Grupi i Shullazit kërkon lirinë. Provat e reja që ka akuza për t’i lënë në burg

May 30, 2016 | 16:20
SHPËRNDAJE

Emiljano Shullazi dhe dy të akuzuarit si anëtarë të grupit të tij pritet të sfidojnë ligjërisht arrestimin në Gjykatën e Lartë brenda pak ditësh.

shullazi arrestim

Rekursi i Emiljano Shullazit, Gilmando Danit e Blerim Shullazit është regjistruar në Gjykatë dhe pritet që brenda pak ditësh të mbahen seancat përkatëse. Në tri rekurset që janë regjistruar veçmas, objekti i tyre është “rivlerësimi i arrestimit në flagrancë” dhe “caktimi i masës së sigurimit personal” për Emiljano e Blerim Shullazin dhe Gilmando Danin.

Tre personat e arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për një sërë akuzash të rënda si gjobëvënie, shkatërrim i pronës me eksploziv etj., kërkojnë kështu në Gjykatën e Lartë që arrestimi i tyre të shpallet i paligjshëm dhe masat e arrestit me “burg pa afat” të shfuqizohen.

Avokatët mbrojtjes të tre të pandehurve kanë pretenduar se ndaj Emiljano Shullazit dhe dy personave të tjerë të akuzuar nuk ka pasur kallëzim penal dhe prova për akuzat e ngritura. Nga ana tjetër, Prokuroria deklaron se gjatë javëve të fundit ka mbledhur prova të reja që do t’i shtohen fashikullit penal.

TRI REKURSET

Në datën 5 maj, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Emiljano Shullazin. I njëjti vendim u dha edhe për dy të akuzuarit e tjerë, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi.

Por, nga ana tjetër, rezulton se 13 ditë pas vendimit në Apel, pra në datën 18 maj 2016, në Gjykatën e Lartë janë regjistruar rekurset përkatëse për të tri vendimet e Apelit, ku kërkohet heqja e masës së sigurisë me burg dhe shpallja e arrestimit të paligjshëm.

Nga ana tjetër, mësohet se Prokuroria do të kërkojë mbajtjen në burg të tre të pandehurve, duke vlerësuar provat që ka arritur të mbledhë deri më tani, por edhe rrezikshmërinë e veprave penale që kanë ndodhur e për të cilat po hetohen të pandehurit.

AKUZAT

Sipas Prokurorisë, më datë 14 dhe 15.04.2016, një grup personash, ndër të cilët dyshohet se janë shtetasit Emiljano Shullazi, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi, kanë kanosur me jetën e tyre dhe të familjarëve të tyre, shtetasit Mynyr Koni, përkatësisht ish-dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe njëkohësisht në kohën e ngjarjes, kandidat për rektor i Universitetit të Tiranës, si dhe Dhori Kulen, në kohën e ngjarjes rektor i Universitetit të Tiranës, duke i urdhëruar tërheqjen nga kandidimi për rektor të Universitetit të Tiranës, të shtetasit Mynyr Koni.

Dy ditë më pas u bë arrestimi i tre personave, pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte regjistruar që në shkurt procedimin penal ndaj tyre për veprat penale “shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “kanosje për shkak të detyrës”, “trafikim të narkotikeve” dhe “grupi i strukturuar kriminal”.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura