Greqia, me plan të ri kursimi, Parlamenti, “OK” Papandreut

Jun 30, 2011 | 10:52
SHPËRNDAJE
Nga protestat në Greqi

Plani afatmesëm i kursimit i paraqitur në Parlament nga qeveria greke, u aprovua dje me 155 vota pro dhe 138 kundër, duke i dhënë shpresa kabinetit të Papandreut për të ecur përpara planin e rimëkëmbjes së Greqisë, por duke shtuar zemërimin e protestuesve.Nga 155 votat pro që mori plani afatmesëm, i cili pritet t’i sigurojë 28 miliardë euro Greqisë nga kursimet e reja pesëvjeçare, 154 vota ishin të pozitës socialiste dhe 1 e opozitës së djathtë. Plani i kursimit u diskutua me shumë debate të ashpra për tri ditë në Parlament. Miratimi i këtij plani do të thotë se Greqia tashmë e ka rrugën të hapur për të marrë këstin e ardhshëm të huas nga BE dhe FMN, të cilat kishin vënë si kusht pikërisht miratimin e masave të reja të kursimit. Kësti i pestë i kredisë ndërkombëtare për Greqisë është 12 miliardë euro, por miratimi i planit të kursimit i hapi udhën edhe diskutimit për një paketë të re ndihme për Greqinë e mbytur në borxhe, e cila pritet të jetë 120 miliardë euro, nga të cilat rreth 70 për qind do t’i paguajë Eurozona dhe pjesën tjetër FMN-ja. BE e përshëndeti miratimin e paketës së kursimeve të qeverisë në Athinë. Presidenti i Komisionit të BE-së, Hose Manuel Barroso, dhe presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy, thanë se “Kështu vendi ka bërë një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të domosdoshëm të buxhetit dhe reformave ekonomike”. Por, miratimi i planit nuk u ka pëlqyer sindikatave dhe protestuesve grekë. Dhuna është rritur në qendër të Athinës dje, pas miratimit të masave të reja afatmesme të kursimit. Dhjetëra protestues dhe oficerë policie janë plagosur gjatë përleshjeve. Ka pasur raportime se disa protestues kanë hyrë në zyrat e partisë qeverisëse, PASOK. Dëshmitarët raportuan se kanë parë rreth 30 të rinj që janë ngjitur nëpër shkallët e një fasade të “Eurobank” në Sheshin Sintagma, në atë që u duk të ishte një sulm arsonistësh. Të rinjtë u zmbrapsën nga forcat e rendit, të cilët arritën t’i ndalonin ata të digjnin zyrat. Rreth së njëjtës kohë, disa të rinj të paidentifikuar kanë hyrë në zyrat e PASOK në portet Kretane të Hanias dhe Iraklios dhe kanë dëmtuar pronën pa prekur anëtarët e pranishëm të partisë. Një zëdhënës i Policisë së Athinës tha se rreth 30 policë janë plagosur dhe nuk ka shifra të sakta për numrin e protestuesve të lënduar. Janë arrestuar 9 persona dhe 29 të tjerë janë ndaluar.

Votimi

Vota pro
155 deputetë
(pozita 154,
opozita 1)

Vota kundër
138 deputetë

Abstenim apo mungesë
7 deputetë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura