Gjyqi prapë në udhëkryq, avokatja kryesisht: S’e mbroj Dritan Dajtin

May 31, 2012 | 13:32
SHPËRNDAJE
Dritan Dajti në gjyq

TIRANE – Procesi në ngarkim të Dritan Dajtit në Gjykatën për Krimet e Rënda doli nga “ngërçi” që ishte futur prej dy muajsh. Pas 13 seancash të dështuara radhazi për shkak të mungesave të avokatëve, dje në seancë kishte avokatë mbrojtës për të pandehurin Dajti dhe për dy të bashkëpandehurit e tij, Ergest Xhoxhi dhe Mariglen Muça. Por seanca gjyqësore nuk mundi të zhvillohet normalisht për shkak se një nga avokatet e caktuara kryesisht nga Gjykata nuk ishte njohur me dosjen. Pretendimi i avokates “paralajmëroi” për rifutjen në “ngërç” të procesit. Më herët avokatja e caktuar kryesisht nga Gjykata për të mbrojtur të pandehurin Ergest Xhoxhi pretendoi se nuk mund ta përfaqësonte atë në proces. “Unë i kam bërë kërkesë Dhomës së Avokatisë për heqjen e emrit tim nga lista e avokatëve kryesisht. Kam pamundësi objektive për shkak të angazhimeve në procese të tjera dhe nuk mund ta përfaqësoj të pandehurin Ergest Xhoxhi”, u shpreh avokatja. Trupi gjykues, nga ana e tij, vendosi shtyrjen e seancës për t’i dhënë kohë avokates. I pandehuri Dajti ishte i pranishëm në seancë. Ai qëndroi i qetë gjatë gjithë kohës, ndryshe nga seanca e fundit dhe një tjetër e disa javëve më parë, ku ai lëshoi fjalë fyese dhe kërcënime në drejtim të trupit gjykues. Gjykimi në ngarkim të Dritan Dajtit, të akuzuar për vrasjen e katër punonjësve të Policisë në vitin 2009 në Durrës dhe dy të bashkëpandehurve të tij, ka nisur më 29 dhjetor 2009. Gjatë dy muajve të fundit seancat e këtij procesi kanë dështuar njëra pas tjetrës për shkak të mosparaqitjes së avokatëve mbrojtës të të pandehurve në proces. Për këtë shkak, në vazhdimësi trupa gjykuese e dosjes i është drejtuar me shkresa zyrtare Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Dhomës së Avokatisë së Tiranës, Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë për marrjen e masave për avokatët. ar.ba

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura