Gumi: Administrimi politik i zgjedhjeve është i dështuar

Dec 30, 2011 | 11:58
SHPËRNDAJE

Deputeti i PD, Viktor Gumi

Deputeti i PD: PS rrezikon të humbasë reformën zgjedhore.

“Abstenimi për Leskajn? Rruga e politikës kalon vetëm nga Kushtetuta”

“Projekti i administrimit politik të zgjedhjeve është përfundimisht i dështuar dhe skema e tij nuk erdhi nga PD-ja, por nga PS-ja”. Kështu shprehet anëtari demokrat i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Viktor Gumi, në një intervistë për gazetën “Panorama” lidhur me reformën zgjedhore.
Ai flet gjithashtu edhe për riformatimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por vë theksin te fakti se ende nuk po flitet asgjë për mënyrën se si do të formohen komisionet e niveleve të dyta dhe të treta. “Deri më sot kemi dëgjuar idenë e riformatimit të KQZ-së, por asnjë fjalë dhe asnjë ide për komisionet e niveleve të dyta dhe të treta. Vërtete qenkan këta të parëndësishëm? KQZ-ja është stacioni i fundit i administratës zgjedhore dhe do të ndjekë konturet e administrimit zgjedhor si një i tërë. Në 2011 nuk e kemi shansin as të mendojmë të gabojmë, dhe jo më të hedhim hapin e gabuar”. I pyetur për votën abstenim në votimin ndaj Bujar Leskajt për postin e kreut të KLSH-së, Gumi thekson se “ka ekzistuar, është dhe do të jetë sa kohë jemi demokraci vetëm një parim: Politikë jashtë Kushtetutës nuk ka”. Presidenti i tridhjetë i SHBA-ve ka thënë dikur: ‘Të jetosh nën Kushtetutën e SHBA-ve është privilegji më i madh politik që i është dhënë ndonjëherë një qenieje njerëzore’. E vërtetë, sidomos sot, apo jo?”.
Zoti Gumi, prej më shumë se një muaji është konstituuar Komisioni i Reformës Zgjedhore. Ndonëse janë zhvilluar vetëm dy mbledhje, mbi cilat pika po punohet në fillim?
Ne jemi në hapat e parë të reformës elektorale. Si gjithnjë hapi i parë duhet të hidhet me kujdes dhe të ketë brenda arsyen e shëndoshë, të paparagjykuar, kushtetuese dhe sipas praktikave më të mira të një shoqërie demokratike. Si në ritualin e jetës së zakonshme duhet të shohim pas për të hedhur më të sigurt hapat e së ardhmes. Për shembull, kush është problemi i zgjedhjeve? Cila është “thembra e Akilit”, që në 2013-n do ta shndërrojmë në çelësin e artë për zgjedhjet. Nëse shohim të djeshmen “fajin e kanë 20 mijë komisionerë të opozitës, sepse u shitën”. Më se një herë ndërkombëtarët na thonë se skema e ndërtimit të administrimit të zgjedhjeve me aktorë politikë në Shqipëri është keqadministruese. Projekti i administrimit politik të zgjedhjeve është përfundimisht i dështuar dhe skema e tij nuk erdhi nga PD-ja, por nga PS-ja, ndaj edhe përgjegjësia nuk është jetime.
Megjithëse ende nuk është diskutuar në komision, nga opozita nuk kanë qenë të paktë zërat që kanë folur për një riformatim të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Ju e mbështesni këtë variant?
Sot këtu qëndron e keqja. Është në fazat e para ideja e krijimit të një “kuçedre zgjedhore”, koka do të jetë tërësisht tjetër, duart totalisht të ndryshme dhe këmbët jashtëzakonisht të ndryshme. Dhe pastaj “.… edhe kësaj radhe zgjedhjet …”. Deri më sot kemi dëgjuar idenë e riformatimit të KQZ-së, por asnjë fjalë dhe asnjë ide për komisionet e niveleve të dyta dhe të treta. Vërtete qenkan këta të parëndësishëm? KQZ-ja është stacioni i fundit i administratës zgjedhore dhe do të ndjekë konturet e administrimit zgjedhor si një i tërë. Në 2011 nuk e kemi shansin as të mendojmë të gabojmë, dhe jo më të hedhim hapin e gabuar.
Disa nga rekomandimet e OSBE/ ODIHR dhe të Komisionit të Venecias kanë të bëjnë pikërisht me procesin e votimit dhe atë të numërimit. Mbi çfarë kriteresh do të shikohet mendimi i Kodit në këto pika?
Merrni vetëm një aspekt, numërimin elektronik. Pse numërimi elektronik është kaq themelor, kaq fajtor është ai i sotmi që duhet të ndryshohet skema aktuale? Pse për shembull PS-ja nuk propozon votimin elektronik si një praktikë e mirëkonsoliduar dhe konsensuale edhe në demokracitë e brishta siç është shoqëria shqiptare. Pse kërkohet të mbytet pa lindur votimi elektronik dhe të vendoset në piedestal numërimi elektronik? Asnjë analizë e shëndoshë juridike e PS-së nuk jep përgjigje. Halli i madh është si të kontrollojmë politikisht procesin dhe jo si të bëjmë zgjedhjet me standarde. Makthi i madh është se nuk do të ketë ushtarë të komanduar politikisht që të bllokojnë dhe të zhbllokojnë me urdhër politik zgjedhjet. Kjo është e keqja, dhe sa kohë nuk e shohim në sy, nuk e gjejmë dot zgjidhjen.
Zoti Gumi, ju keni qenë një nga tre deputetët e Partisë Demokratike që keni abstenuar në votimin në Kuvend të kandidaturës së Bujar Leskajt për postin e kreut të KLSH-së. Për çfarë arsye nuk votuat pro tij?
Ka ekzistuar, është dhe do të jetë sa kohë jemi demokraci vetëm një parim: “Politikë jashtë Kushtetutës nuk ka”. Presidenti i tridhjetë i SHBA-ve ka thënë dikur: “Të jetosh nën Kushtetutën e SHBA-ve është privilegji më i madh politik që i është dhënë ndonjëherë një qenieje njerëzore”. E vërtetë, sidomos sot, apo jo?

 

Ish-deputeti i PS reagon në Facebook
Islami: Rama, i paaftë të fitojë zgjedhjet

Kastriot Islami

Deputeti i pavarur, Kastriot Islami, komentoi dje deklaratën e Edi Ramës se “çështja ‘Islami’ është një çështje e mbyllur për PS”. Deputeti tashmë i çregjistruar nga Grupi Parlamentar socialist shprehet se me mendësinë që ka kreu socialist, humbet dhe zgjedhjet e ardhshme. “Ndjeva një keqardhje për mediokritetin dhe kompleksin e inferioritetit ndaj inteligjencës së njeriut të radhës që drejton PS-në. Një ndjenjë mëshire për urrejtjen që drejtuesi i PS ka ndaj profesorëve dhe të gjithë atyre me eksperiencë. Dështimi i radhës në 2013-n do të jetë për të njëjtën arsye, mediokriteti dhe paaftësia e Ramës për të ndërtuar projekt fitues. Ashtu siç ishte humbësi i 2009-s dhe kandidati më i dobët i PS në 2011-n, Rama do të jetë e vetmja arsye e humbjes në 2013-n…. Ndiej keqardhje vetëm për socialistët e ndershëm që për herë të parë në këtë tranzicion demokratik do të qëndrojnë 12 vjet në opozitë…”, u shpreh Islami në faqen e tij ne Facebook.

ADI SHKEMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura