Humbja e legjitimitetit të parisë së Tiranës

Mar 31, 2013 | 11:36
SHPËRNDAJE
Grid Rroji

GRID RROJI

Në një sistem demokratik zgjedhjet zhvillohen për të zgjedhur drejtuesit e shtetit dhe për të legjitimuar sistemin politik. Thënë thjesht, çdokush që kontrollon aparatin shtetëror duhet të jetë i pranueshëm nga masa e qytetarëve. Ndërsa mbreti, konti, beu apo prelati e merrnin legjitimitetin nga titulli dhe tradita, sistemi demokratik ia jep këtë atribut votës së lirë të popullit. Pra, legjitimiteti i klasës drejtuese të një vendi është element kyç për mbijetesën dhe mirëfunksionimin e një sistemi politik. Më anë tjetër, përfaqësimi i interesave të popullit nga klasa politike është një domosdoshmëri për një demokraci funksionale. Paria e Tiranës përballet gjatë këtyre zgjedhjeve me problemin e humbjes së dukshme të legjitimitetit. Qytetari shqiptar tashmë është ndërgjegjësuar për modelin oligarkiko- kleptokratik aktual, të cilin paria jo vetëm e ka krijuar, por na e ka paraqitur si të vetmin të mundshëm.qw ka krijuar dhe prezantuar si tw pazwvendwsueshwm. Edhe pse palët kujdesen për ta veshur realitetin sundimin e tyre hajnor me propagandën e integrimit europian, ky model ka rezultuar qartësisht i dështuar në sytë e popullit. Qeveria tashmë ka mbetur keq edhe për premtime që të tingëllojnë realiste. Më anë tjetër, kauza rrotacionale e opozitës synon thjesht ndryshimin e timonierit dhe jo ndryshimin e kursit. Asnjëra palë nuk mundet e nuk ka dëshirë të dalë nga kjo rrugë. Si pasojë, edhe sistemi i mbajtur nga këto themele është i destinuar të rrëzohet. Nga pikëpamja politike shkalla e pranueshmërisë së sistemit nga qytetari është në varësi të 1) afërsisë ideologjike me njërën nga palët politike; 2) mirëqenies ekonomike të krijuar dhe 3)aftësisë dhe vullnetit të politikës për t’iu përgjigjur halleve të qytetarit. Mirëpo, megjithëse në dukje PD dhe PS kërkojnë të shfaqen të ndryshme, dallimet mes tyre në këto tri aspekte nuk janë thelbësore. Dallimet ideologjike mes palëve gjatë tranzicionit kanë qenë të papërfillshme. Të dyja përqafuan sistemin oligarkik të stilit “në mos rrjedhë, do pikojë”, ku shteti ishte lopa e pasurimit të tyre. Pavarësisht se media i ndan në të djathta e të majta, në Shqipëri nuk ka dallime ideologjike mes palëve. Të gjithë kërkojnë të vjedhin shtetin dhe shqiptarët. Pra, partitë nuk e tërheqin elektoratin me anë të ideologjisë, por të favoreve për klane të caktuara. Si pasojë, shkalla e legjitimitetit të tyre varet nga aftësia që kanë për t’u shpërndarë favore klaneve mbështetëse. Nga pikëpamja ekonomike, askush nuk e mohon më krizën e thellë që ka kapluar vendin. Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë rritjen e deficitit tregtar, uljen e normës së interesit deri në limitet historike (3.5 %), rritjen e kredive të këqija dhe ngadalësimin e rritjes ekonomike. Banka Botërore dhe FMN-ja kanë paralajmëruar se rritja e borxhit ka mbërritur në nivele alarmante. Të gjitha këto janë simptoma që do të krijonin pështjellim tek ekonomistët dhe elitat e përgjegjshme, ndërsa politika shqiptare merret me batuta mejhanesh për kollaret apo bejte të recituara me patetizëm. Korrupsioni galopant ka arritur në nivelin ku secila palë i ka dosjet e tjetrës dhe tashmë ato nuk mund ta prekin njëra-tjetrën përveçse me sharje në media apo arrestime flluskë. Por, ç’është më e rëndësishmja, ekonomia shqiptare nuk ka kurrfarë identiteti. Secila palë u shërben interesave ekonomikë të klaneve përkatëse. Pra, politika nuk interesohet për qytetarin apo interesat e tij, por për klanet kriminale që e mbështesin. Ndaj edhe lidhja e tyre me popullin është zero. Rrjedhimisht, edhe aftësia e palëve të parisë për t’iu përgjigjur halleve të popullit është jo ekzistuese. Mungesa e shtresëzimit shoqëror, shthurja hipermaterialiste e shoqërisë dhe klanizimi i tejskajshëm janë pasojat e modelit “o Mete për vete” të imponuar nga paria. Siç dëshmon edhe sondazhi i fundit i fondacionit “Shoqëria e Hapur”, rreth gjysma e popullsisë nuk e identifikon veten me asnjërën nga partitë. Kjo është një tjetër dëshmi e ndërgjegjësimit të qytetarit se paria punon për vete. Duhet theksuar se i njëjti arsyetim vlen për partitë e vogla, me etalon LSI-në, të cilat ka kohë që kanë braktisur çdo përpjekje për t’u dukur ideologjike apo në shërbim të qytetarit. Ato janë thjesht parcela të drejtuesve të tyre, të cilat i shërbejnë klanit përkatës për t’u pasuruar. Lëvizjet e shpeshta nga njëri koalicion te tjetri dhe gjobat që ato u vendosin partive të mëdha për të marrë thela pushteti janë dëshmi e qartë e urisë së tyre klanore për të kapur sa më shumë. Nuk është e rastit që sipas statistikave në tri zgjedhjet e fundit kanë garuar 88 parti, shumica dërrmuese e të cilave pa elektorat të mirëfilltë. Si pasojë, paria e Tiranës e gjen veten në një udhëkryq të rrezikshëm e, në gjykimin tim, të pazgjidhshëm në këto zgjedhje. Ndonëse në dukje sistemi është konsoliduar dhe palët i kanë frenat e tij në dorë, në sytë e qytetarëve ata janë veç një bandë hajdutësh e halabakësh që zirenditen e puthen natën. Qytetari nuk identifikohet as me interesat e as mënyrën e sjelljes së parisë. Në afatin e shkurtër, kjo e favorizon parinë. Siç duket nga sondazhi, shumëkush nuk do të marrë mundimin të votojë në këto zgjedhje, por palët e kanë bërë marrëveshjen mes tyre. Ata që do dalin në votime, kanë interesa të qarta me palët. Për ta kjo është luftë për jetë a vdekje, sepse nga ajo varet ndarja e tortës për katër vitet e ardhshme dhe përfitimi i tyre. Por, interesat e këtyre klaneve lokale jo domosdoshmërisht janë të përputhshme me ato të parisë sepse, siç u tha më sipër, tashmë torta e favoreve është zvogëluar së tepërmi dhe nuk ka për të gjithë. Kur disa prej klaneve lokale të mbeten pa kockë, ato do t’i kundërvihen parisë, siç ka filluar të ndihet me kërkesat për të qenë në listat e deputetëve. Pra, shqiptarët janë të ndërgjegjshëm që vota e tyre është në dorën e parisë dhe ndërmjet palëve të saj nuk ka kurrfarë dallimi. Jo më kot miqtë ndërkombëtarë po investohen fuqimisht për t’ia bërë të qartë parisë se nuk mund të veprojë më siç ka bërë më parë me zgjedhjet. Mirëpo, problemi më i madh për parinë është se, kushdo që do të qeverisë pas zgjedhjeve, nuk do fitojë kurrfarë legjitimiteti prej tyre. Duke qenë se ekonomia është në rënie pikiatë dhe torta e pushtetit është zvogëluar shumë, askush nuk do të jetë në gjendje të përballojë krizën që po vjen duke shpërndarë favore. Thjesht nuk do ketë mjaftueshëm për të gjithë. Në të vërtetë, kriza do ta arrijë pikun në momentin që një masë e madhe emigrantësh do të vijojnë kthimin nga Greqia dhe Italia dhe do të përballen me gjendjen e rënduar. Kësisoj, pasi të kenë ngrënë për disa kohë nga kursimet, qytetarët do të ndërgjegjësohen se sistemi politik nuk është në shërbim të tyre, politika u ka vjedhur fëmijëve të tyre mundësinë e një të ardhmeje me nder në vendin e vet dhe, më e rëndësishmja, ata do heqin çdo dyshim se paria e urren popullin e vet. E atëherë nuk do ketë asnjë rrugë tjetër përveç përplasjes me parinë, për të mundësuar një fillim të ri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura