Goditi dy policët me motor, grabitësi në kërkim për “vrasje në tentativë”

Mar 31, 2014 | 12:34
SHPËRNDAJE

Zhanklaudjo Sallaku
Tirane – Një 19-vjeçar që aksidenti me motor dy efektivat e policisë së kryeqytetit të shtunën akuzohet për vrasje për shkak të detyrës të mbetur në tentativë. Burimet zyrtare kanë njoftuar se Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim shtetasin Zhenklaudjo Luan Sallaku, 19 vjeç, i cili akuzohet se është autori i dyshuar i tentativës së grabitjes së tri grave dhe më pas i goditjes së dy punonjësve të policisë, të cilët janë përpjekur ta kapin atë. Sipas Ministrisë së Brendshme, 19-vjeçari së bashku me një bashkëpunëtor të tij mendohet se janë plagosur gjatë përplasjes me policinë, por kanë mundur të largohen. Të shtunën më 29 mars, rreth orës 15:50, salla operative e Policisë Tiranë është njoftuar se në rrugën “Sami Frashëri”, pranë selisë së LSI, dy persona me kapuça në kokë, me një motor ngjyrë të zezë dhe në pamje të parë me fuqi motorike të madhe, kanë tentuar të vjedhin me dhunë tri gra. Policia ka arritur të lokalizojë drejtimin e lëvizjes së dy personave, të cilët ishin drejtuar për nga “Libri Universitar”. Në orën 15:55, policia arrin të evidentojë se dy personat me motorin e tyre po lëviznin në drejtim të sheshit “Nënë Tereza”. Sipas Policisë, një patrullë me katër punonjës policie u ka dalë përpara dy të dyshuarve pranë stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Punonjësit e Policisë i kanë bërë shenje drejtuesit të motorit që të ndalonte, por ai jo vetëm që nuk ka ndaluar, por ka shtuar shpejtësinë. Në këto kushte oficeri i patrullës së përgjithshme A.G. ka tentuar ta ndalojë drejtuesin e motorit, por dy personat kanë mundur të largohen. Punonjësi i policisë është lënduar lehtë. Policia ka vijuar ndjekjen e personave të dyshuar, të cilët kanë kaluar nga Radio Televizioni Shqiptar në drejtim të sheshit “Sulejman Pasha”. Pak minuta më vonë një patrullë këmbësore e policisë e vendosur me shërbim në rrugën “Luigj Gurakuqi”, e cila po ndiqte situatën në radio, ka konstatuar motorin me dy personat e dyshuar që lëviznin me drejtim nga sheshi “Sulejman Pasha” për te sheshi “Avni Rustemi”. Punonjësit e patrullës i dalin përpara motorit dhe i kanë bërë shenjë për ndalim. Drejtuesi i motorit me dashje ka goditur oficerin e patrullës R.Dogjani dhe si pasojë e përplasjes edhe drejtuesi i motorit ka humbur kontrollin e mjetit dhe janë rrëzuar bashkë me mjetin në tokë. Oficeri R.Dogjani pas goditjes ka mbetur i shtrirë në tokë pa ndjenja, ndërsa kolegu i tij i ka dhënë ndihmën e parë. Të dy personat e dyshuar janë larguar me vrap në drejtim të markatës së Pazarit të Ri. Policia ka thënë se drejtuesi i motorit ka qenë Zhanklaudjo Luan Sallaku, i vitlindjes 1995, banues në rrugën “Siri Kodra” në Tiranë, i njohur si person me precedentë kriminalë për tendencën e “vjedhjes me dhunë”. Nga policia u bë shpallja në kërkim policor për të dyshuarin Zhanklaudjo Sallaku dhe po punohet për kapjen e tij si dhe identifikimin e bashkëpunëtorit. Punonjësit e policisë të plagosur nga kjo ngjarje, pasi kanë marrë ndihmën mjekësore në spital, janë rikthyer në banesat e tyre dhe sipas mjekëve nuk kanë asnjë problem të mëtejshëm për shëndetin e tyre. Policia ka thënë se materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprën penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, e mbetur në tentativë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura