Greqi, vazhdojnë arrestimet nga “Agimi i Artë”, 6 ligjvënës në pranga

Sep 30, 2013 | 12:35
SHPËRNDAJE

Një tjetër ligjvënës grek nga “Agimi i Artë” i shpallur në kërkim  u arrestua të dielën, duke e çuar në gjashtë numrin e ligjvënësve të prangosur nga partia e ekstremit të djathtë. Lëvizja e qeverisë për “shtypjen” e partisë me politika të ashpra kundër emigracionit ishte e para që nga viti 1974 që rezultoi me arrestimin e ligjvënësve grekë. Arrestimet tregojnë përpjekjet e qeverisë kundër “Agimit të Artë”. Kristos Papas, një ligjvënës i përshkruar nga prokurorët si numri dy i “Agimit të Artë”, ka dënuar sulmin që po i bëhet partisë së tij. Disa kanale televizive greke transmetuan mbërritjen e tij duke dalë nga një taksi dhe duke iu kthyer kamerave: “Paraqitem vullnetarisht. Nuk kam asgjë për të fshehur, asgjë për t’u trembur. Qeveria pushtuese e marrëveshjeve shtrënguese ka nisur një persekutim të paprecedentë politik, duke përdorur fjalën drejtësi. Nacionalizmi do të mbizotërojë. Agimi i Artë do të mbijetojë!”. Seancat gjyqësore të ligjvënësve grekë do të mbahen të martën dhe të mërkurën dhe me akuzën që rëndon mbi ta, besohet se masa do të jetë paraburgimi në pritje të gjykimit. Greqia po lëviz drejt përcaktimit si të jashtëligjshme të partisë së ekstremit të djathtë, duke u bazuar në aktivitetet e tyre të dhunshme në kohën kur vendi po përballet me krizën ekonomike. Kreu i kësaj partie, Nikos Mikaloliakos, disa ligjvënës dhe më shumë se 12 anëtarë të tjerë të kësaj partie u arrestuan të shtunën paradite në akuzat e themelimit dhe pjesëmarrjes në një organizatë kriminale, pas vrasjes së një këngëtari të njohur grek antifashist, nga një anëtar i kësaj partie.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura