Historike, Shqipëria e femrave mund Greqinë

Oct 31, 2013 | 14:14
SHPËRNDAJE

Kombëtarja shqiptare e femrave shkruan historinë e vet, teksa fitoi dje në “Niko Dovana” të Durrësit ndaj homologes greke. Eurogoli i Fortuna Velajt i dhuroi trepikëshin ekipit tonë, duke e larguar edhe nga vendi i fundit në klasifikim. Ndeshja e zhvilluar në kuadër të eliminatoreve të botërorit “Kanada 2015” dhuroi mjaft emocione, duke qenë se në fushë të dyja ekipet e kërkuan maksimalisht fitoren. Pritej që në fillim që takimi të ishte shumë i luftuar për vetë nivelin e përafërt që kanë të dy kombëtaret. Ajo që ia shton edhe më shumë rëndësinë kësaj fitoreje, është fakti se ishte e para në këto eliminatore për përfaqësuesen tonë. Përveçse ishte fitorja e parë, ishte edhe goli i vetëm i vajzave kuqezi në 4 ndeshjet e luajtura deri tani. Starti i takimit ishte disi më i mirë për greket, të cilat ushtrojnë presion të vazhdueshëm dhe përparojnë drejt gjysmëfushës sonë. Mirëpo kjo nuk zgjat shumë, pasi përfaqësuesja shqiptare fillon e kthjellohet në lojën e saj, duke fituar gjithnjë e më shumë terren ndaj kundërshtarit. Rasti i parë i rrezikshëm u përket heleneve, por gjuajtja e Mitokut përfundon mbi katërkëndëshin e mbrojtur nga portierja Gjyli. Vetëm 2 minuta më vonë kundërpërgjigjet Shqipëria me anë të Velajt. Gjuajtja në formë krosi për pak sa nuk përfundon në rrjetën greke. Është e njëjta autore që godet sërish në minutën e 11-të, por gjen në gatishmëri portieren greke. Minuta e 33-të sjell edhe rastin më të pastër për përfaqësuesen shqiptare: një asist i shkëlqyer i kapitenes Seranaj e nxjerr vetëm për vetëm me portieren greke Berishën. Gjuajtja në formë parabole nga rreth 20 metra përfundon ngjitur me traun e majtë të portës helene. Pjesa e parë do të mbyllej me një tjetër rast të pastër për Shqipërinë. Govori godet bukur me kokë, por topi përfundon ngjitur me traversën. Me fillimin e pjesës së dytë janë sërish greket që kërkojnë të rrisin presionin drejt mbrojtjes shqiptare. Mirëpo në këto momente vjen edhe kthesa. Fortuna Velaj kontrollon mirë një top nga e majta, driblon një kundërshtare, godet mjeshtërisht me të djathtën dhe topi përfundon në trekëndëshin e portës. Goli ndikon pozitivisht te vajzat shqiptare, loja e të cilave bëhet edhe më e qartë. Mirëpo me këtë rezultat nuk pajtohen greket, të cilat ashtu si edhe shqiptaret u futën në fushë për të dalë me tri pikë. Në minutën e 62 Adanaki godet nga distanca, por gjen të gatshme portieren Gjyli, e cila grushton dhe largon rreziku. Është sërish e njëjta autore që provon nga i njëjti pozicion, por sërish gardiania e portës shqiptare nuk lejon të preket rrjeta. Në minutat në vijim, loja e heleneve kalon disi në nervozizëm, duke i dhënë mundësi përfaqësueses sonë të krijojë edhe disa mundësi të tjera shënimi. Rasti më i pastër për të dyfishuar shifrat vjen 8 minuta nga fundi: Velaj me një lëvizje të bukur në kufijtë e zonës nxjerr vetëm për vetëm Jasharin e cila godet, por mbrojtja greke largon rrezikun. Deri në vërshëllimën e fundit nuk ka më raste për t’u shënuar. Fitore dhe shpërthen festa te vajzat e kombëtares, të cilat e vijuan festën edhe në dhomat e zhveshjes.

Shqipëri-Greqi    1-0
Goli: Velaj 51’
Shqipëria: Gjyli, Proto, Rrahmani, Govori, Gjini, Luta (Preçi 90+3’), Seranaj, Velaj, Robeli (Baro 46’), Berisha (Jashari 77’), Morina. Trajner: Altin Rraklli
Greqia: Apostolaki, Adamaki (Kolia 87’), Çatzigianidu, Kakanpuki, Kongouli, Kudonaki, Mihalakidi (Vlasiadou 59’), Mitkou, Panteliadou, Papadopoulou (Lumperakaki 79’), Sidira. Trajner: Evangelos Koutsakis
Kartonë të verdhë: Berisha, Morina, Govori/ Papadopoulou, Sidira, Vlasiadou, Adamaki
Gjyqtare:
Anxhelia Sinagova/ G.Vidova dhe E.Marinova (Bullgari)

Altin Rraklli
“Jam jashtëzakonisht i lumtur për këtë fitore. Ky ka qenë edhe një ndër objektivat tanë. Donim me patjetër ta fitonim një ndeshje, të paktën në fushën tonë. Dihet se ekipet e grupit tonë janë shumë më me eksperiencë se ne dhe kjo ia shton edhe më shumë vlerën kësaj fitoreje. Për më tepër kemi lënë edhe vendin e fundit, që është me mjaft rëndësi për ne. Ndeshjen e kishim vlerësuar, sepse Greqinë e shihnim si rival direkt”, tha trajneri ynë.

Koutsakis
Trajneri grek, Koutsakis, u shpreh se Shqipëria e meritoi fitoren dhe se ky ishte rezultati më i drejtë i takimit. “Ishte një ndeshje e bukur nga të dyja ekipet. Shqipëria e meritoi fitoren, nuk është se i falëm gjë ne. E patëm vlerësuar shumë si takim, sepse donim të merrnim maksimumin e pikëve, por nuk mundëm. Dua të përgëzoj edhe autoren e golit të mrekullueshëm. Mbrojtja jonë nuk mund të bënte asgjë në atë rast”, tha tekniku grek.

Fortuna Velaj
“Jam shumë e kënaqur për këtë fitore. Më shumë gëzohem prej faktit që morëm tri pikët sesa prej golit që shënova. Kjo ishte shumë e rëndësishme për ne, sepse nuk jemi më të fundit në grup. Kemi pasur disa ndeshje me ekipe shumë të forta deri më tani dhe kjo fitore me Greqinë na e rrit shumë besimin në vete. Ne jemi të vetëdijshëm se kemi një grup shumë të vështirë me skuadra shumë të forta, por ne duhet të përpiqemi të bëjmë më të mirën në çdo ndeshje”.

Arrestohen 2 tifozë, shkak flamuri i UÇK
Të pranishëm në shkallët e stadiumit “Niko Dovana” ishin edhe grupi i organizuar i tifozëve “Tifozat Kuq e Zi”. Ashtu siç e kanë zakon tifozët kuqezi, për disa minuta vijuan të mbështesin përfaqësuesen me brohoritje dhe duartrokitje. Gjatë kohës që në sfond po këndohej himni grek, tifozët vërshëllenin vazhdimisht. Mirëpo nuk ishte ky momenti i konfrontimit me forcat e rendit. Përplasja erdhi pasi disa prej tifozëve shpalosën një bluzë që përmbante inicialet e UÇK-së. Kjo nuk u tolerua nga forcat e rendit, të cilët pikasën disa prej tifozëve dhe i nxorën jashtë stadiumit. Kjo nuk u pranua nga pjesa tjetër e tifogrupit, të cilët në shenjë proteste bojkotuan stadiumin. Dy prej tifozëve u shoqëruan edhe në rajonin e Policisë Durrës, ku pas rreth 20 minutash u lanë të lirë.

LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura