Holanda, nga ferri në parajsë në pesë minuta

Jun 30, 2014 | 13:47
SHPËRNDAJE

Forca e dëshpërimit kualifikon Holandën në çerekfinalet e Botërorit “Brazil 2014”.
Në “Kastelao” të Fortalecas, portokallinjtë shtrydhen mirë nga një Meksikë thuajse perfekte për më shumë se një orë. Pastaj kur gjithçka dukej e pashpresë, përmbysin rezultatin dhe presin biletën, atë që meksikanët ëndërronin se e kishin prekur me të dyja duart deri në minutën e 88-të. Në fund, “tulipanët” e Luis van Galit mundin 2-1 skuadrën e Migel Herrerës. Europianët e nisin të kujdesshëm ndeshjen dhe pastaj paguajnë, ndoshta edhe prej humbjes së De Jongut, i cili dëmtohet pas vetëm 10 minutash lojë. Pa muskujt dhe grintën e shkatërruesit të Milanit, mesfusha holandeze nis të fusë ujë nga të gjitha anët. Në pjesën e parë, Holanda është vetëm kur Robeni tenton të driblojë në zonë dhe rrëzohet nga Markezi dhe Moreno. Arbitri vijon lojën, edhe pse ishim në limitet e penalltisë. Në pjesën e dytë, Holanda duket se e ka kokën ende në dhomat e zhveshjes dhe Xhovani dos Santos i ndëshkon me një të majtë të hidhur, që zë në befasi Silesenin (jo i pozicionuar mirë). Pas këtij momenti zgjohet Holanda dhe nga aty nis dialogu mes Oçoas dhe lojtarëve të Van Galit. Pas shumë rastesh, duhej të vinte minuta e 88-të e ndeshjes, teksa goditja e radhës nga këndi e “Oranje”, e 10-ta për të qenë të saktë, bën të rrëzohet muri i ndërtuar mbi vijën e mbrojtjes meksikane: Shnajder shfrytëzon më së miri një spond nga thellësia e Huntelarit, dhe e djathta që kalibron përfundon në rrjetë. Në shtesë, Roben pengohet në zonë nga Markez dhe Proença kësaj radhe vërshëllen. Nga 11 metrat, shfaqet vetëm një nga ata që deri dje ishte thjesht një foto e albumit të Van Galit, por që tani do nisë të konsiderohet një hero kombëtar: Huntelar dërgon Oçoan në krahun e kundërt dhe Holandës brenda 5 minutave i kalon ferri dhe parajsa përpara syve.

Holandë – Meksikë 2-1
Golat: Shnajder 88’, Huntelar 90+4’ (p)/ Dos Santos 48’
Holanda: Silesen, De Vrij, Vlar, Blind, Verhaeg (Depaj 56’), Kajt, De Jong (Martins Indi 9’), Vijnaldum, Shnajder, Roben, Van Persi (Huntelar 76’). Trajner: Luis Van Gal
Meksika: Oçoa, Rodrigez, Markez, Moreno (Rejes 46’), Aguilar, Lajun, Salsido, Herrera, Guardado, Dos Santos (Akuinjo 61’), Peralta (Hernandez 75’). Trajner: Migel Herrera
Arbitër: Pedro Proencca (Portugali)
Kartonë të verdhë: Aguilar 69’, Markez 92’, Guardado 93’

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura