Havel: Pse u rimartova pas vdekjes së gruas së parë

Apr 30, 2012 | 14:39
SHPËRNDAJE

Humbja e bashkëshortes pas 40 vjetësh së bashku dhe martesa e dytë. Ish-presidenti çek, i cili u nda nga jeta vetëm pak kohë më parë, tregon jetën personale në librin “Ju lutem, shkurt!”. Si i dha lamtumirën bashkëshortes së parë dhe pse u rimartua. Ku ndryshonin nga njëra-tjetra.

Ose do ta ndiqte pas në jetën tjetër, ose do të ecte përpara. Vdekja pas 40 vjetësh jetë të përbashkët e bashkëshortes e tronditi pa fund ish-presidentin çek, Vaclav Havel. Burri që kishte përballuar kaq shumë situata të vështira politike, kishte provuar burgun, u ndje i dobët para vdekjes. Në librin e botuar pak kohë më parë nga shtëpia botuese “55”, “Ju lutem, shkurt!”, një intervistë me Karel Hvizhgjalën, me shënime dhe dokumente të ish-presidentit Havel tregon gjithë jetën e tij, karrierën politike, por edhe atë personale. Ai tregon për vdekjen e gruas së parë dhe martesën me të dytën. Ku ndryshonin të dyja…    a.m

Jetën private gjithnjë e keni mbrojtur shumë, asnjëherë për shembull nuk keni botuar ndonjë letër dashurie dhe kjo deri në vjeshtën e vitit 1995, kur vendoset t’i bëni të ditur publikut sëmundjen e rëndë dhe në atë kohe të pashpresë se gruas suaj të parë, Olgës. Çfarë ju shtyu në këtë vendim?
Letrat e dashurisë nuk janë për botim. Unë, për më tepër, nuk mund të botoja të tilla, sepse në gjithë jetën time nuk kam shkruar asnjë të tillë. Në thelb, të paktën në disa aspekte, jam një person shumë i turpshëm. Përveç kësaj, në shprehjet e shkruara gjithnjë jam përpjekur të jem shumë i kujdesshëm edhe nga frika e një shpërdorimi të mundshëm dhe kjo si nga policia sekrete në kohën si disident, ashtu edhe nga ndonjë person kërkues i sensacioneve në kohën që kam qenë president. Tashmë nuk e di kur dhe se si kam informuar publikun për sëmundjen e Olgës, por këtë duhet ta bëja. Njerëzit e donin atë, për këtë dëshmuan radhët e pafundme të qytetarëve, të cilët erdhën për të bërë homazhe pas vdekjes, e për këtë ata askush nuk i detyroi. Ishte person publik aktiv, e cila në ndërgjegjen e përgjithshme ishte e lidhur me personin tim. Ishte e nevojshme të jepja shpjegime se përse prej një kohe të gjatë nuk shfaqej përkrah meje dhe aspak në publik. Kishte tumor në tru, e dinim këtë prej 2 vitesh, vuajti shumë nga sëmundja si nga pasojat shoqëruese, ashtu edhe nga kurimi hemoterapik. E përballoi këtë me dinjitet, e konsideroi gjendjen e saj si diçka private, nuk ankohej dhe nuk qante, nuk fliste me kënaqësi për këtë. Patëm përshtypjen, nëse kjo ishte e mundshme dhe nuk ishte lojë e njeriut që nuk dëshiron të flasë për veten, se ishte e pajtuar me vdekjen që po trokiste. Thoshte se kushdo e ka të përcaktuar kohën e tij. Muajt e fundit nuk dilte nga shtëpia ose ishte në spital.
Si e keni përjetuar afrimin e fundit të jetës së njeriut tuaj më të afërt, me të cilin keni jetuar më shumë se 40 vite?
Sigurisht këto ishin ditë të vështira për mua. U përpoqa t’i  jepja kurajë, t’i thosha diçka të bukur, të dashur, por ajo menjëherë e kuptonte pse e bëja këtë dhe më thoshte që t’i lija këto muhabete. Nuk e kishim zakon që t’i thoshim njëri-tjetrit gjëra të bukura. E dinim se ishim shumë të lidhur me njëri-tjetrin dhe të varur nga njëri-tjetri dhe kjo nuk mund të zhvlerësohet nga asnjë koment. Sigurisht që shumë kam menduar për jetën tonë të përbashkët, çfarë i dhamë njëri-tjetrit dhe se si do të jetoj pa të. Olga më thoshte të martohesha përsëri; e dinte se nuk mund të jetoja i vetëm. Edhe unë e dija këtë dhe u ndërgjegjësova se kisha vetëm dy mundësi, ta ndiqja atë ose të filloja një jetë të re. Për mua ishte shumë e rëndësishme kur në shtratin e vdekjes më tha se nuk e kisha tradhtuar asnjëherë. Me këtë mendoi diçka me të thellë sesa “sjelljet e mia liberale”, për të cilat dinte shumë më tepër se kushdo tjetër dhe të cilat, sigurisht, nuk i pëlqenin.
Si zhvillohet takimi i dashurisë së presidentit?
Para së gjithash prej kohësh nuk kam pasur ndonjë takim dashurie, nëse nuk llogarisim këtu takimet me gruan time.
Do të xhelozohej gruaja juaj?
Sigurisht. Ajo ka një aftësi të veçantë të dallojë më parë se unë se kush mund të më pëlqejë dhe të ndërhyjë me forcë që të pengojë kontaktin e mundshëm me një person të tillë. Por kjo nuk është kryesorja. Por dhe unë jam më i përmbajtur. Për sa u përket takimeve private në vitet e para të presidencës gjithçka ishte më e thjeshtë, sepse nuk kishte në qarkullim kaq “të thartë” (gazetarë), të cilët donin të më poshtëronin. Nëse diçka i është bërë e njohur publikut dhe mediave, kjo është pranuar dhe publikuar me një farë fisnikërie, nëse mund të shprehem kështu.
Infeksionet e shpeshta të mushkërive dhe mushkëritë e shkatërruara janë gjoja pasojë e pirjes së duhanit?
40 vite të një pirjeje intensive të duhanit sigurisht që kanë ndikuar në shëndet. Por, megjithatë, shkakun kryesor të vështirësive të mia e shoh diku gjetkë. Kjo rrjedh nga një infeksion i mushkërive i pashëruar, që më ndodhi pas kalimit, në vitin 1980, nga qelitë e hetuesisë në Pankraci në burgun në Herzhmanici, ku temperaturat ishin me një diferencë prej 40 gradësh. Pastaj, gjatë viteve të burgut shpesh kam pasur infeksione të mushkërive dhe asnjëherë nuk u mjekuan plotësisht. Gjatë një infeksioni te rëndë në vitin 1983 u detyruan të më dërgonin në shtëpi, sepse nuk donin të bëhesha martir. Me këmbënguljen e mjekëve vendosa te mos pi duhan në fund të vitit 1996. Por mospirjen e duhanit nuk përpiqem ta përhap si ndonjë ideologji. I kuptoj duhanxhinjtë dhe me kënaqësi thith tymin në ambientet ku pihet duhan.
Ditën e tetë pas kthimit nga operacioni i parë i mushkërive, më datën 4 janar 1997, u martove me aktoren Dagmar Veshkwrnovou në Bashkinë e Zhizhkovit, në të njëjtin vend ku para shumë vitesh u martove me Olgën. Çfarë ju shtyu në këtë vendim të shpejtë?
Martesën Dashës ia propozova para gjysmë viti. Dhe kur filluam të diskutojmë për vendin dhe kohën e përshtatshme, erdhëm në përfundim në këtë datë. Do të kisha pushimet e Krishtlindjeve dhe të fillimit të vitit në Hradeçek dhe kështu menduam që të bëjmë martesën në një fshehtësi të plotë, në një bashki jo shumë të largët në Mlade Buky. Këtu jam dhe një “Qytetar Nderi”. Por ndërkohë ndodhi operacioni, gjithçka ndryshoi, por në ditën e planifikuar përsëri isha jashtë spitalit dhe nuk kishte arsye të ndryshonim datën. Vetëm vendin duhej ta ndryshonim, sepse rruga deri në Hradeçek në gjendjen time nuk vihej në konsideratë. Ishte rastësi, nëse diçka është rastësi, që Dasha banonte në Pragë pikërisht në kuarterin Zhizhkov dhe, për më tepër, kishte njohje me kryetarin e bashkisë të atjeshme, me zotin Mikeska. U takuam me të dhe u morëm vesh për gjithçka. Kjo ishte e fshehtë dhe ai këtë e respektoi dhe nuk i tha as gruas të tij. Por në momentin e fundit këtë e mori vesh një nga televizionet, me sa duket prej njërit prej revolveristëve të mi, dhe prisnin përpara bashkisë. Gazetarët ishin të dëshpëruar që nuk morën vesh asgjë. E filluan të na kritikonin që jam martuar tri javë përpara përvjetorit të parë të vdekjes se Olgës, sepse sipas tyre, kjo nuk duhet bërë më parë se një vit. Asnjë rregull apo traditë nuk ekziston, këtë ma konfirmoi dhe kardinali Vëlk, por, kush do të rrahë qenin, e gjen shkopin.
Shtypi shpesh shkroi për konfliktet dhe situatat e tensionuara, të cilat ishin midis grave tuaja dhe bashkëpunëtorëve. Çfarë mund të na thoni për këtë, për marrëdhëniet e grave tuaja me bashkëpunëtorët?
Po, midis Olgës dhe Dashës në njërën anë dhe disa bashkëpunëtorëve të mi në anën tjetër pati tensione. Kjo ndoshta rridhte ngaqë ato ishin të dyja qenie dominuese, të cilat nuk lejonin askënd t’i tërhiqnin prej hunde, nuk taktizonin, gjithnjë thoshin atë që mendonin, shpesh ishin dhe vulgare dhe kryesisht nuk duronin kur dikush mundohej të më manipulonte ose pozitën në krah timin ta shfrytëzonte për qëllimet e tij. Unë jam një njëri paqedashës, nuk duroj tensione dhe konfrontime, dhe shpesh shumë gjëra i përtyp. Ndoshta prandaj më tërheqin gra të tilla. Mirësjellja ime e panevojshme dhe shpesh kontraproduktive sikur kërkon për baraspeshim dikë, i cili thotë menjëherë atë që mendon, lë të jetë kush të jetë. Ndoshta kjo është në traditën e familjes. Në jetën jashtë familjes, në rastin e vëllait tim në Vesmir, veprojnë më shumë burrat, por në shtëpi dhe në ambientet rreth saj mbizotërojnë gratë, le të thonë të tjerët çfarë të duan. Bashkëpunëtorët e mi kishin frikë nga të dyja gratë e mia, kjo është përshtypja ime.
Ku ishin dallimet midis tyre?
Dasha e pati më të vështirë se Olga për shumë arsye. Jo vetëm se ishte e dyta. Para së gjithash, sepse Olga më përkiste prej shumë kohësh dhe të gjithë bashkëpunëtorët, nëse e themi metaforikisht, të gjithë shtetin e inkuadruan te familja jonë. Me Dashën kjo ishte krejt ndryshe. Të gjithë e morën këtë sikur ajo iu bashkëngjit atyre. Konsiderohej si një trup i huaj, si e ardhur nga një botë tjetër, dhe të gjithë i kapërceu dhe menjëherë ka një influencë më të madhe se ata. Çiltërsia e Dashës, karakteri i saj i veçantë, vendosmëria, thënia e gjërave drejtpërdrejt ose “aftësia për të krijuar situata mbytëse” ndikuan më tepër në këtë atmosferë. Bashkëpunëtorët e mi patën përshtypjen se ajo në mënyrë të tepruar dhe jo të kualifikuar ndërhyn në punët e tyre, ndërsa ajo kishte përshtypjen se ata  në një farë mase e injorojnë dhe këtë e bëjnë më qëllim. I akuzoi ata se gjatë periudhës së fushatës masive të përmendur nuk e përkrahen atë ose nuk e këshilluan, dhe e ndjeu veten të pashpresë, të pambrojtur e të vetmuar. Sot kjo i përket së kaluarës, të cilën mund ta kujtojmë vetëm për të theksuar se nuk ndodhi asgjë e veçantë ose e jashtëzakonshme, por ishte vetëm një rast konkret i historisë së luftës së pafund për një pozitë pak më të ndryshme të grave të politikanëve, sesa ajo që bota jonë maskuline e njeh…

Nga intervista e Karel Hvizhgjalën

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura