Gol kontrate, Hapoel Akre “blindon” Salihin

Apr 30, 2014 | 14:34
SHPËRNDAJE

Hamdi Salihi shënoi një gol historik për Hapoel Akre në fitoren minimale 1-0 ndaj Hapoel Haifa. Kjo për faktin se skuadra e shkodranit ka arritur të mbijetojë në elitën e futbollit izraelit edhe për sezonin tjetër. Natyrisht, e gjithë merita i kalon shkodranit, i cili shënoi golin e vetëm të takimit. Nisur nga kjo, sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka qenë i pari që është rikonfirmuar nga ana e drejtuesve të klubit edhe për edicionin 2014-2015. “Falë golit të shënuar në ndeshjen e fundit, i cili i dha mbijetesën skuadrës, Salihi pritet të qëndrojë edhe një sezon tjetër në Akre”, – shkruan portali sportiv izraelit “Sport5.co.il”. Kur shkoi në janarin e këtij viti në Izrael, shkodrani firmosi një kontratë për deri në fund të sezonit me opsion rinovimi edhe për një vit tjetër, ndonëse të drejtën për ta zgjatur kontratën e kishte vetëm klubi. Kështu, nëse Salihi nuk do të binte me lojën e tij, me shumë gjasa, ai nuk do mund ta vijonte aventurën te  kjo skuadër edhe për edicionin tjetër. Kjo është hera e parë që Salihi arrin të përvijojë kontratën që pas largimit nga Rapidi i Vjenës në Austri. Si te DC Junajtid në SHBA dhe në Kinë te Jiangsu Sianti, shkodrani nuk qëndroi më shumë se një edicion. Sakaq, nisur nga lajmet që vijnë nga Izraeli, skuadra e shkodranit ka mbetur thuajse pa trajner, pasi Juval Naim ka theksuar se nuk do të qëndrojë më në krye të ekipit, pavarësisht arritjes së objektivit sezonal.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura