Grillo: Bersani, i vdekur që flet, nuk ia jap votëbesimin

Feb 28, 2013 | 13:02
SHPËRNDAJE
Bepe Grillo, kreu i “Lëvizja 5 yjet”

Fituesi i vërtetë i zgjedhjeve italiane, komediani Bepe Grillo, i ka thyer një përgjigje fyese ftesës së kreut të koalicionit të qendrës së majtë, Pier Luixhi Bersani, duke e quajtur atë “të vdekur që flet”. “Bersani është një ngacmues politik, prej ditësh po bezdis. Lëvizjen 5 Yjet me propozime të pavenda në vend që të japë dorëheqjen, siç do të bënte gjithkush tjetër në vendin e  tij. Ka arritur madje të humbasë duke fituar”, shkruan lideri i “Lëvizjes 5 yjet” në një koment me titullin “Bersani, i vdekur që flet”. “I ka kaluar muajt e fundit duke formuluar gjykime tërësisht politike”, shton Grillo, duke renditur të gjithë sulmet e marra në fushatë elektorale nga sekretari i PD-së. Që nga “autokrat leckash” e deri te “do të ma çojë në shkatërrim”. “Tani ky dështak ka arrogancën të kërkojë mbështetjen tonë (…) Por M5S (Lëvizja 5 yjet) nuk do t’i japë asnjë votëbesim PD-së (as të tjerëve). Do të votojë në sallë vetëm ligjet që respektojnë programin e saj, cilido qoftë ai që e propozon. Nëse Bersani dëshiron të propozojë anulimin e kontributeve për partitë që nga zgjedhjet e fundit do ta votojmë menjëherë (Lëvizja 5 Yjet ka refuzuar 100 milionë eurot që i takonin për fushatën), nëse do të vendosë në kalendar të ardhurat e qytetarëve, do ta votojmë me pasion”, ka shkruar ai.
Reagimi i Bersanit
Replika e lideri të PD-së ka qenë shumë e shpejtë: “Atë që duhet të më thotë Grillo, përfshirë edhe fyerjet, dua ta dëgjoj në Parlament. Dhe atje gjithkush do të marrë përgjegjësitë e veta”. Në mëngjes, gjatë mbërritjes në selinë e partisë së tij, PD, Bersani ka thirrur këshillin nacional të partisë për të martën e ardhshme. Ai ka konfirmuar pozicionin e tij: jo qeverisë së gjerë me PDL, përpjekje për të hapur dialog me “Lëvizjen 5 yjet”.
Protesta në blog
Ndërkohë në blogun e Grillos, pas përgjigjes së “Lëvizjes 5 yjet” për ofertën e Bersanit, qindra komente i kanë kërkuar atij të jetë pragmatist. “Mund të bëjmë konflikt interesash, ligj antikorrupsion, të ulim numrin e parave dhënë parlamentarëve, ligj elektoral. Dhe lideri fiksohet me fyerje për Bersanin?”, ishte një prej komenteve. Ndërsa një tjetër shkruante se “vendin mund ta ndryshojmë duke arsyetuar me të tjerët”.

“Kujdes me tregjet”
Ministri gjerman i Financave, Volfgang Shaubëll, duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve italiane, ka theksuar se paqartësia rrezikon të minojë tregjet e eurozonës. “Këtë e pamë një vit më parë me zgjedhjet në Greqi. Pasiguria politike lëkundi tregjet dhe kjo ndikoi edhe në vende të tjera”, tha Shaubëll për “Reuters”.

Napolitano: Na respektoni
Presidenti italian, Xhorxho Napolitano, gjatë vizitës në Gjermani ka anuluar takimin me kandidatin socialdemokrat për Kancelarinë, Peer Steinbrueck, pasi ai deklaroi se ishte e pavend fitorja e dy palaçove, duke iu referuar Berluskonit dhe Grillos. “E respektojmë Gjermaninë, por edhe kërkojmë respekt”, tha Napolitano.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura