Gratë e vitit 2013

Dec 30, 2013 | 11:28
SHPËRNDAJE

Ato kanë luftuar për idetë e tyre, kanë shkëlqyer me talentin, ose edhe me provokimin. Ato kanë qenë në qendër të vëmendjes së publikut dhe kanë ushqyer përditë faqet e gazetave dhe kronikat televizive. Që nga Malala, tek Angelina Jolie, Angela Merkel etj… Cilat janë gratë e vitit 2013 sipas “Madamme- Figaro”?

Angela Merkel
Sipas klasifikimit të “Forbes”, ajo është gruaja më e fuqishme e botës. Kjo u përforcua sidomos pas fitores së partisë së saj në zgjedhjet e shtatorit. Pasi krijoi një koalicion qeveritar, ajo u rizgjodh Kancelare në mandatin e saj të tretë në vendin më me influencë në Europë.

Malala Yousafzai
Me rezistencën e saj ndaj talebanëve, ajo është kthyer në vajzën më të guximshme në botë, ikona e luftës për arsimim dhe kundër obskurantizmit. Viktimë e një atentati, të cilit ajo i mbijetoi, Malala ka festuar këtë vit 16-vjetorin në OKB dhe është klasifikuar mes 100 personaliteteve më me influencë në botë.

Manifestimet turke dhe fustani i kuq
Kjo fotografi ka bërë xhiron e botës dhe ushqeu mobilizimin e popullsisë turke kundër politikës konservatore të Recep Tayyip Erdogan. Më 27 maj, kjo grua protestonte si të tjerët, në mënyrë paqësore në parkun “Gezi” në Stamboll, kundër projektit të shkatërrimit. Edhe pse e paarmatosur dhe krejt pasive, ajo u spërkat me gaz lotsjellës.

Janet Yellen
Më 9 tetor ajo u vendos në krye të FED, rezervave federale amerikane, emëruar nga Barack Obama. Ishte hera e parë që një grua vendosej në atë pozicion. Në moshën 67-vjeçare, ajo ishte zv.presidente e këtij institucioni dhe shquhej për kërkesën e lartë në punë dhe transparencën.

Reshma Begum
Vajza 19-vjeçare nga Bangladeshi mbijetoi 17 ditë nën rrënojat e Rana Plaza, në Savar. Ndërtesa, e cila shërbente si atelier tekstilesh për veshje perëndimore, u shemb më 24 prill, duke shkaktuar më shumë se 1100 viktima.

Margaret Thatcher
Gruaja e hekurt u nda nga jeta më 8 prill. Ajo do të mbahet mend si e para grua që drejtoi qeverinë e një vendi demokratik europian. E konsideruar si simbol i liberalizmit më të ftohtë, ajo thithi drejt vetes zemërimin e gjithë punëtorëve të Anglisë, që u ndien të sakrifikuar nga politikat e saj. Në vitin 1987 François Mitterrand do t’i thoshte se kishte “gojën si të Marilyn dhe vështrimin si të Kaligulës”.

Alice Munro
Në moshën 82-vjeçare dhe sapo kishte pohuar se do të hiqte dorë nga të shkruarit, ajo do të moderohej me çmimin “Nobel” në Letërsi. Momentalisht ajo është mbretëresha e letërsisë. E quajtur si Çehovi i Ontarios, ajo i ka kushtuar një vëmendje të veçantë personazheve femërore.

Adele Exarchopoulos e Lea Seydoux
Aktoret e filmit “La vie d’Adele” me regji të Abdellatif Kechiche, jo vetëm që tërhoqën vëmendjen e publikut dhe kritikës, por edhe u nderuan me tri “Palma të Arta” në Kanë. Filmi do të përfaqësojë Francën në çmimet “Golden Globe” në janar. Përveç interpretimit, ato tërhoqën vëmendjen dhe me intervistat e tyre, ku treguan prapaskenat e xhirimeve.

Angelina Jolie
Më 13 maj ajo zbuloi për “New York Times” mastektominë e saj të dyfishtë, të cilën e kreu si parapritur. Aktorja ishte bartëse e një gjeni që rrezikonte të shkaktonte kancerin e gjirit. Gjesti i saj, i konsideruar si i guximshëm, u mirëprit nga të sëmurët dhe mjekët. “Mund t’u them tani fëmijëve që nuk duhet të kenë frikë se mund të më humbin për shkak të kancerit të gjirit”, ka deklaruar aktorja.

Miley Cyrus
U zhduk përfundimisht Hannah Montana, heroina e “Disney”-t. Muzikën e ëmbël e zuri provokimi. Këngëtarja dhe aktorja e re amerikane ka ushqyer këto kohë kronikat rozë me fotografitë, gjestet, deklaratat dhe klipet e saj. Edhe pse e “masakruar” nga admiruesit e saj, Cyrus duket se po kërkon të jetë në qendër të vëmendjes me të gjitha mënyrat.

Beyoncé
Në janar ajo këndoi himnin amerikan në betimin e Presidentit të SHBA-ve, Barack Obama. Gjatë gjithë vitit që po lëmë pas është folur për këngëtaren, që nga prerja e flokëve, te koncertet, shitjet e disqeve, si dhe një ndarje e mundshme nga Jay-Z.

Wendy Davis
Senatorja demokrate e Teksasit la shenjën e vet këtë vit me fjalimin e saj prej 11 orësh, mbajtur në muajin qershor, në mbrojtje të të drejtës për të abortuar në Shtetet e Bashkuara.

Jennifer Lawrence
Pas një “Screen Actor Guild” dhe një “Golden Globe”, në moshën 22-vjeçare ajo do të fitojë çmimin “Oscar” si aktorja më e mirë femër për rolin e saj në “Happiness Therapy” në krah të Bradley Cooper. Energjia dhe hijeshia e saj ka gjallëruar atmosferën e ndarjes së çmimeve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura