Heqje licence për operatorët që shesin abone me kartonë

Feb 28, 2013 | 11:57
SHPËRNDAJE

Bashkia e Tiranës do të penalizojë operatorët privatë, të cilët u shesin abone qytetarëve të shoqëruara me kartonë. Këtë paralajmërim ka bërë ky institucion pas ankesave të qytetarëve. “Nuk mund dhe nuk do të pranojmë asnjë hap të njëanshëm që bie ndesh me interesat e konsumatorit. U bëjmë thirrje operatorëve të transportit publik t’i rikthehen praktikës së aprovuar ligjore dhe kontraktuale, pasi në të kundërt do të përballen me sanksionet e përcaktuara në kushtet e kontratës, deri në revokimin e licencës së operimit”, thuhet në deklaratën e Bashkisë. Sipas saj, përmes një shkrese të dërguar më datë 29.10.2012, u është kërkuar të gjithë operatorëve të transportit publik që të tregtojnë abonentë pa kartonin shoqërues. Bashkia bën me dije se elementi karton ka shkaktuar mosmarrëveshje mes vetë operatorëve. “Kjo, pasi mosmarrëveshjet mes vetë operatorëve kanë shkaktuar probleme në tregtimin e aboneve, kostoja e të cilave binte mbi vetë qytetarët. Për këtë arsye dhe mbështetur në faktin që abonetë e tregtuara nga Drejtoria e Tatim-Taksave kanë të gjitha elementet e nevojshme të sigurisë, u vendos heqja e kartonit shoqërues të aboneve”, thuhet në deklaratë. Bashkia e Tiranës thekson se ka qenë dhe mbetet e gatshme të dialogojë me të gjithë operatorët e transportit publik, për të ndërmarrë çdo hap që forcon luftën kundër informalitetit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura