Hetime të tjera për trafikim organesh në Kosovë

Apr 30, 2013 | 20:14
SHPËRNDAJE

Vetëm një ditë pasi Gjykata Themelore e Prishtinës, shpalli fajtor pesë persona të përfshirë në trafikim dhe transplantim të paligjshëm organesh në Kosovë, misioni EULEX, njoftoi për hetime të personave të tjerë për rastin e njohur “Medicus”. Hetimet po zhvillohen në 14 shtete të ndryshme. “Një prokuror special i misionit EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar një urdhër për zhvillimin e hetimeve kundër tetë të dyshuarve. Tetë të dyshuarit janë duke u hetuar për veprat penale: krimi i organizuar, trafikim me qenie njerëzore, lëndimet e rënda fizike, keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe i autoritetit, mashtrim dhe ushtrim i ndikimit”, thuhet në një njoftim të misionit EULEX, por nuk jepen emerat e personave që po hetohen.

Ky hetim i ri është i bazuar në hetimet e kryera në rastin Medicus, si dhe në gjetjet e tjera gjatë fazës së gjykimit. Në njoftimin e misionit EULEX, thuhet se “të dyja rastet zbuluan dyshimet e bazuara se të dyshuarit e sipërpërmendur kanë bashkëvepruar ose kanë ndihmuar në mënyrë direkte apo indirekte pjesëtarët e grupit të krimit të organizuar në kryerjen e veprave të rënda siç është trafikimi me qenie njerëzore me qëllim të heqjes së organeve”.

Ligjet në Kosovë ndalojnë çdo veprimtari të transplantimit të organeve nëpër klinikat private. Gjykata Themelore e Prishtinës, e udhëhequr nga Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, të hënën (29.04.2013)shpalli fajtor, mjekun urolog Lutfi Dervishin dhe e dënoi atë me tetë vjet burgim dhe 10.000 euro gjobë. Të birin e tij, Arban Dervishin e dënoi me shtatë vjet e tre muaj burgim dhe 2.500 euro gjobë, ndërsa Sokol Hajdinin me 3 vjet burgim. Dy të akuzuar tjerë, Islam Bytyqi dhe Sylejman Dulla, u dënuan me kusht, me nga një vit burgim, ndërsa, Ilir Rrecaj, ish zyrtar në Ministrinë e Shëndetësisë u lirua nga të gjitha akuzat. I akuzuari i shtatë, Driton Jilta, ishte raportuar se e ka pranuar kohë më parë fajësinë për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe ushtrim të paligjshëm të veprimtarisë mjekësore, por janë hedhur poshtë akuzat kundër tij, kanë thënë zyrtarë të EULEX-it. Që të gjithë ishin akuzuar për përfshirje në trafikim dhe transplantim të paligjshëm të organeve në Kosovë në vitin 2008.(DW)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura