Hoxhaj: Zgjedhjet serbe në Kosovë, me pasoja të rënda

Mar 31, 2012 | 13:48
SHPËRNDAJE

Enver Hoxhaj, ministri i Jashtëm i Kosovës

Romë/ Ministri i Jashtëm i Kosovës paralajmëron rrezikun e sigurisë në rajon.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar në Romë se mbajtja e zgjedhjeve serbe në Veri përbën rrezik për stabilitetin e sigurinë në të gjithë rajonin. Në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Ansamed”, Hoxhaj theksoi se përpjekjet e Beogradit paraqesin një shkelje flagrante të sovranitetit të Kosovës dhe se qeveria e Kosovës do të përdorë të gjitha mjetet ligjore që ka në dispozicion për t’i ndaluar ato.
“Vendimi i Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve legjislative e komunale më 6 maj edhe në territorin e Kosovës përfaqëson një shkelje flagrante të sovranitetit tonë dhe për t’i penguar ato, do të përdorim të gjitha mjetet ligjore që kemi në dispozicion, pasi është në pikëpyetje siguria e të gjithë rajonit”, tha Hoxhaj për agjencinë italiane të lajmeve. Nëse këto zgjedhje do të mbaheshin qoftë edhe në Veri të Kosovës, Hoxhaj ka paralajmëruar pasoja të rënda afatshkurtra, por edhe afatgjata. “Sjellja e Serbisë është anti-europiane dhe paragjykon integrimin e serbëve që jetojnë në zonën veriore të vendit tonë”, deklaroi ai. Hoxhaj shtoi se Kosova do të zbatojë ligje të rëndësishme në temën e integrimit të minoriteteve dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre, por edhe ligje për zhvillim ekonomik dhe social. Ai ka veçuar rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së Italisë në avancimin e shpejtë të perspektivës europiane të Kosovës, duke nisur nga realizimi i studimit të fizibilitetit, si hapi i parë drejt marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë.

Limaj në gjykim
Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka vendosur të lërë sërish në gjykim Fatmir Limajn dhe tre ish-luftëtarë të tjerë në rastin “Kleçka”, duke vendosur përfundimisht të lirojë vetëm gjashtë prej tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura