Gratë e ushtarakëve, si llogariten vitet për të marrë pension

Feb 10, 2017 | 10:08
SHPËRNDAJE

Një grua që ka ndjekur burrin e saj ushtarak gjatë lëvizjeve nëpër qytete dhe nuk ka gjetur punë, vitet e lëvizjeve i njihen si vjetërsi për pension.

Eksperti i njohur i sigurimeve, Fadil Kepi, u përgjigjet në emisionin në “Radio Tirana” të gjitha shqetësimeve të qytetarëve për moshën e punës, kushtet dhe dokumentet që duhen për pension. Gazeta boton sot përgjigjet për rastet e pensionit social, të invaliditetit, për ata që vazhdojnë punë edhe pasi kanë dalë në pension, nënat me shumë fëmijë dhe rastet e tjera të veçanta, që trajton ligji.

Eksperti i Sigurimeve Shoqërore, Fadil Kepi
Eksperti i Sigurimeve Shoqërore, Fadil Kepi

Jam një invalid dhe dua t’ju pyes nëse një i verbër që nuk ka vjetërsi pune, a mund të përfitojë pension social, që është rreth 6800 lekë në muaj?

Të gjithë ata që bëjnë pjesë në kategorinë e personave me aftësi të kufizuara dhe që nuk kanë derdhur asnjë vit kontribute, nuk gëzojnë të drejtën për të përfituar pension social. Këta individë, aktualisht marrin 11 530 lekë në muaj. E njëjta shumë përfitohet edhe nga personi që i shërben, por këto nuk njihen si vite pune. Ndërkohë, në rast se ke filluar punë pas disa vitesh, atëherë merr pension invaliditeti sepse ke punuar. Ndërsa personi që shërben merr edhe 15% të pagës shtesë. Po ashtu, nëse ka fëmijë deri në moshë shkolle, mbi masën e pensionit merr 5% për çdo fëmijë, që është nën moshën 25 vjeç, por jo më shumë se 30% rritje gjithsej.

Jam një invalid 65 vjeç. Kam punuar 13 vite në tejzgjahë, në Kombinatin e Tekstileve në Berat. Për këtë periudhë a përfitoj pension shtesë?

Të gjithë ata që janë invalidë dhe janë në prag të moshës për të dalë në pension mund të zgjedhin nëse duan të vazhdojnë të marrin pensionin e invaliditetit apo pensionin e pleqërisë. Përllogaritjet bëhen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Por fakti që ju keni punuar për një periudhë 13-vjeçare në tezgjahë nuk shërben për të përfituar shtesë në masën e pensionit. Të gjithë ata që kanë punuar në tezgjahë, qoftë në Kombinatin e Tekstileve në Berat, qoftë në Tiranë nuk kanë marrë asnjëherë pension shtesë, por kanë dalë 5 vite përpara në pension, përkatësisht burrat 55 vjeç dhe gratë 50 vjeçe.

Këtë vit dal në pension. Jam dekoruar me medalje pune me urdhër të Presidiumit të Kuvendit Popullor. A më takon pension suplementar?

Me skemën e re të pensioneve, që ka hyrë në fuqi në datën 1 janar 2015, burrat dalin në pension në moshën 65 vjeç. Ata të cilët janë dekoruar me medalje pune mund t’i paraqesin një kërkesë me shkrim Këshillit të Qarkut, duke i bashkangjitur shkresës edhe një kopje të dekoratës së marrë dhe motivacionin përkatës të noterizuar. Këshilli i Qarkut, pasi e shqyrton me kujdes kërkesën, ka të drejtë t’i propozojë qeverisë që të lidhet pension i posaçëm. Aktualisht trajtohen me pension të posaçëm 450 persona, që u përkasin 40 profesioneve të ndryshme. Pension i posaçëm është një shumë që i shtohet pensionit të pleqërisë, aktualisht është në vlerën e 27 500 lekëve të rinj në muaj mbi pensionin, por vendoset vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave. Gjatë këtij viti, Qeveria ka vendosur që vetëm 14 veta të marrin pension të posaçëm, midis tyre ka dy mjekë, ka sportistë dhe artistë. Saktësoj se jo çdo person që ka fituar medalje apo dekoratë me patjetër do të marrë pension të posaçëm. Pensioni përfitohet pas dërgimit të kërkesës në Këshillin e Qarkut dhe miratimit me vendim qeverie.

Kam bashkëshorten, e cila ka 15 vite pune në Minierën e Bulqizës. Është nënë me 6 fëmijë. Pyetja e parë që kam është se si duhet të veprojmë për pjesën e mbetur të kontributeve? Së dyti, unë personalisht jam invalid i verbër, kam punuar 16 vite në minierë, a njihen këto si vite pune për bashkëshorten, e cila ka pasur kujdestarinë?

Nënat me shumë fëmijë, që kanë rritur 6 fëmijë dhe i kanë mbi moshën 8 vjeç, dalin në pension me dëshirën e tyre gjatë vitit 2017 në moshën 55 vjeçe. Pra, sivjet mosha e daljes në pension është 60 vjeçe e 6 muaj, ndërsa për nënat me shumë fëmijë është 55 vjeçe. Kushti i dytë që kërkohet është se duhet të ketë 30 vite punë të siguruara në sektor shtetëror apo privat, në ish-kooperativat bujqësore ose si e vetësiguruar në bujqësi. Kontributi për sigurime vullnetare është 57 024 lekë në vit. Në rast se do të kishit vendbanimin në Bulqizë dhe do të kishit tokë, atëherë do të paguanit rreth 30 mijë lekë në vit. Meqenëse je larguar nga qarku, nuk të mohohet e drejta për të bërë sigurime vullnetare, por jo si i vetëpunësuar në bujqësi. Në momentin që i plotësoni këto dy kushte, ju duhet të dorëzoni dokumentet në zyrën e sigurimeve shoqërore, në kohën kur bashkëshortja mbush moshën për të dalë në pension. Të ndalemi te pyetja e dytë, ligji thotë se kujdestari që i shërben një invalidi paraplegjik dhe tetraplegjik, dhe jo për diagnoza të tjera, u quhet vjetërsi pune dhe kontributet u paguhen nga buxheti i shtetit mbi bazën e pagës minimale. Kryetari i shoqatës suaj, Sinan Tafaj, ka kërkuar që t’u quhet vjetërsi pune edhe kujdestarëve që u shërbejnë të verbërve. Një nismë e tillë nuk kërkon miratim nga Kuvendi, sepse mund të zyrtarizohet nëpërmjet një vendimi qeverie. Deri më tani, një vendim i tillë ende nuk ka dalë.

Në vitin 2003 dola në pension dhe nga viti 2007 deri në fund të vitit 2016 punova si ekonomiste dhe mora njëkohësisht rrogën dhe pensionin. Në këtë kohë kam paguar edhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Pyetja ime është, nga 1 janari 2016- s, kur ndërpreva punën, a përfitoj shtesë pensioni për vitet që kam punuar pasi dola në pension?

Ju keni punuar për rreth 9 vite, pasi keni dalë në pension dhe keni përfituar njëkohësisht edhe rrogën, edhe pensionin. Sqaroj se në rastin tuaj nuk përfitohet shtesë pensioni, pasi janë marrë paralelisht edhe pensioni, edhe rroga. Në qoftë se do të kishit ndërprerë pensionin, atëherë do të përfitonit shtesë. Duke qenë se jeni ekonomiste me profesion, ju duhet ta dini që në momentin që punoni pasi keni dalë në pension, mirë është që t’i merrni të dyja pagesat njëherazi. Ky është varianti më i mirë për të gjeneruar më shumë të ardhura. Raste si ju ka edhe në Tiranë, p.sh., mësuese nga shkollat fillore dalin në pension dhe vazhdojnë ta ushtrojnë profesionin, duke marrë edhe rrogë, edhe pension.

Gratë e datëlindjes 1957, që dalin në pension këtë vit në moshën 60 vjeçe e 6 muaj, nëse kanë vite në kooperativë dhe vite pune në shtet, konkretisht 10 vite në kooperativë dhe 25 në shtet, a përfitojnë pension shteti?

Sivjet, pra deri më 31 dhjetor të këtij viti, femrat dalin në pension 60 vjeçe e 6 muaj, pavarësisht se ku kanë punuar. Për pension të plotë duhet të kenë 36 vite punë. Ato që kanë 36 vjet punë gjithsej, pavarësisht se kanë 10 vite punë në kooperativë bujqësore, marrin pension shteti. Në qoftë se nuk plotësohen vitet, si në rastin tuaj, që keni vetëm 35 vite sigurime dhe jo 36 vite sa kërkohen, atëherë do të lidhet pension kooperative dhe jo pension shteti. Pra kushti është 36 vite punë.

Jam gruaja e një ish-ushtaraku dhe kam dalë në pension në nëntor të 2015-s. Nga 32 vite e gjysmë, më janë llogaritur 21 vite, më mungojnë gati 11 vjet e 6 muaj para ’94-s. Ku mund të interesohem?

Ka një ligj të sigurimeve shoqërore me numër 41 171, të datës 13 shtator 1966, i cili thotë: Bashkëshortet e ushtarakëve që lënë vendin e punës dhe shoqërojnë bashkëshortin në një rreth që nuk ka punë për të, u quhen vjetërsi pune për efekt pensioni. Vërtetimi merret nga reparti ku keni punuar. Për rastin konkret, ju duhet të depozitoni një kërkesë pranë Komisionit të Ankimit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, pra aty keni dorëzuar edhe dosjen e pensioneve.

Gruaja është e datëlindjes 1959, kur del në pension dhe sa vite kontribute duhen për pension të plotë?

Sipas skemës së re të pensioneve, bashkëshortja juaj del në pension 60 vjeçe e 10 muaj, përkatësisht në maj të 2019-s. Për pension të plotë do t’i kërkohen 36 vjet e 8 muaj, përfshi edhe vitet që kanë punuar në kooperativë bujqësore. Vitet e paplotësuara mund të paguhen nëpërmjet skemës së sigurimit vullnetar. Pavarësisht se ka punuar në kooperativë bujqë- sore, do të marrë pension shteti dhe pensioni i shtetit aktualisht është më i lartë se pensioni i kooperativës. Një vit i plotë për femrat që kanë punuar në kooperativë quhet kur janë plotë- suar 230 ditë punë në vit ose 20 ditë në muaj. Ndërsa për meshkujt kërkohen 280 ditë në vit ose 24 ditë në muaj punë. Nga 1.10.1993, meqenëse familja ka marrë tokë, ka të drejtë të sigurohet si e vetëpunësuar në bujqësi për vetë faktin se janë më të lira kontributet. Pavarësisht se toka është ndarë me ligjin 7501, ligji për sigurimin vullnetar në bujqësi ka dalë më 1.10.1993. Ka disa raste, që për paaftësi nga ana e drejtuesve, qytetarëve u janë marrë paratë edhe nga janari i 1993-s. Vjetërsi pune quhet nga muaji tetor 1993. Nëse pagesat janë bërë edhe për 9-mujorin e parë, sigurimet shoqërore kanë detyrimin që t’i konvertojnë ato në vite pune.

Bashkëshortja ime ka 22 vite në punë në shtet dhe është në moshën 55- vjeçare. Kur mund të dalë në pension të pjesshëm?

Këtë vit dalin në pension 60 vjeçe e 6 muaj. Gruaja juaj është 55 vjeçe dhe i bie që të dalë në pension të plotë në moshën 63 vjeçe. Në qoftë se i ka vitet e plota të punës, mund të dalë në pension të reduktuar kur të mbushë moshën 60 apo 61 vjeçe. Duhet akoma kohë për këtë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura