Hetim pronave të Mirit të Xhikes

May 31, 2012 | 12:49
SHPËRNDAJE
Manjola Prifti, ish-bashkëshortja e Mirit të Xhikes

Policia shqiptare fillon hetimet ndaj gruas së ve të Mirit të Xhikes, pas arrestimit të saj në Tiranë në lidhje me akuzat për trafik droge e pastrim parash në Itali. Drejtoria Kundër Pastrimit të Parave në Policinë e Shtetit ka nisur procedim penal ndaj Manjola Priftit, me akuzën “pastrim të produkteve të veprës penale”. Lajmi është bërë i ditur nga burimet e Policisë së Shtetit, që thanë se me përjashtim të një lajmërimi se shtetasja në fjalë është person në kërkim, pala italiane ende nuk ka sjellë në Tiranë ndonjë dokument tjetër. Më 17 prill 2012, Gjykata e Romës e ka dënuar në mungesë me 11 vjet burg Manjola Priftin, e cila prej disa vitesh ushtron profesionin e avokates në kryeqytet. Hetimi ndaj saj, sipas Policisë shqiptare, ka nisur për shkak të dënimit për veprimtari fitimprurëse kriminale në Itali. “Në rast se vërtetohet gjatë hetimeve që pasuritë e saj janë ndërtuar me të ardhura me origjinë kriminale, do të kërkohet sekuestrim në zbatim të ligjit “Antimafia”, kanë thënë burimet e Policisë.
Manjola në qeli
Avokatja e arrestuar tri ditë më parë në Tiranë, gjatë përballjes me oficerët e Policisë së Tiranës, e ka quajtur të padrejtë dhe të papritur arrestimin e saj. Sipas 37-vjeçares, ajo nuk është në dijeni të ndonjë procesi gjyqësor që është zhvilluar ndaj saj, madje edhe në momentin e ndalimit, nuk i është treguar asnjë lloj vendimi, përveç shkresës së mbërritur nga Roma nëpërmjet Interpolit. Dje, në rrugë zyrtare, Policia e kryeqytetit ka konfirmuar se “u bë i mundur ndalimi i shtetases në kërkim Manjola Paskal Prifti, sepse Interpol Tirana, me shkresë nr. 869kl/1, Prot. LA-FKB 474, të datës 27 prill 2012, e ka shpallur në kërkim me kartelë të ‘kuqe’. Interpol Roma njofton se për këtë shtetase, autoritetet gjyqësore të Milanos në Itali kanë lëshuar urdhër arresti nr. 510/04 RES – 726/2005 ROE, më datë 11 korrik 2005, për veprat penale ‘bashkëpunim kriminal’, ‘trafik droge’ dhe ‘pastrim parash’, me masë dënimi 11 vjet burg”. Ndërsa sipas të njëjtave burime, arrestimi i saj i përkohshëm është kryer me qëllim ekstradimi drejt shtetit italian.
Avokati
Avokati mbrojtës i Manjola Priftit thotë se nuk di ende asgjë në lidhje me arrestimin e klientes së tij dhe akuzat që janë ngritur ndaj saj. Edhe 24 orë pas arrestimit të ish-bashkëshortes së Fatmir Ramës, i vrarë në ambientet e kompleksit “Kartodromi” më 29 mars 2003, avokati i saj mbrojtës nuk është njohur ende me ndonjë dokument që të shpjegojë arsyet konkrete të arrestimit. I kontaktuar dje nga gazeta, avokati i Manjola Priftit, Arben Prifti, u shpreh se përveç një dokumenti të Interpolit, nëpërmjet të cilit klientes së saj i komunikohej që ishte person në kërkim nga Italia, nuk është njohur me asnjë lloj vendimi fajësie që mund të jetë dhënë në mungesë ndaj saj. “Menjëherë pas arrestimit të Manjola Priftit kam kërkuar të kontaktoj me klienten time, të njihem me dosjen dhe urdhrin e arrestit që ishte lëshuar ndaj saj. Por deri tani ende nuk më kanë vënë në dispozicion asnjë lloj materiali. As ajo vetë nuk është në gjendje që të shpjegojë arsyet e arrestimit. Ekziston mundësia që hetimi i nisur ndaj saj mund të jetë parashkruar, por për këtë nuk mund të flas me siguri pa verifikuar datën e vendimit apo të procedimit penal që thuhet se ka nisur ndaj saj”, u shpreh avokati i Manjola Priftit. Ndërsa ajo vetë ka pretenduar se gjithçka ka qenë një kurth i ngritur ndaj saj, pasi dihej që vendimi do të parashkruhej brenda pak ditësh dhe ajo do të ishte e lirë.
Trafiku i drogës
Në Prokurorinë e Përgjithshme në Tiranë ndodhet një dosje voluminoze e Policisë italiane në adresë të Mirit të Xhikes, ish-bashkëshortit të Manjola Priftit, e arrestuar tashmë për trafik droge. Dosja në fjalë mbërriti në Shqipëri në vitin 2003 dhe në kohën kur po bëhej përkthimi i saj, personazhi kryesor i hetimit, Fatmir Rama, i njohur edhe si Miri i Xhikes, gjeti vdekjen. Ai u qëllua me armë zjarri brenda në kompleksin “Kadrodrom 2000” në periferi të Tiranës, ku edhe gjeti vdekjen e menjëhershme. Për pasojë, dosja penale e ardhur nga Italia u mbyll pasi ndjekja penale nuk mund të vazhdonte derisa autori i dyshuar i krimit kishte vdekur. Policia italiane kishte dokumentuar dhjetëra raste të lëvizjes së ngarkesave me drogë nga dhe për llogari të Fatmir Ramës. Pikërisht për bisedat e përgjuara në vitet 2001-2003, mësohet se Prokuroria italiane ka ngritur akuzë për trafik droge ndaj Manjola Priftit.

Pronat që la pas Fatmir Rama: Shtëpi, llogari në banka e makina
TIRANE – Shuma të konsiderueshme në bankat e nivelit të dytë, shtëpi në Durrës, të paktën tri apartamente në Tiranë dhe disa automjete. Këto kanë qenë vite më parë pasuritë që figuronin në emër të Fatmir Ramës, i njohur si Miri i Xhikes. Investimi që ai kishte kryer në kompleksin “Kartodrom 2000” ishte vlerësuar 4 milionë dollarë, ndërsa vitet e fundit thuhet se objekti në fjalë është shitur. Sipas të dhënave nga organet e hetimit, pasuritë në emër të Manjola Priftit janë të konsiderueshme në llogari bankare, por edhe në prona të paluajtshme. Policia e Shtetit ka deklaruar se do t’i hetojë të gjitha këto prona në origjinën e tyre për mënyrën si janë përfituar. Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka pohuar se nuk ka ende të dhëna për akuzat ndaj Manjola Priftit. “Me përjashtim të një buletini të zakonshëm të Interpolit, ku rezulton se shtetasja me gjeneralitetet Manjola Prifti është e dënuar për trafik droge e veprimtari kriminale në Romë, ku gjyqi është bërë në mungesë, nuk kemi ende asnjë të dhënë tjetër”, kanë thënë burimet e Prokurorisë.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura