

Jan 31, 2014 | 12:30
SHPËRNDAJE

A.Miska dje në Gjykatën e Elbasanit
ELBASAN – Zbardhet në gjykatë ngjarja e rëndë, ku një 28-vjeçar u denoncua nga e ëma për përdhunim. Prokuroria e Elbasanit ka deklaruar dje se A. Miska, 28 vjeç, ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me të ëmën, por nuk ka mundur dot. Ky fakt konfirmohet dhe nga ekspertiza mjekoligjore. Ditën e djeshme Miska u përball me trupin gjykues, ku në një seancë me dyer të mbyllura ka pranuar akuzën, duke u shfaqur i penduar dhe ka kërkuar falje nënës për veprimin. Trupi gjykues, i kryesuar nga Daniela Shirka, ka lënë në fuqi kërkesën e akuzës, duke e lënë në burg 28-vjeçarin. Në gjykatë nuk ishte i pranishëm asnjë familjar i të riut. Burimet e Prokurorisë thanë se akuza që rëndon ndaj tij është ajo e “marrëdhënies seksuale me të rritura, si dhe brenda gjinisë”, e mbetur në tentativë. Arrestimi i Miskës u bë më 26 janar, në fshatin Dardhë të komunës Hotolisht të Librazhdit, pas denoncimit të së ëmës 54-vjeçare, sipas së cilës, i biri e kishte përdhunuar një natë më parë. Nga hetimet ka rezultuar se i riu është kthyer në mbrëmje në shtëpi dhe i ka kërkuar së ëmës që të dilnin jashtë për të diskutuar diçka. Aty ai e ka rrëmbyer me forcë të ëmën, madje dhe duke e zhveshur, por për shkak të gjendjes së dehur nuk ka arritur të çojë deri në fund qëllim ekstrem. “Fakti që veprimi ka mbetur në tentativë provohet edhe nga ekspertiza mjekoligjore, e cila në konkluzionet e saj pohon se nuk ka dhunë në trupin e kallëzueses dhe as shenja të kryerjes së marrëdhënieve seksuale”, pohon organi i akuzës. Vetë i riu ka pranuar që ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me të ëmën. Ai ka deklaruar se është penduar shumë për këtë veprim dhe i kërkon faljes nënës së tij.                                   m.s

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura