Hetimi, vrasja e policit në Kamzë klasifikohet si aksident rrugor

Jul 31, 2013 | 13:18
SHPËRNDAJE

Selman Lena, polici i vrarë në Kamëz
TIRANE – Vrasja e një efektivi të Policisë në detyrë dhe plagosja e rëndë e një kolegu të tij klasifikohen përfundimisht si ngjarje e ardhur nga shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor. Ditët e fundit, dosja penale për këtë ngjarje, me të pandehur shtetasin Edmir Koleci, i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës, pas heqjes dorë nga hetimi nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Shkak për transferimin e dosjes në Prokurorinë e Tiranës është rënia e akuzës për vrasje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës. Sipas hetimeve paraprake të Prokurorisë së Krimeve të Rënda në lidhje me ngjarjen, vrasja e policit Selman Lena dhe plagosja e kolegut të tij Preng Lleshaj më 4 maj 2013, ka ardhur si pasojë e një aksidenti. Prokuroria e Krimeve të Rënda e klasifikoi ngjarjen si shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, duke theksuar se janë gjetur prova për një vrasje të qëllimshme. Ngjarja e rëndë ndodhi më 4 maj në mbrëmje, teksa polici i vrarë, Selman Lena, ndodhej në një postbllok kontrolli së bashku me të plagosurin Pren Lleshaj dhe gjashtë kolegë të tjerë. Rreth orës 22:30 aty ka kaluar një automjet tip “BMW” me targa të huaja. Efektivët e Policisë i kanë kërkuar drejtuesit të mjetit që të ndalonte, por ai ka vazhduar lëvizjen duke rritur shpejtësinë. Për pasojë, mjeti me targa të huaja i drejtuar nga Edmir Koleci ka goditur efektivin e Policisë Selman Lena, që ka gjetur vdekjen në vend dhe ka plagosur rëndë policin tjetër, Preng Lleshaj. Hetimi për këtë ngjarje u zhvillua fillimisht për akuzat e “vrasjes në rrethana cilësuese” në dëm të inspektorit të Policisë Selman Lena dhe për “vrasje në rrethana cilësuese”, të mbetur në tentativë në dëm të inspektorit Preng Lleshaj. Për këto akuza, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën e arrestit me burg pa afat ndaj drejtuesit të makinës që shkaktoi ngjarjen. Ndërkohë, avokati mbrojtës i 37-vjeçarit Edmir Koleci, ka pretenduar se ngjarja ka qenë aksidentale. Pas ndryshimit të akuzës dhe kalimit të dosjes në Prokurorinë e Tiranës, pritet që Gjykata e kryeqytetit të vendosë një masë të re sigurie ndaj të akuzuarit për ngjarjen. “Kam qenë i dehur dhe duke ecur me shpejtësi. Pas kryqëzimit të Bathores një automjet që kisha para ndezi sinjal në krahun e djathtë. Mendova se po më hapte krahun dhe u futa në parakalim. Në kohën që isha në manovër e sipër, pashë një person që po vendoste në rrugë ato trafindarëset plastike. U përpoqa të shmangia atë, por përplasa dikë në anën tjetër. Nuk i kam parë policët, pasi nuk kishin as jelekët fosforeshentë. Ishte errësirë. Nuk e mora vesh se ç’ndodhi”, ka dëshmuar Edmir Koleci në lidhje me ngjarjen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura