Hervin Çuli: Aktorët të mos tremben, eficientët do rrinë në punë

Jan 31, 2014 | 13:21
SHPËRNDAJE

Drejtori i Teatrit Kombëtar Hervin Çuli
Intervista e parë e drejtorit të ri të Teatrit Kombëtar.

“Jam gati të lidh kontratë me Kristaq Skramin, nëse do të jetë i kërkuar nga regjisorët”

Në një vend para-gjykues si ky i yni, u duk e pabesueshme që drejtor i Teatrit Kombëtar të zgjidhej Hervin Çuli.
Jo se ai nuk e meritonte, porse u krijua ideja se prioritet kanë ata që vijnë nga jashtë. E megjithatë, platforma e Hervin Çulit ishte aq bindëse dhe konkrete, që tregonte se e njihte deri në palcë gjendjen e Teatrit Kombëtar, sa nuk mund të vendosej ndryshe. Me propozim të ministres së Kulturës Mirela Kumbaro dhe firmë të Kryeministrit Edi Rama, tanimë Hervin Çuli është drejtor i institucionit më të përfolur, Teatrit Kombëtar. Në vazhdën e paragjykimeve, pas një lufte të gjatë, shoqëruar edhe me seanca gjyqësore dhe akuza të ndërsjella, askush nuk e mendonte se drejtori që linte detyrën, Kristaq Skrami dhe ai i riu, Hervin Çuli, do të mund të rrinin në të njëjtën sallë. E megjithatë “mrekullia” ndodhi. Skrami e Çuli uruan dhe i shtrënguan dorën njëri-tjetrit. I gjetur përpara një sfide të madhe, të cilën jo se nuk e dinte, por që tanimë duhet t’i tregojë gjoksin, Hervin Çuli po kërkon të punojë sa më shpejt, duke e nisur nga A-ja që janë kushtet në Teatrin Kombëtar, që nga ngrohja… Mes një shumësie punësh e gjen kohën të na thotë me të shpejtë se cilat janë punët më emergjente në teatër dhe mbi të gjitha se ç’do të ndodhë me trupën e aktorëve. Ai prek dhe marrëdhënien me ish-drejtorin, për të cilin thotë se do të ishte i gatshëm t’i lidhte një kontratë pune, nëse regjisorët do ta përfshinin në kastet e tyre… “Nuk do të sillesha kurrë me një njeri, siç është sjellë ai me mua”, thotë Çuli, që sot, në mënyrë paradoksale, duhet të paraqitet në një seancë gjyqësore, i paditur nga Teatri Kombëtar. Pra sot, ai që përfaqëson Teatrin Kombëtar do të jetë i paditur nga institucioni që drejton…

Pse guxuat të konkurroni për postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar, duke ditur se sa e vështirë është gjendja në të?

Ish-drejtori Kristaq Skami duke i shtrenguar dorën drejtorit të ri, Hervin Çuli
Është një sfidë dhe një ëndërr e madhe e imja, pas një karriere të gjatë artistike. Jeta ime është e ndarë vetëm mes familjes dhe teatrit. Teatri Kombëtar ka qenë dhe vazhdon të jetë për mua një pikë referimi dhe përpos luftërave të gjata, epopeve në vite, ka qenë ëndrra dhe ambicia ime e madhe për të ndryshuar gjërat. Gjatë këtyre kohëve unë kam harruar edhe që jam regjisor. Ky institucion më është kthyer në një sfidë, ku dëshiroj të lë emrin tim të mirë dhe ta kthej atë në një tempull të vërtetë europian të artit skenik shqiptar.
Ktheheni në TK pas 7 vitesh dhe zini vendin e drejtorit që ju pushoi nga puna, ç’ndjesi përzihen te ju?
Kam vuajtur shumë këto 7 vjet, madje vitet e para kanë qenë vite të një trishtimi të madh, por i kam kaluar, sepse gjeta shpejt forcën për të punuar edhe në teatro të tjera, si Teatri i Metropolit, “Aleksandër Moisiu” i Durrësit për një kohë më të gjatë, tek ai i Korçës… Janë ca kohëra që unë dua t’i harroj, sepse jo se nuk kam pasur inate të mëdha brenda vetes, por jam munduar të menaxhoj atë pjesën e “helmit” që m’u imponua dhe them me vetvete që hakmarrja është arma e të dobëtit. Unë e quaj veten të fortë, pasi arrita deri këtu. Pas një rrëzimi të madh arrita të ringrihem. Gjithçka që ka ndodhur në të kaluarën për mua nuk ka më rëndësi, edhe pse është një pjesë shumë e rëndësishme e jetës sime. Për mua vjen e ardhmja. Do të fitoja shumë për veten time dhe do t’i jepja kuptim sakrificave të mia, nëse do të realizoja një gjë të madhe, shumë të rëndësishme për TK.
E megjithatë ju keni një gjyq të hapur me Teatrin Kombëtar?
Është një gjyq paradoksal, Teatri kundër Teatrit, Kramer kundër Kramer. Dhe paditësi që unifikohet me të paditurin. Çështja është pak qesharake në thelb, e megjithatë ajo është e mbyllur tashmë. Seanca do të mbyllet nesër, pasi situata në të cilën është Teatri Kombëtar, konkurrimi im, tregojnë që asokohe unë kam pasur të drejtë…
Gati e pabesueshme, por ju dhe ish-drejtori Skrami i dhatë dorën njëri-tjetrit…
Ishte një moment etik nga ish-drejtori dhe unë e vlerësoj, por kjo nuk do të thotë që ne do të bëhemi miq, kjo është e padiskutueshme, por as do të thotë se unë do të jem armiku i tij. Në mënyrë absolute jo. Ai ka rrugën e tij në tregun e lirë të aktorëve shqiptarë, ku pa dyshim unë nuk do të jem një nga ata që do t’i vë shkopinj në rrota. Gjithçka do të varet nga kërkesat e aktorëve ndaj tij…
Pra ju jeni i gatshëm të lidhni kontratë me të, nëse regjisorët e zgjedhin në kastin e tyre?
Nëse do të ishte zgjedhja e regjisorëve, absolutisht që do të lidhja kontratë me të. Nuk do të sillesha kurrë me një njeri, siç është sjellë ai me mua.
Keni premtuar që puna e parë si drejtor është përmirësimi i ngrohjes në teatër, ç’po ndodh ndërkohë, pasi tanimë jemi në muajt më të ftohtë të vitit…?
Momentalisht jam në takime dhe po punoj pikërisht për këtë gjë. Është sfida ime kryesore. Unë e di që teatri ka probleme të mëdha motivimi, për një muaj e gjysmë, unë nuk do të arrij ta zgjidh këtë çështje 100%, por të shtunë e të dielën salla do të jetë më e ngrohtë. E them me bindje se që nga nëntori, salla e Teatrit Kombëtar do të jetë në kushtet normale si në çdo teatër tjetër europian, për të ndjekur shfaqjet. Teatri ynë ka shumë probleme, është shumë i vjetër, ndoshta do të duhej të ndërtohej një i ri, por deri në nëntor unë premtoj kushte më komode për aktorët dhe publikun.
Por kjo do të kërkojë shumë investime, para, të cilat shteti sot nuk i ka, si do t’i gjeni?
I kam marrë masat, por nuk dua të zbuloj detajet…
Pa dyshim që të gjithë presin të mësojnë se ç’do të ndodhë me trupën e aktorëve, cila do të jetë “formula” që ju do të ndiqni për punësimin e tyre? Çfarë do të ndodhë me trupën aktuale?
Në mënyrë paradoksale, kjo është çështja më e nxehtë, më delikate, por edhe më e lehtë. Gjithçka do të vijë në mënyrë shumë normale. Gjatë verës do të bëhet përzgjedhja e regjisorëve, e kasteve të aktorëve, kalendari për sezonin e ardhshëm që fillon në shtator dhe prej atëherë ne do të kemi një cikël të ri. Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar për aktorët e brendshëm të Teatrit Kombëtar që janë eficientë. Asnjëri prej tyre nuk do të ketë ndërprerje të pagesës, sepse thënë në mënyrë të thjeshtëzuar, nëse deri në datën 31 gusht ata kanë qenë me një kontratë me afat të papërcaktuar, në datën 1 shtator pagesa e tyre do të vazhdojnë por ata do të kenë një kontratë të kufizuar…
Kush do të qëndrojë e kush jo?
Ata që janë sot eficientë do të vazhdojnë të punojnë, kurse ata që nuk janë eficientë dhe nuk përzgjidhen nga regjisorët, do të zëvendësohen nga aktorë të rinj, jashtë Teatrit Kombëtar, që presin të futen në tregun shqiptar dhe që deri më tani nuk u është ofruar një kontratë në TK. Pra, kush do të përzgjidhet nga regjisorët do të ketë të drejtën e punësimit në TK.
A do të ketë një numër fiks aktorësh të kontraktuar?
Jam duke bërë një skaner të buxhetit dhe të veprave që do të përzgjidhen për kalendarin e TK. Unë jam në proces të kësaj përzgjedhjeje, prej veprave do të varet edhe numri i aktorëve. E vështirë të them një shifër të saktë, sepse mund të ndodhë që të jenë 20 aktorë të kontraktuar, por mund të ndodhë që të jenë edhe 40 aktorë të kontraktuar të Teatrit Kombëtar.
Për aktorët mbi 55 vjeç, në platformën tuaj propozonit që t’u lidhej një kontratë pa afat, do ta mbani këtë “premtim”?
Për aktorët që janë mbi 55 vjeç, në platformën me të cilën konkurrova kam propozuar që t’u ofrohet një kontratë e papërcaktuar. Ka qenë një dëshirë e imja për të gjetur një zgjidhje për këtë brez aktorësh, që nuk janë shumë të stërvitur me tregun, me rregullat e reja të lojës dhe mundësitë e tyre janë më të pakta për t’u punësuar diku tjetër. Unë garantoj që ata aktorë që janë mbi 55 vjeç dhe janë eficientë do të jenë pjesë integrale e veprave të TK. Në platformë unë e them shumë qartë që ofertë në këtë brez ne kemi shumë pak. Jo vetëm në Teatrin Kombëtar, por në gjithë Shqipërinë, nuk qarkullojnë veçse 10-15 aktorë të kësaj moshe. Duke qenë se teatri do të ketë të gjitha moshat në role, do të mbroj me forcë integrimin e këtij brezi në projektet e Teatrit Kombëtar, dhe jam i bindur që do të gjejmë një formulë që këta njerëz të mos flaken në rrugë, por të jenë pjesë e projekteve të TK.
Keni premtuar se TK do të ketë shfaqje nga e marta në të diel…
Është e vërtetë. Është një premtim, të cilin unë shumë shpejt do ta bëj realitet. Ndofta që nga shtatori.
Cilat do të jenë shtyllat që do të mbajnë në këmbë repertorin e Teatrit Kombëtar?
Shtyllat e repertorit të Teatrit Kombëtar do të jenë veprat e mëdha të dramaturgjisë botërore, pa dyshim edhe asaj shqiptare. Në TK nuk do të vihen më vepra “kitsch”, që kërkojnë me zor popullarizimin e sallës së teatrit. Niveli artistik dhe ftesa për të ndjekur Teatrin Kombëtar do të ecin në mënyrë paralele. TK ka treguar që kur ka vënë vepra të mëdha jokomerciale, si “Shtrigat e Salemit” e Arthur Miller, një vepër madhështore, e cila nuk kishte nevojë të ishte komerciale, abuzive, publiku vjen. Sepse kur një vepër vihet bukur, me aktorët e duhur, publiku është i gatshëm të vijë. Pra TK do të ketë këtë ofertë: do të sjellë vepra të mëdha, të menduara mirë, që sigurojnë një prurje të mirë të publikut në sallën e TK.
A do të ketë Teatri Kombëtar një bord, apo këshill artistik?
Ky është një problem që do të zgjidhet shumë shpejt me ndryshimin e legjislacionit, por ju siguroj se aktualisht do të mundohem të merrem vesh, brenda rregullave të lojës me bordin e TK. Por, në fund të fundit, rrugëtimin është drejtori i Teatrit që do ta bëjë, pra jam unë që duhet të mbaj përgjegjësitë.
Po flitet shumë për edukimin përmes kulturës, ju si keni menduar ta joshni brezin e ri që ta ndjekë Teatrin Kombëtar?
Dua të flas gjatë për këtë çështje dhe do të doja që ta trajtonim në një intervistë të veçantë, sepse kapitulli që unë i kam rezervuar në platformë alkimisë që do të krijohet mes teatrit dhe brezit të ri, përbën një nga boshtet kryesore të propozimit tim. Kjo do të jetë një nga sfidat e mia në krye të TK.
Dashuria juaj e madhe është regjia, ndërsa jeni drejtor a do të vini edhe pjesë në skenë?
Ligjërisht këtë mua nuk ma ndalon kush. Madje dje kisha një bisedë të gjatë me aktorin Enver Petrovci, i cili më thoshte se nuk duhet të heq dorë nga profesioni, por unë them se për një fazë të parë, sidomos në vitin e parë, nuk e kam ndër mend një gjë të tillë, për të qenë më i përqendruar në pozicionin e drejtorit dhe në punët e ngutshme që duhen kryer në këtë institucion. Më mbrapa do të kemi kohë të flasim sërish. Por ligjërisht nuk ma ndalon kush.
Për të qenë tërësisht të sinqertë, duhet thënë se ju paragjykojnë shumë për shkak të karakterit tuaj gjaknxehtë… Si do e gjeni gjuhën e përbashkët me artistët, me bashkëpunëtorët tuaj?
E para, tanimë kemi të bëjmë me një drejtor në moshën 43-vjeçare dhe unë nuk jam më Hervini i 10 viteve më parë, që nuk menaxhonte si duhej në mënyrë diplomatike energjitë e tij. Unë shpeshherë atë që mendoja se ishte e drejtë, e thosha pa numëruar deri në 10, tani kam filluar të numëroj deri në 10 për shumë arsye: së pari sepse besoj që edhe mosha nuk ma lejon më, dhe së dyti sepse gjaknxehtësia të çon në rrugë të gabuar dhe nuk e zgjidh problemin. Është urtësia ajo që i zgjidh problemet, edhe kur ato janë shumë të vështira, madje edhe triumfi është më i bukur.

Platforma Fituese
Rekrutimi i stafit artistik
Teatri Kombëtar rekruton aktorët në fillim të sezonit sipas përzgjedhjes së regjisorit, me miratimin e drejtuesit të institucionit dhe të bordit.
Nën drejtimin tim..
Teatri Kombëtar do të jetë një institucion me kontrata 1-vjeçare
Regjisorët, me miratimin e drejtuesi të TK-së dhe të bordit artistik, do të rekrutojnë aktorët.
Format e rekrutimit të aktorëve do të jenë: karriera e spikatur artistike; audicioni.
Aktorët e kontraktuar do të jenë pjesë aktive e repertorit në më shumë se një projekt.
Teatri Kombëtar do të krijojë databazën e të gjithë aktorëve shqiptarë dhe regjisorëve me të dhëna të plota për profilin, karrierën dhe moshën e tyre.
Aktorët që janë punësuar diku tjetër (absolutisht nuk lejohet punësimi në institucionet skenike konkurruese, private apo publike), si profesorët e UA dhe aktorët në pension, që nuk mund të lidhin kontratë pune me TK-në, për t’u bërë pjesë e repertorit të TK-së do të lidhin një kontratë shpërblimi me sanksione të forta, ku do të pranojnë datat e paracaktuara në programin e institucionit për një vit kalendarik.
Teatri rekruton aktorët mbi 55 vjeç me kontratë me afat të papërcaktuar.

Rekrutimi i regjisorëve dhe koncepti “Teatri Kombëtar-Teatri i Regjisë”
Nën drejtimin tim
Regjisorët e teatrit do të përzgjidhen nga drejtuesi i TK dhe bordi (për sa kohë është në fuqi ky ligj).
Drejtuesi, me miratimin e bordit artistik, përzgjedh ata emra regjisorësh që i japin garanci për repertorin, emra që kanë dhënë prova me suksesin e tyre në skenat shqiptare e ndërkombëtare.
Drejtuesi i institucionit merr përsipër përgjegjësinë e plotë për dështimin apo suksesin e politikës së tij artistike.
Çdo vit në TK do të ftohet një regjisor i huaj i kategorisë A.
Çdo vit në teatër do të përzgjidhet një regjisor i ri.

Repertori dhe kalendari
n        TK inskenon vepra të mëdha me një nivel
         të lartë artistik.
n        TK do të jetë një institucion bashkëkohor, që do             t’i qaset publikut me një nivel të lartë artistik.
n        Përzgjedhja e veprave do të jetë produkt i një                 strategjie të paracaktuar për çdo sezon artistik.
n        Vendin kryesor në repertor do ta zënë veprat                 më të mëdha të dramaturgjisë botërore dhe
        kombëtare.
n        Drama shqipe do të jetë themeli i repertorit të TK.
n TK do të nxjerrë nga fondi i artë i dramës shqipe             veprat më të bukura dhe do t’i inskenojë në një             këndvështrim bashkëkohor.
n        TK do të krijojë databazën për selektimin e
        dramaturgjisë bashkëkohore botërore.
n        TK është teatër repertori, me kalendar sezonal             e shfaqje nga e marta në të dielën.
n        Nën drejtimin tim…
n        Në TK do të kemi kalendar të plotë 1 sezonal.
n        TK do të lidhë kontrata të rregullta me
        punëmarrësit, kontrata që sigurojnë
        funksionimin normal të repertorit.
n        Asnjë aktor i TK nuk ka të drejtë të impenjohet                në një institucion tjetër privat ose publik të artit             skenik, për aq kohë sa zgjat kontrata me
        institucionin qendror.
n        Do të eliminohet shpërblimi artistik si bonus
        shtesë për çdo premierë.
n        Bonuset aktori do t’i fitojë një herë në vit, me
        shumë punë, me shumë talent.
n        Do të rindërtohet me të dhëna të plota mbi
        repertorin faqja zyrtare e TK.
n        Do të zhvillohen turne për të gjitha shfaqjet e                 repertorit të TK-së, pa ndërprerë asnjë ditë                shfaqjet e programuara.
n        TK binjakëzohet me Teatrin Kombëtar të
        Prishtinës, me moton “Një komb, një teatër”.
n TK do të krijojë një urë të fuqishme
        bashkëpunimi me Teatrin shqiptar në Maqedoni.
n TK do të krijojë trekëndëshin kombëtar të teatrit
        Tiranë-Prishtinë-Shkup….

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura