Humbja, PD nis zgjedhjet në degë

Aug 31, 2013 | 12:25
SHPËRNDAJE

Dje gjatë votimit për kreun e PD
Partia Demokratike do të nisë brenda pak ditësh procesin e zgjedhjeve në të gjitha degët dhe paralelisht do të bëhet edhe analiza e humbjes së 23 qershorit.
 Burime nga selia blu bëjnë të ditur për gazetën “Panorama” se ky proces pritet të mbyllet në muajin dhjetor, kur, sipas të gjitha gjasave, do të thirret edhe Kuvendi i ri Kombëtar, që do të vijojë punën me zgjedhjeve e strukturave drejtuese.
Degët
Pas rezultatit zhgënjyes në të gjithë vendin, asnjë prej degëve nuk do të qëndrojë jashtë procesit të ripërtëritjes, i cili do të nisë javën e ardhshme me seksionet dhe do të mbyllet me degët e mëdha. Në shumicën e këtyre degëve, krerëve aktualë u ka përfunduar mandati për shkak se ata janë zgjedhur në muajt e parë të vitit 2009, ndërkohë që edhe ata kryetarë që janë ende me mandat, do të kalojnë në proces votëbesimi për shkak të humbjes së thellë që mori Partia Demokratike në zgjedhjet e 23 qershorit. Procesi i ripërtëritjes së strukturave në rrethe mund të zgjasë për PD-në rreth tre muaj dhe pritet të përfundojë në muajin dhjetor. Parimi “një anëtar – një votë”, që u përdor për zgjedhjen e kryetarit të PD-së, pritet të shtrihet edhe në degë, ku secili anëtar do të zgjedhë në mënyrë individuale kandidatët e Kryesisë dhe jo me një listë kandidatësh të përcaktuar paraprakisht. Njëkohësisht me zgjedhjen e kryetarëve do të zgjidhen edhe delegatët që do të përfaqësojnë degët në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.
Lidershipi
Zyrtarisht Kuvendi Kombëtar ka mandat deri më 14 dhjetor, ditë kur katër vjet më parë ai u mblodh dhe zgjodhi kryetarin e Partisë Demokratike. Sipas Statutit të Partisë Demokratike, Kuvendi do të zgjedhë 100 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar. Pjesë e këtij forumi pa të drejtë vote, sipas kushtetutës së PD-së, janë edhe kryetarët e degëve të mëdha, deputetët dhe ish-drejtuesit kryesorë të partisë. Pas konstituimit, Këshilli mblidhet dhe zgjedh Kryesinë e re të PD-së. Ky forum i demokratëve është i përbërë nga 25 anëtarë dhe pjesë e tij bëhen automatikisht edhe zëdhënësi i partisë dhe kryetarja e Forumit të Gruas. Këshilli Kombëtar do të zgjedhë gjithashtu dy nënkryetarët e partisë dhe Sekretariatin. Përveç kryetarit të partisë dhe Kryesisë, postet e tjera nuk janë votuar prej tetë vitesh, ku për herë të fundit zgjedhje janë bërë në prill 2005. Lidhur me procesin e zgjedhjeve në PD, kryetari Lulzim Basha është shprehur se “strukturat drejtuese të PD-së do të angazhohen në një proces sipas parashikimeve statutore, që do të nisë në muajin shtator në të gjitha degët e PD-së. Një proces analize dhe përgatitjet për zgjedhjen e forumeve të degëve dhe që do të çojë në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar dhe zgjedhjen e Këshillit Kombëtar dhe Kryesisë së re në kohën e parashikuar në Statut. Dhe për këtë po bëhen hapat e parë të përgatitjes”.

Nënkryetari
Çështja e parë me të cilën do të përballet Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike në javën e parë të shtatorit është ajo e zgjedhjes së kryetarit të tij. Sipas Statutit të PD-së, kreu i Grupit Parlamentar është njëkohësisht edhe nënkryetar i partisë dhe ai zgjidhet nga Këshilli Kombëtar. Por nuk përjashtohet mundësia që ai të emërohet në shtator për të marrë votëbesimin në Këshillin e ri Kombëtar që do të mblidhet në dhjetor.

ADI SHKEMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura