Guvernatori Sejko: Emigracioni dëmton perspektivat afatgjata të rritjes ekonomike

Jan 31, 2023 | 7:09
SHPËRNDAJE

Emigracioni mund të bëhet një faktor që dëmton perspektivat afatgjata të rritjes ekonomike të vendit. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha sot se, si një vend me histori të pasur emigracioni, Shqipëria ka përjetuar si anët pozitive, ashtu edhe ato negative të tij.

Sejko-1

Nga njëra anë, ky fenomen ka gjeneruar flukse hyrëse valutore dhe rritje të përgjithshme të dijeve e të ekspertizës, të cilat janë të domosdoshme për zhvillimin e vendit.

“Por, nga ana tjetër, ai pakëson forcën e punës – sidomos në segmentet më të kualifikuara të saj – dhe dëmton perspektivat e rritjes afatgjatë. Për këtë arsye, mendoj se nevojitet një koordinim më i mirë në nivel ndërkombëtar, për t’u kujdesur që përfitimet e ardhura nga emigrimi dhe lëvizja e lirë e njerëzve, të ndahen në mënyrë sa më të drejtë midis vendeve,” tha Sejko.

Në ceremoninë e prezantimit të raportit të tranzicionit 2022-2023, dokument i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Guvernatori nënvizoi disa nga sfidat e tjera që ka shtruar konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës. Sipas tij, tensionet gjeopolitike pasqyrohen në rritje të proteksionizmit, fragmentarizim të zinxhirëve të prodhimit dhe riorientim të flukseve të investimeve të huaja direkte drejt vendeve mike, si dhe frenim të procesit të globalizimit.

“Tensionet gjeopolitike ulin vëmendjen ndaj reformave strukturore, të cilat kanë qenë dhe mbeten instrumenti i vetëm për një rritje më të shpejtë e më të qëndrueshme ekonomike. Sa më sipër, detyra e politikëbërësve, në nivel kombëtar e ndërkombëtar, është t’i njohin këto sfida dhe të kujdesen për minimizimin e pasojave të tyre. Në veçanti, kryerja e reformave strukturore, e cila është ngadalësuar që prej nisjes së pandemisë në të gjitha vendet e rajonit, duhet të rikthehet si prioritet kombëtar strategjik për të gjitha vendet në tranzicion. Ndjekja e kësaj politike do të mundësonte si shuarjen e efekteve të mundshme negative në afat të gjatë, ashtu edhe nxjerrjen e disa përfitimeve ekonomike”, tha Guvernatori.

Duke analizuar efektet e deritanishme të inflacionit të lartë, Sejko tha se për operatorët e sektorit privat, rritja e kostove dhe dëmtimi i zinxhirëve ndërkombëtarë të prodhimit e të tregtimit, kërkoi një rivlerësim të përshtatshmërisë së planeve të biznesit, si dhe marrjen e masave operacionale e financiare për të ruajtur qëndrueshmërinë e bilanceve të tyre. Por, sipas tij, zhvillimet e deritanishme janë inkurajuese. Sektori privat shqiptar ka vijuar të shënojë rritje të konsumit dhe të investimeve, duke gjeneruar në të njëjtën kohë rritje të punësimit e të pagave, rritje të produktivitetit dhe bilance të shëndosha financiare. Nga ana tjetër, për vendimmarrësit e sektorit publik, rritja e shpejtë dhe e gjithanshme e çmimeve, parashtroi sfidën e dyfishtë të zbutjes së pasojave ekonomike e sociale në afatin e shkurtër dhe të ruajtjes së stabilitetit monetar e financiar të vendit në afatin e mesëm dhe të gjatë.

“Ne nisëm herët dhe ndoqëm në mënyrë konsekuente një proces normalizimi të qëndrimit të politikës monetare. Ky proces u materializua në rritje progresive të normës bazë të interesit, në komunikim të hapur të pritjeve tona për të ardhmen, si dhe në rikonfirmim të vazhdueshëm të vullnetit të Bankës së Shqipërisë për marrjen e të gjitha masave të nevojshme për kthimin e inflacionit në objektiv, brenda një horizonti kohor të arsyeshëm dhe me kosto sa më të ulëta mbi aktivitetin ekonomik.

Në të njëjtën kohë, reduktimi i deficitit buxhetor, i shfaqur në formën e frenimit të investimeve publike, ka ndihmuar në kontrollin e presioneve inflacioniste dhe ka rritur hapësirat e reagimit të politikës fiskale në të ardhmen. Paralelisht me të, subvencionimi i çmimit të shitjes me pakicë të energjisë elektrike për familjet dhe zbatimi i paketave sociale – masa këto të cilat vlerësohen rreth nivelit 2% të PBB-së -ndihmuan në zbutjen e ndikimit të goditjes në shtresat më të brishta të shoqërisë shqiptare. Politikat tona ekonomike ndihmuan në ruajtjen e një niveli relativisht të ulët të inflacionit krahasuar me vendet e rajonit, në uljen e pasigurisë, si dhe në ruajtjen e stabilitetit financiar.

Projeksionet tona sugjerojnë se inflacioni do të vijojë trajektoren rënëse gjatë vitit 2023 dhe do të kthehet në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2024. Për më tepër, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet gjatë kësaj periudhe, ndërsa bilancet e bizneseve e familjeve pritet të mbeten, në tërësinë e tyre, të shëndetshme”, u shpreh Guvernatori Sejko.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura