Historia, si i vodhi sekretet e NATO-s spiuni i Enverit

Sep 23, 2014 | 13:34
SHPËRNDAJE

Shemsi Aliaj në kohën kur punonte në Romë
Oficeri i Zbulimit Ushtarak veproi në Itali në vitet 1949-1954

Historia misterioze e Shemsi Aliajt, 007 shqiptar më i mirë i të gjitha kohërave

Në gusht të vitit 1949, në aeroportin e Çiampino të Romës mbërriti një pjesë e stafit të Ambasadës Shqiptare në Itali. Mes të tjerëve, bashkë me të shoqen dhe vajzën e mitur, duke formësuar një pamje të paqtë e familjare, ishte edhe sekretari i dytë i Ambasadës, Shemsi Beqir Aliaj.
   I maskuar nën një detyrë diplomatike, sipas stilit të organizimit të shteteve të bllokut komunist të Lindjes, Shemsi Aliaj, një oficer i Drejtorisë së Dytë, apo i sektorit të Zbulimit të Ushtrisë shqiptare, ishte ngarkuar të drejtonte agjenturën shqiptare në Itali.
Pak vite pas marrjes së pushtetit, i sapondarë nga jugosllavët, të cilët do t’i konceptonte me tmerr deri në fund të jetës, por edhe i tronditur nga zhvillimet e Luftës Civile në Greqi, duket Enver Hoxhës i ishte mbushur mendja se, nëse Shqipëria komuniste do të sulmohej, atëherë e keqja do të vinte ose nga kufiri me Greqinë, ku ndërkohë ishin shënuar edhe disa provokime, ose sërish nga brigjet italiane, si në vitin, jo shumë të largët, 1939.

SHEMSI ALIAJ ME FAMILJEN NE ROME
Këtu ishte ngjizur ideja e dërgimit të një spiuni të zotë në Itali.
Urdhri i Enver Hoxhës ishte gati ultimativ. Ai thoshte se, në Itali, zbuluesi shqiptar duhet të investohej, të fuste mendjen në punë dhe të lëvizte të gjithë gurët për të pasur vetëm një rezultat: Të arrinte medoemos të lajmëronte, të paktën 24 orë përpara, nisjen e ndonjë invazioni ushtarak pushtues nga brigjet italiane.
Pikërisht nga këto bindje nisi edhe aventura gati e panjohur, por edhe krejt e pabesueshme e Shemsi Aliajt në Itali. I konsideruar nga njohësit dhe kolegët si “Riçard Sorge” shqiptar, ai vërtetohet të ketë qenë një nga mjeshtrit më të mëdhenj të rekrutimit të bashkëpunëtorëve. Herë me anë të avujve të alkoolit, herë duke paguar të holla, dhe herë duke u ndenjur pranë femrave nga më të famshmet, llogaritet se në Itali, në pak kohë, ai arriti të kishte përmbi 15 informatorë, kryesisht në radhët e Ushtrisë e Policisë italiane. Ndërsa rezultatet e punës vërtetohet të kenë qenë edhe më të pabesueshme. Pas një apo dy vitesh aktivitet, Shemsi Aliaj do të shtinte në duar një shumicë sekretesh të Ushtrisë italiane, dhe bashkë me to, edhe sekrete të Paktit të Atlantikut Verior, apo NATOs. Këto të dytat ishin informacione të një niveli që kapërcente interesat e shtetit shqiptar të kohës. Kështu që, materialet, me të mbërritur në Tiranë, pothuaj të gjitha, dërgoheshin me urgjencë në Moskë, në selinë qendrore të Shërbimit Sekret Sovjetik.

(Dossierin e plote e lexoni sot ne gazeten Panorama)

FERDINAND DERVISHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura