Gjykata pengoi kapjen e 5 kg kokainë

Oct 31, 2011 | 10:57
SHPËRNDAJE

Gjykata e Elbasanit

Elbasan, Prokuroria zbuloi pazaret për drogën, s‘u lejua përgjimi.

Gjykata e Elbasanit e më pas edhe Apeli i Durrësit kanë ndërprerë vlefshmërinë e një përgjimi të bërë nga Policia e Prokuroria ndaj disa personave që po negocionin shitjen e 5 kg kokainë në Elbasan. Ngjarja ka ndodhur rreth një vit më parë, megjithatë vetëm tani janë bërë të ditura detajet e historisë. Nga vendimi i Gjykatës së Lartë, ku Prokuroria u tërhoq nga rekursi, mësohet se Policia e Elbasanit kishte informacion për një shpërndarës droge. Duke e përgjuar atë, u identifikua një person tjetër që interesohej për shitjen e 5 kg kokainë, me 52 mijë euro kilogramin. Pikërisht në kohën kur ky person zbulohet dhe momenti i shkëmbimit të drogës po afronte, Gjykata i cilësoi përgjimet të pavlefshme.
Ngjarja sipas Gjykatës
Nga aktet e dosjes gjyqësore rezulton se më datë 09.11.2010, mbi bazën e materialit të referuar nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan, Prokuroria e Rrethit Elbasan ka regjistruar procedimin penal nr.1758 për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së narkotikeve”. Nga të dhënat që disponon Seksioni i Luftës kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan rezulton se shtetasi K.B, i vitlindjes 198., banues në Elbasan, mbajtës i numrit celular 06858…..zhvillon aktivitet kriminal në fushën e tregtimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, kryesisht kokainë. Ky person i ka kërkuar një burimi konfidencial të policisë të ndërmjetësojë në shitjen e një sasie kokaine prej 5 kg. Vetë K. posedon një sasi prej 0.5 kg kokainë, por sasi më të mëdha posedojnë të njohur të tij në Elbasan. Më datë 09.11.2010, prokurori ka autorizuar punonjësit e infiltruar të Policisë, Flori e Geri, të kryejnë blerje të stimuluar të lëndës narkotike nga K.B. Punonjësit e Policisë, Geri e Flori, posedojnë numrin e telefonit celular 06951….. Me vendimin e datës 09.11.2010, prokurori ka vendosur lejimin e përgjimit të komunikimit telefonik të shtetasit K.B. dhe punonjësve të Policisë, Geri e Flori. Me vendimin nr.677, datë 11.11.2010, lejimi i përgjimit është vleftësuar i ligjshëm nga ana e gjykatës. Nga përgjimi i numrit 06858….. ka rezultuar se K.B. ka biseduar në telefon me një person të paidentifikuar ende që përdor numrin telefonik celular 06931…… Ky person i ka thënë ndër të tjera K-së “…po ashtu jepja dhe me 52 000 euro, që të bien dakord…” Shifra prej 52 000 eurosh dyshohet se është çmimi i shitjes së një kilogrami kokainë, destinuar për tregun e paligjshëm. Në vijim të përgjimit nga ana e oficerit të Policisë Gjyqësore në sektorin e përgjimeve të Prokurorisë së Përgjithshme është identifikuar si i implikuar në veprimtarinë kriminale shtetasi i quajtur “Fatos”, mbajtësi i numrit telefonik 06856….. Bazuar në kërkesën e Policisë Gjyqësore, me vendimin e datës 13.11.2010, ora 18:00, bazuar në nenin 222/2 të K.Pr.Penale, prokurori ka vendosur lejimin e përgjimit të komunikimeve telefonike të numrit të telefonit celular 06856…..të përdorur nga personi i quajtur “Fatos”. Përgjimi është urdhëruar të kryhet nga data 13.11.2010, ora 18:00, deri në të njëjtën orë të datës 28.11.2010. Në orën 14:00 të datës 14.11.2010, prokurori ka paraqitur në Gjykatë kërkesë për vleftësimin e lejimit të përgjimit. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan me vendimi nr.688, datë 15.11.2010, ka vendosur: “Rrëzimin e kërkesës si të pabazuar në ligj dhe në prova”.

Gjykatat
Pas vendimit të Gjykatës së Elbasanit për ndërprerjen e përgjimit, ndërkohë që trafikantët flisnin për shkëmbimin e drogës, Prokuroria iu drejtua Gjykatës së Apelit Durrës me kërkesën për ligjërimin e përgjimit. Apeli Durrës la në fuqi shfuqizimin e përgjimeve, ndërsa në Gjykatën e Lartë gjykimi u pushua pas tërheqjes së përfaqësuesit të Prokurorisë.

Trazhgim Sokolaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura