Grevistët, apel ambasadorëve: Ushtroni presion ndaj qeverisë

Sep 30, 2012 | 11:40
SHPËRNDAJE

Ish-të përndjekurit politikë, të cilët vijojnë grevën e urisë që prej datës 22 shtator, nëpërmjet një deklarate për media, dje u kanë bërë thirrje ambasadave dhe përfaqësive të huaja diplomatike në vendin tonë që të bëjnë presion mbi qeverinë, që kërkesat e tyre të marrin zgjidhje. Ish-të dënuarit politikë në kohën e komunizmit kërkojnë nga qeveria përmbushjen e kushteve minimale të jetesës, duke theksuar se do të vetëflijohen nëse nuk gjendjet një zgjidhje sa më parë. “U bëjmë thirrje të gjitha ambasadave dhe përfaqësive të huaja diplomatike, shoqatave të të drejtave të njeriut etj., për të ushtruar presionin e tyre pozitiv mbi këtë qeveri neo-komuniste, që është e gatshme për të na flijuar përsëri dhe për të na mbyllur gojën një herë e mirë. Ne jemi për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, por do t’ju luteshim mos të na lini ne të vdesim, disidentët e të gjitha sistemeve dhe të integroni këtë qeveri neo-komuniste, të përbërë nga sekretarët e Partisë së dikurshme dhe fëmijëve të tyre, akoma edhe sot në pushtet. Ju lutemi hajdeni të shikoni sesi akoma dhe sot, neo-komunistët në pushtet po përçudnojnë jetë njerëzish dhe nuk kanë sensibilitetin më të vogël human për të drejtat tona. Ne nuk kërkojmë vila të Gjiri i Lalzit, siç qeveritarët tanë gëzojnë nga lekët që vjedhin dhe masakrojnë këtë popull, nuk i kërkojmë vilat as të veshura me mermer, as me tavolina pokeri e as të pajisura me sauna e tavolina bilardoje, siç ministrat tanë i kanë në shtëpitë e tyre”, thuhet në deklaratën e grevistëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura