“Hoxha, bos me 39 milionë e 3 dyqane”

May 31, 2014 | 12:15
SHPËRNDAJE

Dokumenti bankar, ku Hoxha ka marrë 170 mijë lekë
Ministri i Mirëqenies Sociale hap letrat për kryetarin e grevës së ish-të përndjekurve, Fatmir Hoxha.

Veliaj: Nëna i ka qenë 9 muaj dhe ka marrë 19 milionë lekë.

“Drejtuesi i grevës së të ish-të përndjekurve politikë, Fatmir Hoxha, nuk ka bërë asnjë ditë burg, por edhe e ëma që ka kryer 9 muaj burgim, është dëmshpërblyer me 19 milionë lekë”.
 
Kështu deklaroi dje ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, teksa shpërndau këstin e parë për 80 të ish-të burgosur politikë, që nuk kanë marrë asnjëherë dëmshpërblim. “Fatmir Hoxha nuk ka bërë burg, ndërsa nëna e tij po. Ajo ka bërë 9 muaj burg dhe ka marrë për 9 muaj të dyja këstet, 19 milionë lekë. Në vend që t’i merrte me 8 këste, e ka marrë me 2 këste, se kishte lidhje me pushtetarët e vjetër. Daja i tij, Skënder Xhemal Kulla, i ka marrë 20 milionë lekë me 2 këste. I qëndroj asaj që thashë dje, që jo vetëm nuk negocioj me dikë që nuk ka bërë burg, por kanë marrë 39 milionë lekë me dy këste. Fatmir Hoxha ka marrë 3 dyqane dhe ka një kallëzim penal nga Kurt Kola. Këtu është dokumenti, ku kërkohet pushimi nga detyra i Fatmir Hoxhës. Ky person jo vetëm po merr pronat në emër të të përndjekurve, por ka edhe një procedim penal për vjedhjen e pronave në emër të tyre”, theksoi Veliaj, ndërsa në dorë mbante një letër, që nuk e bëri publike për mediat. “Bëj thirrje për një Shqipëri solidare, të atyre që vërtet kanë vuajtur dhe jo si ky (Hoxha) që për 8 vjet e kishin mundësi ta zgjidhnin këtë punë, por nuk bënë. Unë do vazhdoj të insistoj që lekët do t’i marrin ata që s’kanë marrë asnjë qindarkë. Nuk merrem me bosat me 39 milionë lekë cash me zyrë dhe dyqane. Le të rrijë në grevë Fatmir Hoxha”, tha ministri Veliaj. “Ne nuk mund të jemi shoqëri me kanibalizëm social, ku ca marrin 3 këste dhe ca akoma nuk kanë marrë asgjë”, shtoi ministri. Menjëherë ka reaguar Fatmir Hoxha. “Dëmshpërblimi që ka marrë nëna ime është vetëm 1 milion e shtatëqind mijë lekë të vjetër”, tha Hoxha, teksa tregoi një dokument banke, ku shkruhej shuma në fjalë. Madje, sipas tij, për të bërë shaka me nënën, e cila ishte çuditur për shumën e vogël, djemtë i kanë shkruar “euro” në fund të dokumentit. Sipas tij, ministri gabon kur quan të përndjekur vetëm ata që janë pushkatuar apo kanë bërë 25 vjet burg, ndërsa të tjerët as që i përfill. “Edhe ata që kanë qenë në hetuesi, edhe ata që janë dëbuar, edhe ata që janë internuar, janë të përndjekur politikë. Veliaj të mos tallet me shtresën tonë, por të përshpejtojë dhënien e kësteve, t’i rrisë në vlerë këstet, të hapë dosjet e komunizmit, të gjejë eshtrat e atyre të pushkatuarve etj.”, tha Hoxha. Ndërkaq, ai është dërguar në spital në mbrëmje vonë, pasi ka probleme shëndetësore.

ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura