Grabitën taksistin në Kavajë një muaj më parë, dy të arrestuar

Apr 30, 2012 | 14:09
SHPËRNDAJE

TIRANE – Arrestohen autorët e grabitjes së një taksisti në Kavajë. Policia e Tiranës, gjatë një operacioni të koduar “Kompli”, ka arrestuar dy persona dhe ka nisur hetimin në gjendje të lirë për një vajzë, pasi akuzohen si autorë të grabitjes së taksistit nga Kavaja një muaj më parë. Një javë më parë, Policia e Kavajës, pati filluar procedim penal në gjendje të lirë ndaj një personi të katërt, i cili kishte blerë për skrap taksinë e vjedhur nga tre autorët. Sipas burimeve nga Policia, mësohet se autorët e dyshuar të grabitjes së taksisë tip “Benz”, me targë DR 5128 C, në pronësi të Ibrahim Nikshiqit, janë Klajdi Kurti dhe Ardjan e Rudina Laçi. Sipas të njëjtave burime, këta janë tre klientët që i kanë grabitur taksinë Nikshiqit, i cili e ka denoncuar ngjarjen në polici më 5 mars të këtij viti, duke shpjeguar rrethanat e ngjarjes. Sipas kallëzimit të tij, rreth orës 10:30 të datës 5 mars, te Muzeumi i Dëshmorëve në Kavajë, ku punonte taksist me mjetin tip “Benz 240”, me targë DR 5128 C, ngjyrë krem, është marrë si taksi nga një djalë rreth 24-25 vjeç, që tashmë rezulton të jetë Klajdi Kurti. Nga aty ka shkuar në Golem, ku ka marrë shokun e “klientit” Kurti, që sipas Policisë është Ardjan Laçi. Më pas ka vazhduar rrugën deri në Durrës, ku djali që hipi në Golem, Laçi, është shprehur se do merrte të fejuarën. Pasi ka hipur në makinë edhe vajza, e cila dyshohet të jetë Rudina Laçi, të tre personat i kanë kërkuar taksistit që të kthehej sërish në Kavajë. Në hyrje të Kavajës, pa bërë ende pazar për shërbimin, i kanë kërkuar taksistit që të futet në një rrugë të pashtruar te “Fabrika e Letrës”, por Nikshiqi nuk ka pranuar, pasi sipas tij rruga ka qenë e pashtruar. Kur taksia ka ndaluar, tre “klientët” bashkë me shoferin kanë zbritur për të marrë çantat nga bagazhi. Kur Nikshiqi po nxirrte bagazhet e tyre, të tre janë futur në taksinë e tij dhe janë larguar. Nga hetimi që është kryer për ngjarjen, Policia e Kavajës fillimisht ka zbuluar personin që e kishte blerë taksinë e grabitur. Më 22 prill, filloi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të Aranit Dodës, ekonomist në një firmë private që funksionon si pikë grumbullimi skrapi, pasi rezultoi të kishte blerë mjetin “Benz 240”, me targa  DR 5128 C, për skrap, mjet që i ishte vjedhur Ibrahim Nikshiqit. Policia tha se gjatë operacioni “Kompli”, bashkë më një prej autorëve të grabitjes, Klajdi Kurti, është arrestuar edhe një mik i tij, Gentjan Ahmetsula, i cili në bashkëpunim me Kurtin, janë të dyshuar për disa vjedhje të ndodhura në zonën që ka në juridiksion Komisariati Nr.2 i Tiranës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura