Ish-të përndjekurit, në grevë urie edhe një 70-vjeçare me paterica

May 31, 2014 | 10:15
SHPËRNDAJE

Greva e ish te perndjekurve

TIRANE- Ka shkuar në 18 persona numri i ish-të përndjekurve politikë, që kanë hyrë në grevën e urisë, që po zhvillohet ngjitur me Institutin e ish-të Përndjekurve Politikë. Dje i është bashkuar grevës edhe një 70-vjeçare me paterica. “Quhem Turbullira Jakup Shalsi, kam jetuar 30 vite në internim, në Batër, në Bulqizë, në Martanesh dhe në Qafë-Bari. Që 18 vjeç më internuan, pasi më pushkatuan babain si tregtar. Deri tani kam marrë vetëm 600 mijë lekë të vjetër dëmshpërblim, që para 10 vitesh, ndërkohë që kam për të marrë edhe 80 milionë lekë të tjerë. Do të vdes këtu, as më bëhet vonë fare”, tha zonja e moshuar, ndërsa hodhi patericën para këmbës për të gjetur një krevat ku të pushojë mes grevistëve. Duke biseduar, ajo tregon se babai i saj, Jakup Shalsi, nga Berati, kishte mbaruar Shkollën amerikane bujqësore në Lushnjë dhe dinte gjuhë të huaja, si: anglisht, italisht. “Origjina e familjes sime vinte nga një rreth pronarësh që në kohën e Perandorisë osmane. Nga viti 1937 deri në vitin 1944, babai merrej me tregti dhe aktivitet në fushën e bujqësisë, industrisë, transportit. Kishte disa shoqëri të përbashkëta me italianët. Gjatë kohës së Zogut, im atë ka qenë deputet. Jakup Shalsi ka qenë njohur si nacionalist. Enveri e akuzonte atë se ishte me Ballin Kombëtar, ndaj e pushkatoi”, thotë Turbullira, ndërsa më pas familja e saj ishte internuar, duke i ndarë njëri nga tjetri.

Ish të përndjekurit nisën këtë grevë, duke parashtruar edhe 5 kërkesat e tyre

–          Dëmshpërblim total për të gjithë ata që kanë statusin e të përndjekurit politik dhe që i takon dëmshpërblimi brenda 2 viteve, dhe qe janë të gjallë.

–          Rikthim në administratë të gjithë fëmijëve dhe të ish të përndjekurve që janë larguar nga puna.

–          Shtimin në dëmshpërblim të internimit

–          Të rihapen dosjet që kanë mbetur pezull në Ministrinë e Drejtësisë, si pasojë e burokracisë dhe urrejtjeve klasore që ka politika shqiptare.

–          Të dënohet figura e kriminelit Enver Hoxha dhe të dali jashtë ligjit Partia Komuniste pasi ajo përbën një rrezik të madh për Shqipërinë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura