Hile me fushën, Barça denoncon Milanin

Mar 30, 2012 | 14:35
SHPËRNDAJE

Milan-Barcelona ishte një ndeshje e zjarrtë mes dy prej skuadrave më të mëdha të futbollit botëror, një finale e parakohshme për Ligën e Kampioneve. Por, përveç spektaklit të ofruar, kësaj sfide nuk u kanë munguar edhe debatet në lidhje me ato çfarë ndodhën në fushën e lojës. Përveç penalltive të padhëna për spanjollët, këta të fundit kanë vazhduar me akuzat e tyre kundrejt rivalëve italianë. Sipas katalanasve, Milani ka përdorur një hile për të frenuar skuadrën e Guardiolës, që nuk i lejoi kampionët në fuqi të Europës të jepnin maksimumin e tyre në fushë. Barcelona ankohet se terreni i lojës nuk ka pasur lagështinë e duhur, gjë kjo që frenon jo vetëm shpejtësinë e topit, por edhe tokën e ashpër, e cila në vetvete përmbante gropa të rrezikshme për këmbët e futbollistëve, dhe jo vetëm të atyre katalanas. Më shumë se sa një luftë sportive, lojtarët dhe stafi i Barcelonës mendon se kjo ka qenë një hile e organizuar nga milanezët, për të mos i lejuar atyre të bëjnë lojën që dinë, dhe jo më kot, dje kanë paraqitur në UEFA një ankesë zyrtare, ku denoncojnë “hilenë” e kuqezinjve. Pas ndeshjes, të gjithë katalanasit në kor theksuan se terreni i thatë dhe i ashpër ka rrezikuar fillimisht dëmtimet e mundshme, por edhe i ka penguar ata të ambientohen me shpejtësinë e lëvizjes së topit, duke qenë që sfera nuk rrotullohej me shpejtësinë normale.

Milani
1) “Lagështira e fushës ka qenë brenda normave të UEFA-s. Lagia e saj është bërë një orë përpara fillimit të ndeshjes dhe për më shumë, në mbledhjen e organizuar në orën 14:15 të ditës së mërkurë, kontrollet e bëra kanë theksuar se lagështia e terrenit ka qenë brenda standardeve të kërkuara nga rregullorja”.
2) “Kushtet e përgjithshme të fushës Barcelona i kishte testuar edhe një natë përpara ndeshjes, teksa kishte zhvilluar stërvitjen e saj, pas së cilës askush nuk kishte shprehur pakënaqësi mbi terrenin e lojës. Është absurde të kritikosh pasi ke luajtur, mbi të gjitha duke u nisur nga fakti që përveç arbitrave, ishin edhe delegatët e UEFA-s ata që nuk panë asnjë parregullsi në lidhje me lagështirën e fushës apo gjëra të tjera që lidhen me terrenin”. Më pak fjalë, Milani nuk i ka pritur mirë ankesat e katalanasve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura