Grabitet me armë Western Union

Aug 31, 2011 | 11:04
SHPËRNDAJE
Vendi ku ndodhi grabitja e Western Union

Kanë zgjedhur mesditën e Fiter Bajramit, pikërisht në kohën kur pjesa më e madhe e qytetarëve elbasanas drekonin këtë festë të shënuar, për të grabitur një nga pikat Western Union.Dy persona ende të paidentifikuar nga policia kanë hyrë në një prej dyqaneve të transfertave të parave rreth orës 16:00, të maskuar me kapuç dhe syze të errëta, si dhe veshur me rroba ushtarake. Dyqani ndodhet në qendër të qytetit, në lagjen “Kongresi i Elbasanit”, dhe shërben edhe si agjenci udhëtimi. Duke shfrytëzuar këtë shërbim, autorët kanë hyrë brenda, duke i kërkuar punonjëses që të shihte për një biletë udhëtimi. Kjo e fundit ka dalë nga kabina e blinduar, ku edhe ndodhej kasaforta me para dhe është drejtuar për në kompjuterin e agjencisë së udhëtimit. Në këtë moment, dy shtetasit e maskuar e kanë kërcënuar me armë të tipit “Pistoletë” punonjësen dhe mësohet nga Policia se i kanë lidhur edhe duart. Dy shtetasit, që mendohet se janë të rinj në moshë dhe me trup mesatar, kanë hyrë në kabinën e blinduar dhe prej andej kanë marrë në kasafortë 5000 euro, si edhe 150 mijë lekë. Pasi janë larguar, ata e kanë shtyrë punonjësen e shërbimit dhe kanë dalë me ecje normale nga dyqani. Ka qenë pikërisht vajza e re, ajo e cila edhe pse në gjendje shoku, ka lajmëruar Policinë. Sipas Policisë, e mbërritur me shpejtësi në vendin e ngjarjes, bashkë me grupin hetimor, mësohet se dy shtetasit janë larguar në këmbë pas pallatit që ndodhej Western Union, në një nga bulevardet kryesore të qytetit, përballë ish-Shtëpisë së Kulturës. Më pas, autorët janë parë të ngjiten në një makinë të parkuar dhe janë larguar. Policia nisi menjëherë hetimet, duke marrë gjurmët e gishtave lënë nga dy shtetasit me maska, si edhe ka marrë në pyetje punonjësen e Western Union, e cila mësohet se ka qenë e tronditur nga situata. Policia gjithashtu ka verifikuar se pika e Western Union, që ndodhet në një nga bulevardet kryesore të qytetit, ka qenë e monitoruar me sistem kamerash 24–24 orë. Në këtë kuadër mësohet se pritet një urdhër i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, që policia të bëjë të mundur çinstalimin e kamerave dhe më pas të hetojë rreth identitetit të dy autorëve të ngjarjes së ndodhur në mes të ditës. Mësohet se Policia do ta ketë shumë të lehtë për të identifikuar personat me maska, pasi sipas tyre një nga pistat kryesore ku edhe do të nisin hetimet janë kamerat e vëzhgimit. Është një rast tronditës ngjarja e ndodhur mesditën e së martës, në festën e Fiter Bajramit në Elbasan, pasi pika e Western Union ndodhet në qendër të qytetit, në bulevardin ku në çdo orë të ditës ndesh me kalimtarë, si dhe mjete të ndryshme. Dyshohet se autorët e vjedhjes e kanë hetuar imtësisht situatën dhe vjedhja e kësaj pike ka qenë e paramenduar me kohë. Kanë qenë të pakta dyqanet e hapura në këtë orë të ditës në qytet, për shkak të festës, ku i ka dhënë mundësi dy autorëve të ngjarjes të kryejnë vjedhjen pa frikë dhe pa pasoja për t’u zbuluar.

Të dhëna

2 autorë
morën pjesë në grabitjen e pikës së Western Union

5 mijë euro
dhe 150 milionë lekë u grabitën brenda dyqanit

 

ELBASAN/ MIRANDA SADIKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura