Gjyslyme Dervishi, gruaja e ish-ministrit të Arsimit, Hilmi Leka: Nga pushkatimi i të shoqit, në burgun e Shkodrës

May 7, 2012 | 15:45
SHPËRNDAJE

Gjyslyme Dervishi Leka

Kalvari i jetës së ish-nxënëses së Institutit “Nana Mbretneshë”, bashkëshortja e ish-ministrit të Arsimit në kohën e Mustafa Krujës, pushkatuar në moshën 31-vjeçare pas gjyqit special të 14 prillit 1945. Shtatë vitet e burgut si “agjente e imperializmit amerikan”, më tej internimi dhe burgosja e të birit.

Gjyslymja së pari ndoqi mësimet në Shkollën Amerikane të Vajzave në Kavajë, ndërsa me mbarimin e kësaj shkolle vijoi të studionte në institutin femnor “Nana Mbretneshë”. Ajo ishte një nxënëse shumë e mirë në mësime, gjithashtu merrte pjesë në të gjitha veprimtaritë artistike të Institutit. Gjyslymja i përfundoi mësimet e kësaj shkolle në verën e vitit 1936. Punoi për një vit mësuese në Shkollën Tregtare të Vlorës, pastaj shkoi për studime në Romë për të studiuar Gjuhë dhe Letërsi, por i la studimet përgjysmë pasi u njoh dhe u martua me Hilmi Lekën.
Sapo u vendos pushteti komunist, bashkëshortin e saj e nxorën në gjyqin e parë special më 14 prill 1945, gjyq të cilin e organizoi ai regjim për të shfarosur mendjet më të ndritura intelektuale të kombit. Hilmi Leka ishte vetëm 31 vjeç kur e vranë. Ai pat studiuar në Padova të Italisë për literaturë, ishte akademik, gjithashtu pat kryer Fakultetin e Jurisprudencës në Vjenë. Ai ka qenë drejtor i gazetës “Tomorri” dhe ministër i Arsimit në qeverinë e Mustafa Krujës. Pas vrasjes mizore të të shoqit, Gjyslymja mbeti fill e vetme me tre fëmijë jetimë: Elvira, Naxhi dhe Skënder. Menjëherë e hoqën nga Tirana dhe tërë jetën, tok me fëmijët, shkelën nëpër shumë fshatra e qytete të Shqipërisë pa iu zënë këmbët dhe. Por komunistët nuk u mjaftuan me kaq, në vitin 1956 e arrestuan dhe Gjyslymen, nënën e fëmijëve. Në gjyq atë e akuzuan si agjente të imperializmit amerikan dhe si gruan e ish-ministrit të dënuar si armik i popullit. E dënuan me 23 vite burg, kreu vetëm shtatë vite nëpër burgjet e Shkodrës, Vlorës, Tiranës. Gjyslymja u lirua në vitin 1962. Gjatë kohës që ajo ishte në burg, fëmijët e saj

Gjyslyme Dervishi Leka, gjatë marrjes së diplomës në Institutin “Nana Mbretneshë”

mbetën vetëm si zogjtë e qyqes, duke u endur andej-këtej pa asnjë mbështetje, duke u përpjekur të ushqenin njëri-tjetrin duke bërë punë të ndryshme në ngarkim-shkarkim, në ndërmarrjen e ndërtimit e të tjera. Fëmijët nuk u lejuan të shkollohen përveç arsimit të detyruar. Gjyslymja kurrë më nuk punoi në profesionin e mësuesisë për të cilin pat kryer studimet, ajo gjatë gjithë jetës u përpoq të mbante gjallë shpirtin e saj dhe të fëmijëve duke vërtitur rrotën e një makine qepëse. Përkundrazi, për të dhe fëmijët e saj vijonin përndjekjet, kështu e internuan në Kosovën e Dumresë, ku ndodheshin edhe dhjetëra gra të huaja, të cilat ishin martuar me burra shqiptarë dhe burrat e tyre regjimi i Enverit i pat futur në burg. Ato gra të gjora që mbanin nga një shami të bardhë në kokë ndërsa punonin në fushë, të internuarit e tjerë i quanin “pulëbardha”.
Vuajtjet e Gjyslymes nuk mjaftuan me kaq, sepse në vitin 1980 i arrestuan djalin, Skënderin, i cili pat qenë vetëm katërmuajsh kur i vranë të atin. E arrestuan me akuzën e rëndomtë “agjitacion e propagandë” dhe akuzat gjatë gjyqit ishin qesharake, sikur ai pat thënë se “futbolli gjerman ishte më i miri nga të gjithë, se pat kënduar një këngë të Fausto Lealit, se kish ndërmend të luftonte për të drejtat e njeriut dhe qe ankuar se në Shqipëri rrogat ishin të vogla”. Skënderi qëndroi shtatë vite në burg dhe nënën e tij, Gjyslymen, Dega e Punëve të Brendshme e lejoi vetëm një herë që ta takonte të birin. Ky ishte fati i asaj vajze të bukur, fat që e shkatërroi pa mëshirë regjimi komunist.
Gjyslymja i mbylli vitet e fundit të jetës në Elbasan, por ajo ia arriti që të shohë ditë të bardha sepse gëzoi rënien e diktaturës, fëmijët e saj dikur të përbuzur u vunë në krye të lëvizjeve demokratike, luftuan dhe fituan kundër regjimit më të egër që ka provuar Shqipëria.

MERI LALAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura