HIstoria/ Hakmarrja që solli vrasjen e të ‘fortit’ të Tiranës, Naim Zyberin në Itali

Feb 19, 2019 | 21:09
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Në vitet ’90-92′, “ligjin” në Tiranë, të paktën në zonën e Stacionit të Trenit e deri tek ish-Fusha e Druve, e bënin dy grupime djemsh, që në atë kohë njiheshin si “Djemtë e Rrugës Bardhyl” dhe “Djemtë e Trenit të Vjetër”.

GERD GJENERALI (GJINARARI ) dhe Naim Zyberi
GERD GJENERALI (GJINARARI ) dhe Naim Zyberi

Të parët udhëhiqeshin nga Gazmend Muça, ndërsa grupi tjetër nga Naim Zyberi. Por ndryshe nga “trimëritë” e atëhershme, që shkonin deri në vendosjen e ndonjë gjobe ndaj tregtarëve të vegjël, pas pak vitesh kohët ndryshuan, po ashtu edhe “trimëritë”.

Tregu i drogës ishte më fitimprurësi dhe çdo ditë e më shumë bëhej edhe më i lakmuar nga “gangsterët” e atyre viteve. Për një periudhë ata ranë në qetësi, pasi nuk kishin më kohë për konflikte me njëri-tjetrin. Pasi disa prej tyre prekën Italinë, kuptuan se aty kishte vend për të gjithë. Por pas kësaj qetësie, nisi një serial i ri i përgjakshëm, shkak për të cilin u bë dyshimi se dikush prej tyre ishte spiun i Policisë.

Nisën të qarkullojnë fjalë sikur një efektiv Policie, kishte thënë se Ardian Spahiu i njohur si Ad Topalli, mik i ngushtë i Naim Zyberit, ishte informator i strukturave të rendit. Kjo vuri në lëvizje një tjetër grup, ku bënte pjesë Fatmir Rama apo i njohur si Miri i Xhikes, kushëriri i tij Artur Grori dhe disa shokë të tyre. Në një atentat që i bëhet Ad Topallit, ku ai mbetet i vrarë, plagoset edhe Miri i Xhikes. Por pas kësaj ngjarje, rezultoi se informacioni sikur Ad Topalli ishte spiun i Policisë, ishte i pavërtetë. Më saktë, ishte përdorur që bandat të shkatërronin njëra-tjetrën.

HAKMARRJA

Në vitin 1997, pas vrasjes se Ad Topallit, objektivi për Naim Zyberin ishte Fatmir Rama. Por kur Zyberi shkon dhe troket në shtëpinë e tij, i shoqëruar nga një mik i tij, derën e hap Artur Grori. Ata i thanë se kërkonin Mirin e Xhikes, por ai u thotë se nuk ishte në shtëpi. Naim Zyberi me shokun e tij nisen për të ikur, por kthehen sërish, duke menduar se Grori do e lajmëronte Fatmir Ramën. Në këtë mënyrë, ata e qëllojnë disa herë me armë, duke e lënë të vrarë dhe largohen. Pak ditë më pas, vëllai i vetëm i Artur Grorit, Arbeni, i dënuar me burg të përjetshëm, dyshohet se qëllon mbi një të ri, pasi ishte pjesëmarrës në vrasjen e Arturit. Megjithatë, ai nuk do të hiqte dorë, derisa të ekzekutonte Naim Zyberin. Zyberi shkon në Milano, aty ku ndodhej edhe Arben Grori. Duket se ata po kërkonin njëri-tjetrin. Në një bar në Torino, Grori pikas Naim Zyberin dhe aty pati një shkëmbim zjarri mes tyre. Zyberi plagoset rëndë dhe për këtë arsye iu desh të qëndronte i shtruar në spital për disa kohë. Ndërsa Grori mendohet se kishte marrë disa plumba shkarazi në trup.

VRASJA E ZYBERIT

Pas kësaj ngjarjeje, Policia italiane e dërgon Naim Zyberin në spitalin “San Paolo” ku ruhej nga dy efektivë. Ka disa versione për ekzekutimin e Zyberit. Sipas të dhënave, dyshohet se ekzekutori ishte veshur si infermier, ndërsa bashkëpunëtori i tij mbante një tufë me lule, ku ishte fshehur pistoleta. Pasi janë futur në dhomën ku qëndronte Zyberi, ka shkrehur pesë plumba mbi të me pistoletë me silenciator. Efektivët e Policisë nuk ndien asnjë zhurme, pasi përveçse arma kishte silenciator, para grykës ishte vendosur edhe një jastëk, duke shuar akoma më shumë zhurmën e armës.

Pasi dalin nga dhoma, autori hedh në koshin e mbeturinave dorashkat plastike. Askush nuk kuptoi asgjë, por më pas karabinierët panë që Naim Zyberi ishte vrarë nën hundën e tyre. Në dorashkat plastike që u gjeten në kosh, Policia fiksoi gjurmë gishtash dhe kampion djerse që pas analizave të ADN-së rezultoi se i përkisnin Arben Grorit. Ndërsa gjatë kryerjes së krimit ishte ndihmuar nga miku i tij, Gerd Gjenerali.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura