Gomari rilind mushkë

Sep 30, 2013 | 12:12
SHPËRNDAJE

ARTAN HOXHA

  PATRIOTIZMI I PLEHRAVE
Këshilli (i Rilindur) i Ministrave vendosi që në mbledhjen e parë të tij, më 15 shtator, ndryshimin e ligjit  “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Teksti dhe relacioni i propozimit ndryshues u depozituan në Kuvend për t’iu nënshtruar diskutimit parlamentar. Ndryshimi i ligjit përmblidhet me shprehjen “Ndalohet importi … edhe i mbetjeve të parrezikshme edhe për riciklim”.
Me hyrjen në fuqi të ndryshimit ligjor do kullandrisemi vetëm me “plehrat” tona. Jashtë e larg ato nga importi. Referendumi s’ka më kuptim.
VETËVËRTETOHET GOMARLLËKU
I REFERENDUMIT
Nismëtarët e referendumit morën firmat e mbi 60 mijë qytetarëve mbi dokumentin zyrtar të pyetjes referendare në janar-shkurt 2012. Pyetja u hartua me ndihmën juridike socialiste, ndërsa firmat u mblodhën me ndihmën logjistike të strukturave socialiste.
Para dhe gjatë diskutimit në Gjykatën Kushtetuese, rezultoi se formulimi me shkrim i kërkesës referendare, në rast miratimi në referendum, do të sillte lejimin e plotë të importit të mbetjeve jo të rrezikshme për riciklim dhe jo ndalimin e plotë të tyre, siç kërkonin me gojë referendarët, pasi kërkohej vetëm shfuqizimi i nenit 49 dhe jo i nenit 48/3 të ligjit. Diçka e ngjashme ndodhte edhe me shfuqizimin e kërkuar referendar mbi nenin 22. Një tufë juristësh e teknicienësh kishin shtyrë në qorrsokak dhjetëra-mijëra qytetarë. Natyrisht, për Gjykatën Kushtetuese, ky gomarllëk nuk përbënte shkak ligjor për të mos i hapur rrugë referendumit, ndaj dhe e lejoi.
Kur gomarllëku doli sheshit, referendarët vazhduan të argumentojnë e të japin garanci se vetëm shfuqizimi i nenit 49 mjaftonte për arritjen e qëllimit dhe ndërhyrja në nenin 48 ishte e panevojshme. Ndërsa sot, në ndryshimin e propozuar nga qeveria, gomarllëku korrigjohet pasi propozohet edhe ndryshimi i nenit 48 krahas shfuqizimit të nenit 49, duke evituar, por edhe vërtetuar kësisoj gomarllëkun referendar.
Meqë referendarët dhe opozitarët e djeshëm – sot qeveritarë – janë bashkautorë të kërkesës referendare e këta, veçmas a së bashku, mund të mos bien dakord me përfundimin mbi gomarllëkun referendar, atëherë i ftoj të bëjnë një provë të thjeshtë – le ta modifikojnë ndryshimin e propozuar nga qeveria për ligjin, duke e miratuar atë në Kuvend fjalë për fjalë, siç ishte formulimi në kërkesën referendare.
NDRYSHIM LIGJI PA ARGUMENTE
Relacioni shpjegues i ndryshimeve të propozuara nga rilindësit – i gjithi tri faqe tekst – ishte edhe i përciptë, edhe kontradiktor, edhe manipulues.
Në relacion thuhet se dispozitat që lejojnë importin për qëllim riciklimi, bien në kundërshtim me direktivën e Bashkimit Europian mbi vetëmjaftueshmërinë dhe afërsinë, ndaj importi duhet ndaluar tërësisht.
Që Europën nuk e ka lënë mendja të ndalojë importin e mbetjeve – as mbetjet e rrezikshme e jo më të parrezikshme – ky është një fakt, i ditur e po kështu edhe që parimi në fjalë veçse orienton që importi të jetë plotësues i mbetjeve vendase.
Këtë parim respekton edhe ligji ende në fuqi. Përmes neneve 48 dhe 49 dhe akteve nënligjore, importi u lejua vetëm për 25 lloje mbetjesh të parrezikshme, nga mbi 500 të këtilla, dhe autorizimet për import u dhanë nga Këshilli i Ministrave, të kufizuara në sasi e kohë, vetëm pasi një industri e caktuar arriti të vërtetonte domosdoshmërinë e sasisë së kërkuar të importit, e cila nuk plotësohej nga mbetjet vendase. Rregullat përfshijnë edhe monitorimin e inspektimin gjatë ekzekutimit të autorizimit për import dhe ndëshkimin në rast devijimi. Transparenca dhe monitorimi edhe nga shoqëria civile garantohet ligjërisht para dhe pas marrjes së autorizimit.
Por, pa u zgjatur më tej, lidhur me këtë pretendim të relacionit, po rikujtoj deklaratën e datës 1.12.2011 të Komisionerit Europian për Mjedisin, Janez Potocnik: “Ligji për mbetjet është një hap i madh përpara, në përputhje me legjislacionin europian për trajtimin e mbetjeve. Gjithashtu, mënyra se si Shqipëria po e trajton importin e mbetjeve është në përputhje me legjislacionin europian, derisa Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Kështu po e shohin këtë çështje edhe ekspertet tanë. Kur ju të bëheni anëtarë të BE-së, ne mendojmë se ju do t’ju duhet të hiqni masat shtrënguese”. Pra, krejt e kundërta nga ajo që pretendon relacioni shpjegues i rilindësve për ndalimin e importit. Në fakt, është ndalimi i plotë, siç po kërkohet të bëhet, në kundërshtim flagrant me direktivën europiane dhe jo ligji aktual.
Sipas relacionit shpjegues, importi duhet ndaluar, pasi nëse ai ekziston, kjo do të bënte të pamundur përdorimin e lehtësirave fiskale dhe/ose subvencioneve mbështetëse për industrinë e riciklimit. Absurd, pasi nëse pohimi do të ishte i vërtetë për importin e mbetjeve, atëherë ai do të ishte i vërtetë për çdo industri tjetër që përdor lëndë të para nga importi dhe pra lehtësirat fiskale dhe subvencionet nuk mund të përdoren as në këto industri të tjera, ndërkohë që këto përdoren sot për sot e po kështu edhe vetë rilindësit kanë premtuar në fushatë e kanë në programin qeveritar plot premtime të këtilla për lloj-lloj industrish, pavarësisht origjinës së lëndëve të para.
Gjithsesi, rilindësit janë të vendosur për ndalimin e importit të mbetjeve dhe këtë e bazojnë në vlerësimin e tyre se importi penguaka parandalimin dhe reduktimin e mbetjeve në territorin shqiptar. Por, ky vlerësim deklarohet me një fjali të thatë në relacion dhe kaq. Rilindësit nuk kanë bërë asnjë përpjekje që të japin në relacion një shpjegim logjik dhe analitik se si e sa e penguaka importi i mbetjeve për riciklim parandalimin dhe reduktimin e mbetjeve shqiptare. Faktet tregojnë të kundërtën, që zgjerimi dhe modernizimi i industrisë ricikluese shqiptare ndër vite ka sjellë rritjen e shkallës së përpunimit të mbetjeve shqiptare, ndërkohë që importoheshin mbetje.
Ligjbërja e mirë, edhe në rastin e këtij vendimi për ndalimin total të importit të këtyre lëndëve të para, do të kërkonte një vlerësim të logjikshëm të lidhjeve shkak-pasojë, nga i cili duhej të rezultonte mjaftueshmërisht bindshëm se lejimi i importit do të prodhonte më shumë dëm se dobi publike, aq më shumë kur edhe në debatin publik parareferendar, grupi që kërkoi ndalimin e importit dha veçse ide tepër të përgjithshme mbi dëmet dhe rreziqet hipotetike, më të shumtat fantazi të sëmura, ndërsa grupi i industrive ricikluese ka argumentuar, me karta teknologjike dhe analiza ekonomike, se importi plotësues është i domosdoshëm për ekzistencën e industrive ricikluese e, për pasojë, do të pengohej edhe synimi primar, ai i parandalimit dhe reduktimit të mbetjeve dhe i një mjedisi sa më të pastër, pasi këto s’mund të arrihen pa industrinë ricikluese. Argumentimi sa më bindës i nismës ligjore nga qeveria është edhe një detyrim ndaj publikut dhe grupeve të ndryshme të interesit, qofshin pro a kundër.
Argumentimi është gjithashtu i domosdoshëm për të krijuar bindjen e arsyeshme për kushtetutshmërinë e ndalimit, ndërsa duket se ndalimi total i importit, aq më shumë pa argumente bindëse, vështirë se e kalon provën e ballafaqimit me nenet 11 dhe 17 të Kushtetutës, respektivisht mbi lirinë ekonomike dhe proporcionalitetin e kufizimit të kësaj lirie në raport me nevojën për mbrojtjen e interesit publik.
NGA GOMARI TE MUSHKA
Natyrisht, argumenti i referendarëve se shteti është i paaftë të monitorojë e parandalojë rreziqet që mund të vijnë edhe nga importi i veç 25 llojeve lëndësh për riciklim, nuk përmendet fare në relacionin e rilindësve.
Afërmendsh që rilindësit kanë besim të plotë te shteti kur e drejtojnë vetë e këtu diferencohen nga referendarët mjedisorë që s’kanë fare besim te shteti dhe i bën alergji çdo industri. Por, ndryshe nga referendarët që u rrekën të formulonin, qoftë edhe në jerm, disa argumente, rilindësit, tashmë në pushtet, as që përpiqen të japin ndonjë argument e as duan t’ia dinë për ata mijëra të punësuar dhe ato dhjetëra milionë euro kapitale dhe kredi të investuara në mirëbesim nga sipërmarrësit riciklues gjatë dekadës së fundit dhe, me kokëfortësi e prepotencë, me një të rënë të penelit, po marrin një vendim, pasojat negative të të cilit do të tejkalojnë edhe parashikimet më pesimiste.
A nuk është e gjitha kjo veçse evolucioni nga gomari i urtë te mushka xanxare?! Ndryshe quhet Rilindje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura