Grabitje me armë në rrugën nacionale

May 31, 2011 | 10:36
SHPËRNDAJE

Grabitje me armë në mes të ditës, në rrugën nacionale Fier-Lushnjë.Tre persona, duke u hequr si udhëtarë i kanë dalë para furgonit me pasagjerë të linjës Fier-Elbasan, duke u rrëmbyer paratë që kishin me vete, madje dhe duke dhunuar dy prej tyre që tentuan t’i pengonin.
Më i dëmtuar ka qenë pasagjeri me inicialet S.R, 44 vjeç. Ky i fundit ka rrëfyer edhe të gjithë ngjarjen, duke treguar se rreth orës 11:30 të së dielës, tre persona kanë dalë nga muri i një barake që ndodhet në anë të rrugës Fier-Lushnjë. Sipas dëshmisë së 44-vjeçarit, në fillim njëri i kishte ngritur dorën furgonit duke i dhënë shenjë se donte të udhëtonte me të. Drejtuesi i mjetit ndaloi dhe e pyeti nëse ishte vetëm njëri që do udhëtonte apo jo. “Për tre vetë nuk kam vend. Nëse do të vish ti vetëm, eja”, mësohet të ketë thënë drejtuesi i mjetit. Autori ka pohuar se do të udhëtonte vetëm ai. Sapo është ngjitur në derën e furgonit, duke sjellë edhe vonesë, dy të tjerët kanë vrapuar në një distancë prej 3 metrash duke nxjerrë armët në kohë relativisht të shkurtër, çka i ka gjetur të papërgatitur si pasagjerët, ashtu edhe drejtuesin. Këtij të fundit, njëri prej grabitësve i pati drejtuar armën, duke i kërkuar të mos lëvizte. Nga ana e tyre, pasagjerët kanë tentuar të rezistojnë, por autorët i kërcënonin me jetën, nëse ata nuk do të nxirrnin gjithçka që kishin. Nga dëshmitë, pasagjeri i lënduar më shumë, bashkë me një tjetër, kanë gjuajtur mbi njërin prej grabitësve, por si përgjigje kanë marrë disa goditje të rënda me grushte dhe qytën e armës. Në momentin që po zhvillohej ngjarja, në mes të rrugës nacionale, në këtë aks kalonin dhe mjete të tjera, por asnjë prej tyre nuk është ndalur, pasi furgoni kishte hapur rrugën dhe ishte në një xhep të rrugës, i cili përdoret për vendqëndrim kur hipin ose zbresin pasagjerët. Policia ka mbërritur kur të dhunuarit dhe të grabiturit kanë bërë njoftimin. Furgoni ka qëndruar në vend, derisa Policia ka marrë të gjitha gjurmët e nevojshme, si dhe ka pyetur pasagjerët rreth veshjes së autorëve, tiparet, gjatësinë, moshën e të tjera të dhëna që ndihmuan në hetim. Blutë njoftojnë se tre personat, nën kërcënimin e armës dhe të pamaskuar, kanë arritur të marrin sendet personale dhe rreth 500 mijë lekë, të grumbulluara nga 7 pasagjerët që ndodheshin brenda. Policia vetëm brenda pak orësh, edhe duke u bazuar tek të dhënat e pasagjerëve, ka arritur të vërë në pranga shtetasit: Pëllumb Meta, 33 vjeç, Ardian Meta, 30 vjeç dhe Shaban Sinani, 44 vjeç, që të tre nga fshati Çermë e rrethit të Lushnjës.

Grabitet kazinoja

LUSHNJE – Rreth orës 03:00 të së dielës, dy persona të maskuar kanë grabitur nën kërcënimin e armës, një kazino në qytetin e Lushnjës. Sipas Policisë, ata kanë kërcënuar punonjësit dhe kanë marrë një shumë prej 20 mijë lekësh të reja. Ndërkohë, Policia njofton se shërbimet e Hetimit dhe Parandalimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Lushnjë, kanë kryer veprimet e para hetimore pranë vendit të ngjarjes dhe puna vazhdon intensivisht për identifikimin e kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje. Burimet nga vendi ku ka ndodhur grabitja tregojnë se kjo kazino grabitet për herë të dytë.

Grabitet kambisti

KORÇE – Grabitet një kambist në qytetin e Korçës, ndërsa ishte duke lënë punën dhe po përgatitej të shkonte për në shtëpi. Adriatik Skënderasi ka qenë në tregun e kambizmit, por në afërsi të rrugës ku kalojnë mjetet, i kanë kaluar dy persona me motor, të cilët i rrëmbyen një shumë prej 700 mijë lekësh. Të dy personat, ende të paidentifikuar nga Policia, nuk kanë qenë të maskuar në kohën kur kryen grabitjen e kambistit. Ata janë larguar me shpejtësi, ndërsa vetë kambisti ka shpejtuar të denoncojë grabitjen. Sipas hetimeve të para të Policisë, dyshohet se dy personat kanë pasur më parë dijeni për lëvizjet e tij dhe kohën kur ikte nga vendi i punës.

 

FIER/ MAJLINDA RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura