Havari: Si mashtron Edi Rama me prishjen e parkut “Rinia”

Nov 16, 2011 | 8:29
SHPËRNDAJE

POSTERI I SHTEPISE BOTUESE “DUDAJ” PER LIBRIN “KURBAN” (MAJTAS) KREU I PS, EDI RAMA

Ish-drejtori i Policisë Ndërtimore reagon për “Kurban”. “Më tha para zyrës së Kryeministrit: A është në take-tuke Meta që kërkon ta prishë”

Ndërsa ecja mes njerëzve të shumtë në Panairin e Librit qe u hap këto ditë nëntori në Pallatin e Kongreseve, një grua më thirri në emër. Unë ndalova dhe iu përgjigja: “Urdhëro zonjë”. Ajo me zgjati dorën, unë gjithashtu, shumë ngrohtësisht. “Më njeh?”, m’u drejtua ajo? U stepa për një çast, por menjëherë kujtesa ime funksionoi. “Je nëna e Edi Ramës”, i thashë. Pohoi dhe vazhdoi: “Edi, te libri ‘Kurban’ ka shkruar edhe për ty një pasazh me vlerësime superlative”. E dëgjova ftohtë. Nuk e falënderova, por fillova t’i shpjegoj lidhur me raportet me të birin. Ajo u tregua inteligjente dhe aty për aty më tha: “Ke ndonjë qejfmbetje me të?”. Po, iu përgjigja. Zonja më uroi gjithë të mirat dhe u largua me shoqen e saj.
Nuk e paragjykoj mënyrën si u nda nga unë sepse ajo është nënë dhe Edi Rama djali i saj. Nuk kisha ndër mend të harxhoja paratë duke blerë librin e Edi Ramës, por informacioni që më dha nëna e tij më detyroi ta blija. Kuptohet, nuk më interesonin armiqtë e tij, por kërkova nëpër faqe ku flitej për mua. Në faqen 67, midis të tjerash, shkruhej: “E vetmja forcë që unë kisha në krah ishte Policia Ndërtimore që drejtohej nga Mit`hat Havari, burrë llafeshumë e tekanjoz, por goxha i vendosur në punën e tij dhe, mbi të gjitha, një aleat i prerë në atë aksion që përpara se të pranonte të dorëzonte çelësat”. Tekstin më sipër e kam cituar në origjinal, marrë nga libri “Kurban”. Nuk dua të bie në nivelin e tij me fjalët fyese që ka drejtuar ndaj emrit tim. Mua më njeh një opinion i tërë se jam burrë llafeshumë apo burrë i punës, e që më besohet fjala, ashtu siç thoshte ai. Por gjetiu fle lepuri, thotë një fjalë e urtë. Atë do bëj tani. Do të tregoj historinë e vërtetë të prishjes së parkut “Rinia” dhe protagonistët e vërtetë të saj.
Ishte e shtunë dhe bashkë me familjen kisha shkuar te një miku im në Durrës. Rreth orës 11:00 më merr në telefon Ilir Meta (ish-kryeministër). Ai kërkoi që të shkoja të takohesha me të te Vila 31 (ish-shtëpia e Mehmet Shehut). E gjeta së bashku me Edi Ramën dhe Ndre Legisin. Ata ndodheshin së bashku në një dhomë të madhe ku ishte dhe një fushë pingpongu. Meta ishte i shpenguar, me tuta sporti, me humor të mirë. Luajtëm dhe pingpong dhe u befasova që unë luaja bukur. Ndërsa Edi Rama ishte krejt i mërzitur dhe fliste në telefon me dikë. Legisi, miku im i mirë, ishte i qetë dhe buzëqeshte me replikat e mia me Kryeministrin. Meta, me atë natyrën e çiltër (flas për atëherë), më tha: “Do prishim parkun ‘Rinia’”. Unë nuk prita dhe i thashë: “Shyqyr që vendose!”. Sakaq, i futi një breshëri të qeshure. “Sot, në orën 17:45 duhet të jesh në zyrën time”, më tha. U largova i gëzuar që më në fund do të pastrohej ajo plehrë që i zinte frymën e Tiranës. Në  orën 17:45 shkova në zyrën e tij. Ai edhe një herë u sigurua për vendosmërinë time. Pasi e mori atë, u ndamë për t’u takuar pas gjysmë ore. Rreth orës 18:15 u futa në paradhomën e Kryeministrit dhe në atë moment futet dhe Edi Rama. Pa më përshëndetur m’u drejtua: “Është në taketuke ky që do të prishë parkun ‘Rinia’?”. Sakaq e shoqëroi pyetjen duke vendosur gishtin e tij të gjatë te tëmthat: “Nuk thua sa mirë që vendosi të shkatërrohet ajo gërmadhë”, ia ktheva unë. Më pa në sy dhe heshti. E kuptoi që gjithçka ishte vendosur. Të ftuarit e Kryeministrit erdhën. Ishte ministri i Mbrojtjes, ministri i Brendshëm, sekretari i Shtetit, Ndre Legisi, unë, Edi Rama dhe dikush tjetër. Ilir Meta e filloi kështu: “Ju kam thirrur t’ju njoftoj se do të kryhet një operacion i madh. Do të prishet parku ‘Rinia’”. Te pranishmit zmadhuan sytë. Dukej hapur frika. Përveç Ilir Metës që ishte urdhëruesi, unë Mit’hat Havari zbatuesi dhe Ndre Legisi qëndruam të qetë. Meta vazhdoi: “Z. Mit’hat Havari, në cilësinë e drejtorit të Policisë Ndërtimore, bashkë me strukturën e tij do shkatërrojë ndërtimet në atë park. Policia e Tiranës, domethënë Ministria e Brendshme, do ta mbështesë. Ministria e Mbrojtjes, pas prishjes, me mjetet e saj do të heqë inertet, ndërsa ju z. Rama do ta ktheni në zonë të gjelbër me punonjësit e Bashkisë. Shef i operacionit do të jetë z. Havari”. Heshtje për një moment. Atë e theu Ilir Gjoni, i cili m’u drejtua: “Z. Havari, sikur të lëmë pa prishur një nga PD, një nga PS, e di ti për kë e kam fjalën. Gaz Demi dhe ajo me xhama të zinj, që i përket një ndërtuesi nga Tropoja”. Iu përgjigja shkurt: “Jo. Ligji është një për të gjithë”. Ilir Meta vuri buzën në gaz me mënyrën si iu përgjigja ministrit, shkurt, serioz, i vendosur, dhe jo frikacak apo llafeshumë. Ilir Meta mbylli mbledhjen duke na uruar punë të mbarë.
Ditën e diel dhashë një konferencë shtypi në Kryeministri duke njoftuar opinionin nëpërmjet mediave se do të prishej parku “Rinia”. Mbaj mend se gazeta “RD” më akuzoi se isha ushtar i Metës.
Ditën e hënë filloi operacioni dhe ditën e premte mbaroi. Të gjithë pronarët e mirëkuptuan vendimin e qeverisë dhe të sjellshëm i çmontuan vetë duke marrë dhe pllakat e dyshemeve. Hallall, ishte prona e tyre.
Kisha dhënë urdhrin që të mos u dëmtohej asgjë me forcë. Për ironi të fatit, E. Rama te ky libër thotë se një miku i tij (nuk po ia përmend emrin) e çmontoi vetë ndërtesën. Pikërisht ky person, i privilegjuari i Ramës, ndërsa ne vepronim, m’u drejtua me këto fjalë: “Është pronë private, z. Havari”. Ia ktheva shkurt: “Nuk ka pronë private në tokën e shtetit. Do fillosh ta çmontosh, apo të veprojmë ne?” Më tha se do takoheshim në gjyq. Në atë moment dhashë urdhër të prerë: “Zef, godite!” (Zefi ishte komandant i grupit dhe që i jepte urdhra fadromistit).
Dua t’i them Ramës se ditën që fillova operacionin e vështirë, ai pinte verë së bashku me Metën në një restorant në mal të Dajtit dhe që andej shihnin nëpërmjet televizorit M. Havarin, “mikun tuaj”, që po u jepte shpresë njerëzve se shteti vepron dhe është i fortë.
Operacioni vazhdoi sipas planit dhe pas një muaji e pak parku “Rinia” u shndërrua në një qilim të blertë. U transformua falë vullnetit të qeverisë dhe personalisht të Ilir Metës dhe institucioneve të tjera që vareshin prej tij, përfshi këtu dhe Policinë Ndërtimore që unë drejtoja. Në përfundim të çdo vepre vjen dhe përurimi.
“Po kush e përuroi?”, do pyesë dikush. Ilir Meta dhe Edi Rama. Mit`hat Havari nuk ishte thirrur dhe natyrisht ky ishte turpi i tyre. Kur unë e pyeta Edi Ramën menjëherë sapo mora informacionin për veprimin e tyre të ulet, m’u përgjigj: “Hë mo dhe ti! Çfarë përurimi?! Dava park ‘Rinie’…”. I thashë: “Po mirë, atë dava park ‘Rinie’ e përuron Kryeministri, kryetari i Bashkisë dhe mungon protagonisti kryesor që i vuri gjoksin duke u ndeshur me rrezikun?! S`ka problem. Ju kam lënë Zotin”. Dhe u largova zemërthyer.
PS: Në zgjedhjet elektorale të vitit 2005 unë kandidoja te partia e Genc Pollos. Në kuadër të propagandës së fushatës elektorale isha i ftuar në emisionin e mirënjohur “Zonë e lirë” që drejtohet nga gazetari i mirënjohur Arian Çani. Ky i fundit, me ato pyetjet e tij befasuese, m’u drejtua: “A e di z. Havari se Edi Rama ka deklaruar se parkun ‘Rinia’ e prishi ai?”. U befasova dhe nuk e besova. Iu përgjigja Çanit tekstualisht kështu: “Edi Rama është artist e bir artisti, është djalë Tirane, është intelektual, i mjaftojnë kontributet e tij dhe nuk mbërrin në atë shkallë sa të grabisë kontributet e të tjerëve. Parkun ‘Rinia’ e prishi Mit’hat Havari. Të tjerat, sipas detyrave që ngarkoi Kryeministri. Edi Rama mbolli barin jeshil”.
Muaj më vonë takohem me Ramën te shkallet e hotel “Tiranës”, pesëmbëdhjetëkatëshit. Sa më pa, me një fytyrë të zezë e duke më hedhur krahun e tij të gjatë rreth qafës, më tha: “Mit’hat Havari, historia duhet thënë ashtu siç është”. E pyeta se përse e kishte fjalën dhe sakaq ia hoqa dorën nga qafa. Ishte e rëndë sa një dru lisi. “Për parkun, kishe folur te Arian Çani. Apo e kë bërë në kuadër të fushatës elektorale?”. “Po, ke të drejtë, – i thashë, – nuk kam thënë të vërtetën, se në paradhome të Kryeministrit më the se ai është në taketuke që donte të prishte parkun”. “Unë ta kam thënë?!”, m’u drejtua dhe u trondit nga kujtesa ime brilante. Ndërsa vazhdova: “Domethënë, qenka e vërtetë që ti ke grabitur kontributin tim?”. Ai s`më dha përgjigje, por u largua i poshtëruar nga argumentet e mia të pakundërshtueshme. Gjithnjë kisha menduar të reagoja ndaj këtij veprimi të tij të ulet, por thosha: “Nuk kam për të rënë në nivelin e tij. Qytetarët janë dëshmitarë të gjallë”.
Kisha detyrim moral ndaj shumë njerëzve të thjeshtë e të ndershëm që kur më takonin e më takojnë, më kishin thënë të indinjuar: “Si ka mundësi që Edi Rama pretendon se është ai që e prishi parkun ‘Rinia’, ndërsa e vërteta është krejt ndryshe?”. Këtyre njerëzve të mirë u përgjigjem: Askush nuk mund të gëzojë e të përfitojë nga djersa e tjetrit. Zoti vëzhgon!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura