Goditje e rëndë për Juventusin, titullari rrezikon 4 javë. Humb Lokomotivën dhe Milanin

Oct 28, 2019 | 12:03
SHPËRNDAJE

Juventusi bëri një “përplasje” të dhimbshme në Leçe, me plot kuptimin e fjalës. Jo vetëm dy pikë të lëna përballë një skuadre që përpara duelit të së shtunës nuk kishte marrë asnjë pikë në stadiumin e vet, por edhe disa dëmtime që ngrenë alarmin në radhët e bardhezinjve.

juventus

Nëse Gonzalo Higuain mori një bërryl të fortë në kokë, dukë pësuar një çarje të thellë, e cila e dërgoi menjëherë në spital pas ndeshjes, është Miralem Pjaniç ai që tremb më shumë. Lojtari më në formë i Juventusit deri në këtë pjesë të sezonit doli nga fusha duke shtrënguar muskujt e pasmë të kofshës së djathtë dhe ndonëse vizitat mjekësore janë parashikuar për në mëngjesin e sotëm, burime nga stafi mjekësor bardhezi nënvizojnë se fantazisti boshnjak pritet që të qëndrojë jashtë fushave deri pas pauzës së kombëtareve, e thënë ndryshe për 4 javët e ardhshme, në pritje të duelit të 23 nëntorit, kundër Atalantës.

PJANIC

Kjo do të thotë se përveç ndeshjes së radhës në kampionat, të mërkurën kundër Xhenoas, por edhe për derbin e fundjavës, Pjaniç me 90 për qind do të humbasë edhe duelin në Champions me Lokomotivën dhe supersfidën e 10 nëntorit me Milanin. Për takimin e mesjavës është në dyshim edhe Higuain, duke qenë se trauma e marrë në kokë ka qenë shumë e fortë, por ndërkohë edhe mesfushori Rodrigo Bentankur ka dalë me hematomë në brinjë, pas ndeshjes me Leçen, prandaj edhe ai pritet që të mos jetë pjesë e të grumbulluarve për Xhenoan.

Gjithsesi, lajmi i mirë për Juventusin është se për sfidën e të mërkurës do të kthehet në dispozicion Kristiano Ronaldo, i lënë pushim në Pulja, por sot priten përgjigje të analizave edhe për Duglas Kostën, ndonëse duket e vështirë që braziliani të jetë në dispozicion për Xhenoan apo Torinon, ndërsa ka shanse për të qenë i gatshëm ndaj Lokomotivës dhe Milanit.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura