Goditi me shkop bejzbolli shoferin, arrestohet polici në gjendje të dehur

Apr 30, 2014 | 14:01
SHPËRNDAJE

Shoferi i dhunuar nga efektivi i policisë
TIRANE – Një efektiv i Policisë së Tiranës është arrestuar mbrëmjen e së hënës nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj një drejtuesi automjeti. Efektivi i arrestuar është 46-vjeçari Xhevdet Dedja, me detyrë pranë Stacionit të Policisë së Farkës, në varësi të Komisariatit Nr.1. Dedja është denoncuar nga shoferi i një betoniereje për dhunë dhe veprime arbitrare ndaj tij, madje edhe për faktin se ishte nën efektin e alkoolit edhe pse në krye të detyrës. Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë se arrestimi i Xhevdet Dedjes u krye sepse të hënën, rreth orës 14:30, në rrugën dytësore Farkë – Krrabë, në fshatin Dobreshë, ka ndaluar në mënyrë arbitrare automjetin betoniere, me targë TR 1065 N, me drejtues shtetasin G.B., duke ushtruar dhunë ndaj tij. “Nga kryerja e veprimeve hetimore e procedurale rezultoi se veprimet punonjësit e policisë ishin nën efektin e alkoolit. Theksojmë se veprimet arbitrare të këtij punonjësi policie janë të përsëritura”, thuhet zyrtarisht nga Policia e Tiranës. Burimet thanë se shoferit të dëmtuar iu dha vendim për ekspertim mjekoligjor, që do t’i bashkëngjitet procesverbalit të arrestimit të efektivit 46-vjeçar. Pasditen e së hënës, drejtuesi i betonieres me targë TR 1065 N, shtetasi me iniciale G.B., ka qenë duke udhëtuar në një rrugë dytësore në drejtim të Krrabës. Diku afër fshatit Bërzhitë, efektivi i Policisë, Xhevdet Dedja, i ka bërë shenjë që të ndalonte automjetin. Pasi ka ndaluar dhe polici i është afruar derës së automjetit, drejtuesi ka deklaruar se në distancë e ndjente që ai kishte pirë alkool, pasi kur fliste e ndjente erën e alkoolit, por edhe nga mënyra se si fliste dhe si vepronte dukej që ishte i dehur. Për këtë arsye, në momentin kur polici i ka kërkuar t’i tregonte lejen e qarkullimit dhe patentën, shoferi ia ka treguar në distancë, duke mos ia dhënë t’i mbante në dorë. Por i nxehur nga ky veprim, efektivi Dedja ka hapur bagazhin e makinës së Policisë dhe nga aty ka nxjerrë një shkop bejsbolli, duke e goditur shoferin disa herë me të. Më pas është larguar nga vendi i ngjarjes dhe në këtë moment, kur ka parë që makina e Policisë nuk ishte më aty, drejtuesi i betonieres ka vazhduar rrugën e më pas ka denoncuar ngjarjen në Polici.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura