Historia e Operës në arkiv, si i shndërruan donzhuanët në komisarë

Mar 12, 2013 | 13:47
SHPËRNDAJE
Zamir Këlliçi në arkivin e TKOB-së

Teatri i Operës dhe Baletit feston 60-vjetorin e krijimit.

Prerja si me thikë në vitin 1966, pas shfaqjes kineze, klasikët botërorë u zëvendësuan me operetat vendëse.

Zamir Këlliçi i mat vitet e punës në arkiv me moshën e dy fëmijëve të tij. Plot 30 vjet. Prej më pak se tre muajsh ka dalë në pension, por këmbët e çojnë sërish drejt godinës hijerëndë të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, tek ajo zyra e ngushtë, plot dosje, që sheh nga shatërvani. Sigurisht, nuk mund ta lërë punën ashtu. Duhet t’i tregojë më parë punonjëses që do ta zëvendësojnë sekretet e arkivit. “Qenka i rëndë pensioni, nuk ma merrte mendja… Se si më duket…”, thotë Zamiri, që vazhdon ende, si për inerci të plotësojë dosjet e veprave dhe të artistëve. Për 30 vjet Zamir Këlliçi ka mbajtur në këmbë arkivin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe 60 vitet e jetës së këtij institucioni janë ruajtur me fanatizëm mes dosjesh.
Ky vit artistik në TKOB do t’i kushtohet më së shumti 60-vjetorit të këtij institucioni. Aktivitete të shumta pritet që të zhvillohen me këtë rast. Por, më shumë se çdo dëshmi tjetër, për jetën e këtij institucioni të rëndësishëm flet pikërisht arkivi. Duke kaluar nga njëri vit në tjetrin, nga njëri titull në një tjetër, kupton të gjitha ulje-ngritjet dhe dallgët që ka kaluar ky institucion. “Është e rrallë që një vend kaq i vogël sa Shqipëria të ketë një teatër opere dhe baleti, shumë vende të tjera nuk e kanë një të tillë. Por, nga ana tjetër, është edhe tipike e vendeve ish-komuniste. Enver Hoxha donte që të tregonte se Shqipëria mund t’i kishte të gjitha”, thotë Zamir Këlliçi. Por bashkë me ambicien që një vend i sapodalë nga lufta të mund të kishte edhe institucione “luksi”, siç ishte opera, Enver Hoxha dhe sistemi që ai ndërtoi vuri nën kontroll artin dhe kulturën, duke i përdorur ato si mjete propagande. Megjithatë, edhe Teatri i Operës dhe Baletit ka njohur erëra të mbara gjatë viteve të diktaturës. Ishte vetëm një dekadë, ishin 10 vitet e para të jetës së institucionit, i cili më pas do të gardhohej e do të censurohej si çdo institucion tjetër kulturor.

Dosjet e veprave të vendosura në skenë para dhe pas vitit 1966

Deri në vitin 1966
Mjafton të lexosh titujt e vënë në skenën e TKOB-it, për të kuptuar historinë e tij. Opera e parë e vënë në skenë në vitin 1953 është “Rusalka” dhe që atëherë do të shfaqeshin për publikun disa nga veprat më të mëdha të operistikë botërore. Në një vend që dilte nga lufta, me një nivel të lartë analfabetizmi, luheshin opera e balete me muzikë të Verdit, Puçinit, Bizesë, Çajkovskit, Gunosë, Rosinit, Prokofievit… Drejtori Albert Paparizo, në krye të këtij institucioni nga viti 1950-1966, u kujdes që skenës të mos i mungonin kryeveprat, edhe pse siç thotë Këlliçi, tradita shqiptare në këtë lëmë lidhej më së shumti me bandat frymore dhe grupet korale, në Korçë, Shkodër apo diku tjetër. E pa dyshim me kontributin e disa artistëve të shkolluar në konservatoret e huaja, si Marie Kraja, Avni Mula, Nina Mula etj. Ambicia artistike shkonte deri aty saqë brenda të njëjtit vit të vendoseshin tri opera të mëdha nga repertori botëror. Kështu renditen pas njëra-tjetrës vepra si “Traviata”, “Romeo dhe Zhulieta” (1957), “Berberi i Seviljes” (1958), “Eugjen Onjegin” (1959), “Rigoleto” (1965) etj. Nuk mungoi edhe krijimtaria vendëse e vepra të tilla si “Halili dhe Hajrija”, “Agimi”, “Delina” etj. Në vitin 1966, skena do të njihte vepra si “Maçoku me çizme” apo “Dasma e Figaros”. Aq sa i pasur duket ky vit i fundit, aq edhe kobzi.

Dosjet e veprave të vendosura në skenë para dhe pas vitit 1966

Pas vitit 1966
Një vepër e vënë atë vit do të shënjonte përmbysjen e madhe. “Në vitin 1966 gjithçka pritet si me thikë. Pas ardhjes së një shfaqjeje kineze, “Detashmenti i kuq i grave”, kalendari artistik i Teatrit të Operës do të ndryshonte rrënjësisht”, thotë Zamir Këlliçi. Edhe një vit më vonë do të shohim një “Borëbardhë”, por më tej, me ndonjë përjashtim fare të vogël, i gjithë repertori është i kuq. “Një fjalim i famshëm i Enver Hoxhës në vitin 1967 do t’i zbriste balerinat nga puantet dhe do t’i zhvishte nga paçkat”, thotë arkivisti. Dhe prej vitit 1967, vendin e vajzave delikate me fat tragjik, kurtizaneve parisiene, kontëve dhe dukëve donzhuanë i zënë heroinat e klasës punëtore me kazma e lopata, komisarët, fshatarët, vajzat e malësisë… Ndërsa Verdi me shokë u zëvendësuan nga autorë shqiptarë, si Zadesha, Daija, Lara, Jakova, Morcka, Tukiqi etj., që me gjithë talentit ishin të detyruar t’i nënshtroheshin skemës së socrealizmit. Që aty renditen opera dhe balete me tituj si “Heroina”, “Fatosi partizan”, “Brigada e grave”,  etj.

Nina dhe Avni Mula në operën “Berberi i Seviljes”, 1958

“Historia e Festivalit të 11-të të Këngës dhe Plenumi i marsit të vitit 1973, i cili këtë vit bën 40 vjet, do t’i vinte vulën gjithçkaje”. Deri në vitin 1990, të vetmet bulëza drite ishin një vënie e operës “La Boheme” në 1971 dhe sërish në 1985, “Traviata” në vitin 1972 dhe në 1988 baleti “Zhizel”, që siç thotë Këlliçi, i ngjiti sërish balerinat mbi puante. “Vdekja e diktatorit, duket sikur e çtensionoi disi atmosferën, e cila do të shkrihej me ndërrimin e sistemeve. Artistëve iu hap udha të ngjisnin sërish në skenë kryeveprat botërore, po kjo nuk do të thoshte që duheshin harruar veprat shqiptare. Mendoj se edhe veprat kombëtare nuk duhet t’i mungojnë skenës”, thotë Këlliçi.

Nga teatri “Kosova” në Pallatin e Kulturës
Teatri Operistik filloi punën në godinën, ku sot ndodhet Teatri Kombëtar, aso kohe teatri “Kosova”. Shfaqja e parë operistike është opera “Rusalka” e kompozitorit rus A.S. Dargomizhskij, në 28 Nëntor 1953. Një zgjedhje kjo e ndikuar prej dashurisë shqiptaro-ruse, që në atë periudhë ishte ende e fortë. Teatri i Operës u shpërngul në godinën ku sot ndodhet Universiteti i Arteve në 1958-n. Në këtë godinë u realizuan të parat vepra të plota operistike e të baletit të muzikës shqiptare, si “Mrika”, “Halili dhe Hajria”, “Delina” etj. Deri në vitin 1965 frynin erëra të mbara për artin në përgjithësi dhe për operën në veçanti, e cila njohu vënien në skenë të disa kryeveprave të artit botëror. Më tej do të prisheshin të gjitha balancat dhe revolucioni kulturor kinez do të hynte vrullshëm në Shqipëri. Nga një ekuilibër i qëndrueshëm mes repertorit klasik botëror dhe atij kombëtar, i pari thuajse u shumëzua me zero, duke shënuar një nga rastet e rralla në gjithë Europën Lindore. Tek–tuk pati ndonjë erë liberalizimi, si në vitet ’71-’73, ku pati ndonjë tentativë për të ngjitur në skenë vepra tej skematizimit të kohës, çka u godit dhe u quajt dekadente. Me rënien e diktaturës Teatri i Operës dhe Baletit do të rifitonte lirinë, por njëkohësisht do të njihte edhe një periudhë krize që lidhej me largimin e një pjese të mirë të artistëve të tij. Një periudhë e errët, nga e cila iu desh një kohë e gjatë të dilte, të rimerrte veten dhe të vazhdonte aktivitetin normal, pa kufizime e censurë. Në 10-vjetëshin e fundit, TKOB është kthyer në institucionin më të rëndësishëm kulturor në vend, me një kalendar dhe premiera të shumta çdo sezon.

Në “dosjet” e Zamirit
Në arkivin e TKOB-it nuk ka hyrë ende teknologjia. E gjithë databaza e institucionit është nëpër dosje, në letra. Dosjet janë ato të para viteve ’90, të zverdhura nga koha, por punonjësi tanimë në pension, Zamir Këlliçi, përpiqet t’i mbajë sa më në rregull, t’i rendisë sipas viteve dhe t’i pasurojë me sa të mundet. Çdo shkrim gazete, fotografi, kalendar, fletëpalosje, ai i mbledh dhe i fut në dosjet përkatëse. Çdo artist i operës, baletit, apo edhe ansamblit e ka një dosje te Zamiri. Tanimë në kohën e internetit, ai kujdeset të mos i shpëtojnë edhe shkrimet e ndryshme që dalin në gazeta të huaja, për artistët shqiptarë që po rrisin karrierën e tyre në skenat botërore. Ditën kur e takuam, punonjësja e re e arkivit sapo kishte printuar një shkrim për tenorin Saimir Pirgu dhe Këlliçi e vendosi në dosjen e artistit. Pasi ka kaluar një jetë të tërë në këtë sektor, duke bërë një punë prej nikoqiri, Këlliçi shpreson që e gjithë ajo pasuri që është grumbulluar në atë zyrën e vogël, pranë tualeteve të katit të parë, të mund të dixhitalizohet. “Drejtori Zhani Ciko më ka premtuar se mbi një projekt të veçantë do të mund të dixhitalizohet i gjithë arkivi”, thotë ai. Edhe pse nuk e thotë, ndihet se e ha meraku se si do t’i vejë filli këtij arkivi pas ikjes së tij. Jo se nuk ka besim tek arkivistja e re, po a do mund të jetë ajo po aq strikte sa ai?

Opera “Mrika”, 1958

Statistika
•  Gjatë 60 viteve jetë të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, numërohen 185 vepra skenike, opera, opereta, balete, pjesa më e madhe e të cilave janë rivënie.

•  Ndër to numërohen mbi 20 opera dhe mbi 20 balete shqiptare, pjesa tjetër janë vepra të huaja

•  Në 185 vepra, 70 vepra skenike numërohen përgjatë 10 viteve të fundit, nën drejtimin e Zhani Cikos.

•  Përgjatë 23 vjetëve, TKOB dhe Ansambli ka qenë një nga mbajtësit kryesorë të peshës së Koncerteve të Majit (1967-1990), ku ka qenë pjesëmarrës me 800 pjesë në opera, balet apo këngë e valle nga Ansambli.

•  Gjatë këtyre 60 viteve janë luajtur në skenë vepra të kompozitorëve francezë, italianë, rusë, çekë, hungarezë, gjermanë, kinezë, austriakë dhe spanjollë.

Vepra
Para vitit 1966
“Traviata”,
“Kujdesi i kotë”,
“Jolanta”,
“Romeo dhe Zhulieta”
“Kavaleria rustikana”
“Berberi i Seviljes”
“Eugjen Onjegin”
“Don Paskuale”
“Madamme Buterfly”
“Franceska da Rimini
“Karmen”
“Paliaci”
“La Bohemme”
“Peshkatarët e perlave”
“Princeshat e Çardashit”,
“Rigoleto”
“Maçoku me çizme”
“Dasma e Figaros”
Pas vitit 1966
“Heroina”
“Fatosi partizan”
“Brigada e grave”
“Ritmi e ndjenja punëtore”
“Cuca e maleve”
“Shqiponja sypatrembur”
“Komisari”
“Zgjimi”
“Tokë e pamposhtur”
“Skënderbeu”
“Përtej mjegullës”
“Bijtë e peshkatarit”
“Dhëndëri transferohet”

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura