Gjykata e Lartë, caktohet kolegji i “21 janarit”

Oct 31, 2013 | 14:00
SHPËRNDAJE

Ndrea Prendi dhe Agim Llupo
TIRANE – Gjykata e Lartë përzgjodhi kolegjin penal që do të shqyrtojë dosjen “21 janari” në këtë Gjykatë. Kolegji që do të shqyrtojë rekursin e Prokurorisë në lidhje me të pandehurit Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, do të ketë si relator gjyqtarin Tom Ndreca. Burime të Gjykatës së Lartë konfirmuan se anëtarë të kolegjit do të jenë gjyqtarët Edmond Islamaj, Shkëlzen Selimi, Artan Zeneli dhe Aleksandër Muskaj. Ditët në vijim pritet të caktohet data e nisjes së këtij shqyrtimi gjyqësor. Në rekursin e depozituar në Gjykatën e Lartë, prokurorët e Apelit kundërshtojnë vendimin e Apelit që vendosi një vit burg ndaj ish-kreut të Gardës, Ndrea Prendi dhe 3 vjet ndaj gardistit Agim Llupo. Prokuroria kërkon shpalljen e të akuzuarve fajtorë për “vrasje me dashje” dhe dënimin e tyre me 23 vjet burg për Prendin dhe 25 vjet për Llupon. Në vendimin e shpallur më 18 shtator, Apeli i Tiranës deklaroi të fajshëm të pandehurit Prendi dhe Llupo për akuzën e “vrasjes nga pakujdesia”. Ata u fajësuan vetëm për vrasjen e Faik Myrtajt dhe të Ziver Veizit. Apeli nuk u shpreh në lidhje me vrasjen e dy viktimave të tjera të ngjarjes së 21 janarit 2011. Ashtu si bëri më herët Shkalla e Parë, Apeli rrëzoi akuzën e ngritur nga Prokuroria, atë të “vrasjes me dashje”.                   ar.ba

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura