Gjykata dënon 8 komisionerë: Falsifikuan votat e Dajçit

Jun 30, 2012 | 14:08
SHPËRNDAJE
Seanca e djeshme për 8 komisionerët e Dajçit

Gjykata e Lezhës shpalli fajtorë dje tetë komisionerët e komunës Dajç, duke i dënuar në total me 6 vite burg. Ata u akuzuan për “shpërdorim të detyrës” dhe “falsifikim të dokumenteve dhe rezultateve të zgjedhjeve”, kryer në bashkëpunim. Bëhet fjalë për qendrën e votimit NR.0699 në fshatin Dragushë të komunës Dajç. Pas 9 seancave të zhvilluara për këtë proces dhe pretencës së paraqitur nga prokurori Ervin Beqiri, i cili kërkoi në total 15 vite burg për komisionerët, Gjykata e Lezhës dha dënimin e mësipërm, ndërsa u është hequr e drejta e ushtrimit të funksioneve publike për 3 vitet në vazhdim. Procesin gjyqësor është ndjekur jo vetëm nga përfaqësuesit e OSBE-së, por edhe një numër i konsiderueshëm i banorëve të komunës Dajç. Në vendimin e dhënë, Lulzim Paloka, kryetar i QV-së përfaqësues i PD-së, u dënua me 8 muaj burg, Ndoc Marku, nënkryetar i QV-së, përfaqësues i PS-së me 8 muaj burg, Mark Kola anëtar i QV-së, përfaqësues i PS-së me 8 muaj burg, Zef Gjoni, anëtar i QV-së, përfaqësues i PBDNJ-së me 8 muaj burg, Pjetër Marku, anëtar i QV-së përfaqësues i LSI-së me 8 muaj burg, Pal Prendi, anëtar i QV-së, përfaqësues i PD-së me 8 muaj burg, Gent Marku, anëtar i QV-së, përfaqësues i PS-së me 8 muaj burg, ndërsa për Gentian Kovaçin, anëtar i QV-së, përfaqësues i PD-së, gjykata ka dhënë dënimin me 4 muaj burg. Pas shpalljes së vendimit, Gjykata e Lezhës i ka kërkuar Drejtorisë së Policisë në Lezhë zbatimin e vendimit për 8 komisionerët. Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Lezhës, pas kallëzimit penal nga kandidati i koalicionit të majtë, Rrok Rroku, rezultoi se në qendrën e votimit numër 0699, në fshatin Dragushë, komuna e Dajçit rezulton të kenë votuar 264 persona nga 300 gjithsej që ka kjo listë. Por, pas verifikimeve të kryera, ka rezultuar se 66 persona që rezultojnë votues nuk kanë qenë fare në Shqipëri, fakt i përforcuar edhe nga verifikimi i sistemit TIMS në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Lezhë. Kutia e materialeve zgjedhore u sekuestrua nga Prokuroria pas denoncimit nga ish-kandidati Rroku. Nga lista përfundimtare e zgjedhësve rezultoi se 55 shtetas kishin votuar duke përdorur si mjet identifikimi pasaportat e vjetra të vlefshme. Ndërsa 11 numra pasaportash dhe 31 numra kartash identiteti, të shënuar në listën përfundimtare të zgjedhësve krahas votuesve, nuk u përkisnin në fakt numrave të pasaportave reale me të cilat ishin pajisur këta persona.                      gj.f

Dënimi për komisionerët
.    Lulzim Paloka, përfaqësues i PD-së, 8 muaj burg
.    Ndoc Marku, përfaqësues i PS-së, 8 muaj
.    Mark Kola, përfaqësues i PS-së, 8 muaj burg
.    Zef Gjoni, përfaqësues i PBDNJ-së, 8 muaj burg
.    Pjetër Marku, përfaqësues i LSI-së, 8 muaj burg
.    Pal Prendi, përfaqësues i PD-së, 8 muaj burg
.    Gent Marku, përfaqësues i PS-së, 8 muaj burg
.    Gentian Kovaçi, përfaqësues i PD-së, 4 muaj burg

REAGIMI
Ish-kandidati: Kallëzime të tjera
Pas shpalljes së vendimit, ish-kandidati i koalicionit të majtë për komunën e Dajçit, Rrok Rroku, deklaroi se drejtësia vërtetoi manipulimin e zgjedhjeve më 8 maj. Ai paralajmëroi se do të ketë kallëzim penal edhe për komisionerët e qendrave të votimit në fshatrat Dajç dhe Kotërr, që sipas tij kanë shkelje më të mëdha. “Për manipulimin e zgjedhjeve kanë bashkëpunuar të gjitha strukturat e shtetit, përfshirë edhe ato të Policisë”, u shpreh Rroku, duke shtuar se vetëm 2 ditë para zgjedhjeve është qëlluar me breshëri automatiku ndaj djalit të tij, por nuk u krye asnjë hetim për të zbardhur shkaqet dhe autorët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura