Harta e re dhe KLD, sot prova e 84 votave në Kuvend

Jul 31, 2014 | 11:18
SHPËRNDAJE

Parlamenti do të zhvillojë sot seancën e fundit parlamentare, në të cilën pritet të kalojnë 7 projektligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar votash, të shtyra nga seanca e shkuar, ndërkohë që në këtë seancë pritet të vijojë sërish bojkoti i opozitës.
Në një kohë që në seancën e fundit do të miratohen projektligjet më të rëndësishme të këtij sesioni parlamentar, Partia Demokratike do të organizojë një tryezë debati për sektorin e shëndetësisë. Në axhendën e Kuvendit janë parashikuar për votim në total 23 projektligje, nga të cilat më “pikantet”, reforma e re administrative territoriale e Shqipërisë, projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë” dhe ndryshimi në projektligjin e gjykatave administrative. Po ashtu në axhendë për votim janë dhe tri ndryshime në Kodin Penal dhe për miratim Kodi i ri Doganor i Shqipërisë. Ndërkohë që ligjvënësit e majtë do të miratojnë sot edhe projektligjin ri për “Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, ndryshim që rrit moshën e pensionit për burrat dhe gratë. Të gjitha këto projektligje që të miratohen kërkojnë jo më pak se 84 vota në Parlament, çka i munguan herën e fundit maxhorancës së majtë për shkak të përplasjes brenda saj dhe rebelimit të 5 deputetëve. Por me “paqtimin” e tyre me Kryeministrin Edi Rama, deputetët e ashtuquajtur “rebelë” Tom Doshi, Mark Frroku, Armando Prenga e Pjerin Ndreu deklaruan se do të marrin pjesë në seancën e fundit të Kuvendit dhe do të votojnë pro reformave të qeverisë. Ndërkohë që në mëdyshje mbetet vota e deputetit të Partisë Socialiste, Parid Cara, i cili edhe pas takimit të zhvilluar dy ditë më parë me kreun e Grupit Parlamentar socialist Gramoz Ruçi, nuk ka deklaruar nëse do të votojë ndarjen e re të territorit, pasi kërkesa e tij për bashkimin e Kryevidhit me Kavajën ende nuk ka gjetur zgjidhje nga qeveria. Në seancën e sotshme prite të marrin pjesë edhe 5 deputetët e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, të cilët kanë deklaruar se do të votojnë pro reformës administrative territoriale. I pyetur për votimin e reformës territoriale, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, tha se prania e opozitës do të ishte e mirëpritur që në fillim të këtij procesi, por sipas tij, “çdo reflektim deri në minutën e fundit që do të aprovohet do të ishte pozitiv”.
Votat e lëkundura
Partia Socialiste në Parlament ka në total 85 vota, por nga pakënaqësitë e lindura nga ndarja territoriale maxhorancës pritet t’i lëkunden 3 vota. Konkretisht, reforma territoriale pritet të votohet kundër nga kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, po ashtu dhe nga deputeti socialist i Himarës, Andrea Marto. Ndërsa vota e tretë që mund të rrjedhë për reformën territoriale është ajo e deputetit të Kavajës, Parid Cara. Por me bashkimin e 5 votave të PDIU-së, Shpëtim Idrizi, Dashamir Tahiri, Tahir Muhedini, Omer Mamos dhe Aqif Rakipit, shumica e majtë nga 82 vota që mund të zbresë, mund të arrijë 87 vota për reformën administrative territoriale.
Projektligjet
Në axhendën e Kuvendit janë parashikuar të miratohen dhe 4 projektligje që kanë ngjallur debat, si ai për Policinë e Shtetit, që parashikon ndryshimin e emrit të Gardës së Republikës dhe të ligjit organik të saj, ndërkohë që po në këtë draft parashikohet dhe ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Po ashtu projektligji “Për planifikimin e territorit të Shqipërisë” dhe projektligji “Për miratimin e marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shoqërisë CEZ”.

Votimet sot në Kuvend
Projektligjet me shumicë të cilësuar
1.     Projektligji “Për ndarjen administrative territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.
2.     Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.
3.     Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”.
4.     Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 ‘Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë’ të ndryshuar”.
5.     Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7905, datë 21.3.1995, ‘Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë’ të ndryshuar”.  
6.     Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 22/2014 ‘Për dhënie amnistie’”.
7.     Projektligji “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”.

Projektligjet me shumicë të thjeshtë
1.     Projektligji “Për Policinë e Shtetit”.
2.     Projektligji “Për miratimin e marrëveshjes për zgjidhen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shoqërisë CEZ”.
3.     Projektligji “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.
4.      Projektligji “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

FATION BINJAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura