Gjykata e Lartë, rrëzohen dy dekretet e Nishanit

Jan 31, 2014 | 12:24
SHPËRNDAJE

Parlamenti ka rrëzuar dje dy dekretet e Presidentit Bujar Nishani për në Gjykatën e Lartë, duke i kërkuar kreut të shtetit të propozojë dy emra të tjerë për fushën administrative të kësaj gjykate. Gjatë debatit maratonë, fillimisht u hodh në votim dekreti i Petrit Çenos, i cili, nga 123 deputetë të pranishëm mori 44 vota të opozitës pro, 77 vota të maxhorancës kundër dhe dy vota të Spartak Brahos e Monika Kryemadhit abstenim. Ndërsa dekreti i Gjovalin Përnocës, nga 114 deputetë të pranishëm mori 39 vota pro të opozitës dhe 75 vota të maxhorancës kundër. Gjatë diskutimeve për dekretet, kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, tha se “Presidenti jo vetëm që nuk respektoi ligjin organik të Gjykatës së Lartë, por injoroi frymën dhe qëllimin e ligjvënësit që me konsensus kishte vendosur të krijonte gjykata të posaçme administrative në dy shkallët e para dhe një kolegj të specializuar në Gjykatën e Lartë”. Ndërsa Eduard Halimi, në emër të deputetëve demokratë, u shpreh se ligji i ri për Gjykatën e Lartë, i miratuar me konsensus pas kërkesës së Bashkimit Europian, në seancën e djeshme kishte provën se si do të zbatohej nga maxhoranca e re. Ai theksoi se kandidaturat janë përzgjedhur në një proces konsultativ me kryetarët e grupeve parlamentare dhe me frymën e ligjit të ri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura